LAJMI I FUNDIT:

Zhvillohet në Pejë ‘Java e Filmit Turk’

Zhvillohet në Pejë ‘Java e Filmit Turk’

Në 100 vjetorin e filmit turk, kjo ngjarje do të shënohet me një javë të shfaqjes së filmave të ndryshme, në kinoteatrin e qytetit “Jusuf Gërvalla”.

Një laramani filmash do të shfaqen falas për publikun, të cilat do të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe.

Në mesin e shumë organizimeve tjera artistike, shfaqjen e këtyre filmave, e ka mundësuar Instituti ‘Yunus Emre’ Qendra Kulturore Turke, në bashkëpunim me Komunën e Pejës.


"Gjithçka është gati, për fillimin e shfaqjes së filmave, që do të filloj me 16 qershor” ka thënë organizatorët, duke shtuar se ‘për çdo natë do të ketë nga një film të ri, të përkthyer në gjuhën shqipe’.

Po ashtu është zbuluar se ‘në hapje të këtij organizimi, do të jetë edhe regjisori i mirënjohur turk Faysal Soysal, i cili ka konfirmuar ardhjen’.

Fillimin e shfaqjes së filmave, do të bëjë ‘Uç Yol’ apo ‘Udhëkryqet’ të regjisorit, Faysal Soysal.

I magjistruar në regji të filmit në Universitetin e Teheranit, Soysal ka studiuar edhe ‘letërsinë e re turke’ në Universitetin Van Yuzuncuyil, ndërsa ka përcjellë edhe Akademinë e Filmit në New York.

Me filmin “Dreams of Lost Time” ai i është afruar gjetjes së stilit dhe gjuhës së tij kinematografike, ndërsa më herët, me katër filma të shkurtër, ai ka fituar shumë çmime ndërkombëtare.

Filmin “Udhëkryqet” që është vlerësuar lart nga kritika, regjisori Soysal e ka realizuar në vitin 2012, në Turqi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Nga Mostari në Hasankejf, kjo triologji mes dy vëllezërve dhe një vajze, e shpie shikuesin të kaloj nëpër shumë emocione.

Prej dashurisë e deri në marrëzi, janë ndjenjat që e ‘shëtisin’ krye personazhin Benjaminin, i cili nga Turqia shkon të ndihmoj në gjetjen e boshnjakëve të zhdukur gjatë luftës.

Vajzën e ëndrrave dhe dashurinë e humbur si fëmijë, ai e gjen tek psikologja Zrinka, të cilën e shpëton nga vetëvrasja.
Dashuria i bënë bashkë këtë çift, por fati i mundon duke i sprovuar në rrethana të ndryshme.

Filmi ‘Udhëkryqet’ që e hapë siparin e Javës së Filmit Turk, mund ta ndiqni në teatrin ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë, me datë 16 qershor, me fillim në orën 20:00, kohë kur do të shfaqen edhe filmat tjerë në ditët e ardhshme./Telegrafi/