LAJMI I FUNDIT:

Zhurmat e talljes

Zhurmat e talljes

Kur gazetari i njohur Stephan Schwartz shkruante për Dekretin e Alhambras dhe pogromin e hebrenjve, tërhiqte një paralele me shqiptarët. Hebrenjtë që dëboheshin nga Spanja, ata që nuk pranonin konvertimin në krishterim, merrnin me vete çelësat e shtëpive të tyre. Të njëjtën e bënë shqiptarët e Kosovës, që u dëbuan nga vatrat e tyre gjatë luftës që nisi më 1997 e që kulmoi më 1999. Edhe nëse shtëpitë e tyre ishin të djegura, çelësat nuk hidheshin po merreshin me vete.

Në fund të majit 1999, ambasadori amerikan në Shkup, Christoher Hill – që ishte edhe i deleguari i SHBA-ve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës – i thotë kryeredaktorit të Javores Politike Shqiptare – “Zëri”, Blerim Shalës, se problem i madh për bashkësinë ndërkombëtare do të ishte kthimi i të deportuarve, numri i të cilëve arrinte në një milion.


“Çlirojeni Kosovën, të gjithë të nesërmen do të mësyjnë tokat e tyre”, përgjigjet Shala.

Dhe, kështu ndodhi. Të deportuarit u kthyen nëpër fusha të minuara, në shtëpitë e tyre të rrënuara e tokat e shkretuara. Ky kthim i shpejtë masiv, unik në histori, ishte dëshmi e një lufte të drejtë të një populli; e dashurisë së vërtetë për Kosovën.

Por, atë që nuk ia doli të bënte regjimi i Serbisë për gati 100 vjet – që shqiptari të mos e dojë vendin e tij e të mendojë veç largimin – e bëri fare lehtë politika e mbrapshtë e shtetit më të ri në Evropë. Këto të këqija kanë shtyrë një gazetar shqiptar nga Mitrovica, që nga zemra e plastë të thotë: “S’ka ma të keq se serbi në luftë e shqiptari në paqe!”

***

Shkrimtari i njohur shqiptar, Primo Shllaku, në kohën e ndryshimeve të mëdha në Shqipëri, në fillim të ’90-ave të shekullit të kaluar, ka shkruar komedinë “Nji mbret pa mbretni”! Në të, përmes sloganit “Të drejtit vdesin në shtrat”, shpjegohet logjika e sëmurë e sundimtarit të keq që bën gjithçka veç për të vdekur i qetë në shtratin e pallatit të ndërtuar mbi kurrizin e popullit.

Në këtë mbretëri të keqe, mbreti ndjehet rehat, sepse “ata që janë jashtë, janë të lumtun se nuk janë mbrendë; ata që janë mbrendë, janë të lumtun se janë gjallë; ata që vdiqën janë të lumtun se i mbaruen përfare hallet e ksaj jete”. “Pra, i takon që njena palë mâ e lumtun se tjetra. Hierarki lumtunie”, thotë mbreti.

Por, në një çast, sundimtarit i vjen një tronditje. Mbretëria e tij kaplohet nga qetësia. E, në këtë qetësi kishte veç një lumturi, asnjë kundërshtim e asnjë marrëveshje. Madje, në këtë qetësi nuk e informonin as spiunët. Mbretit tash i kujtohej mallkimi i kundërshtarit të cilin e ekzekutoi e që i kishte thënë: “Heshtshin shërbimet tua sekrete.”

E vërteta është se populli kishte lënë shtëpitë e tyre me gjithçka brenda e kishin mësyrë kufirin e shtetit armik. Mbase edhe çelësat i kanë lënë në derë!

“Ky âsht kulmi i anmiqsisë. Kur të merr anmiku tokat, çon ushtrinë dhe ia rimerr. Po kur të merr ushtrinë, me se do t’ia rimarrësh tokat?”, thotë mbreti i braktisur nga të gjithë, që pallatin tash e ndan veç me gruan e tij.

***

Më 13 korrik 1990, shqiptarët e Shqipërisë filluan eksodin e parë drejt Perëndimit. Ata mësynë ambasadat perëndimore në Tiranë, si shpëtim nga regjimi brutal komunist. Largimet arritën kulmin në mars 1991. Kështu, derisa më 1990 Shqipëria kishte 3.3 milionë banorë, sipas regjistrimit të vitit 2011 kishte 2.82 milionë. Në Kosovë më 1990 ishin 1.93 milionë banorë, e me regjistrimin e vitit 2011 ishin 1.8 milionë. Deri më 1990, edhe Shqipëria e edhe Kosova karakterizoheshin me natalitet të lartë. Pra, popullata rritej vit pas viti. E tash zvogëlohet – vit pas viti!

Natyrisht, rënia e natalitetit është edhe pasojë e koncepteve tjera të planifikimit familjar. Por, edhe ky planifikim imponohet nga realiteti i keq ku jetojnë shqiptarët, nga pasiguria ekonomike e sociale. Në anën tjetër, janë shpërnguljet që nuk kanë të ndalur, sepse shqiptari në pushtet i shuan shpresat për jetë të mirë në tokën tënde. Ndaj, shqiptarët në Ballkan po pakësohen.

Kështu, qetësia dalëngadalë po vjen, për pushtet pa shtet!?

***

Ndërkohë, në Shqipëri e në Kosovë politikanët vazhdojnë ta duan zhurmën, sepse ndjehen të sigurt me të, sidomos nga efekti mediatik që merr e zeza e tyre. Ata marrin vendime kuturu, krijojnë debat e janë në qendër të vëmendjes. Zhurma i bind se janë të fuqishëm, se populli është i nënshtruar dhe se askush nuk mund ta cenojë sundimin e tyre. Kakofonia është pasqyra e mbijetesës së tyre dhe kaosit në të cilin kanë sjellë vendin.

Prandaj, në Shqipëri i druhen integrimit; e në Kosovë i druhen liberalizimit të vizave. Ndaj ka stagnime dhe izolime, e jo zgjidhje të problemeve. Pushteti nuk do që populli të përparojë; të edukohet; të dijë… Sepse, duke parë ata botën normale e duke qenë pjesë e asaj bote, e konkurrencës së madhe, zhurma do të reduktohet e qetësia dalëngadalë do të kaplojë vendin. Atëherë do të vijë fundi i sundimit të të këqijve, i fronit të injorantëve dhe i vdekjes së qetë në shtretërit komodë.

Deri atëherë mbesim në tango. Në një lojë të pushtetit me popullin: dy hapa para një pas!

Tallje dhe zhurmë!

Në trend

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Serbia
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Ndërkombëtare
Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Arsim
Kalo në kategori