LAJMI I FUNDIT:

“Xhamajka” dhe intelektualët e Oborrit

“Xhamajka” dhe intelektualët e Oborrit
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Lexova një shkrim kritik të filozofit Blerim Latifit rreth gënjeshtrës “Xhamajka”. Sigurisht që ky rast meriton kritikë maksimale, sepse edhe njëherë e shpërfaq degjenerimin politik të klasës politike të Kosovës; shpërfaq karakterin e një politike të ndërtuar krejtësisht në gënjeshtër, në imoralitet.

Filozofi Latifi thekson se shumëçka në politikën kosovare, por në mënyrë të veçantë strategjia e diplomacisë sonë rreth njohjeve si shtet, ka qenë e gabuar, sepse ka qenë e bazuar, siç e quan ai, në partizëm. Për më tepër, profesori bën përpjekje filozofike në zbërthimin e logjikës së kësaj situate të sikletshme diplomatike. Duket sikur në tërë këtë situatë, ai është gjetur i befasuar!


Është mirë t’ia kujtojmë profesor Latifit se, faktorët që e kanë sjellë diplomacinë kosovare, por jo vetëm atë, në këtë katandisje, nuk kanë ardhur nga qielli, “ex nihilo” (nga asgjëja). Kjo gjendje nuk ka ardhur as si rezultat i paditurisë apo neglizhencës së pushtetarëve, apo si pasojë e domosdoshme e zhvillimeve historike në Kosovë, siç mund të përkufizohet nga disa.

Kjo gjendje është krijuar me platformë të qartë; ka qenë e orkestruar mirë. E them këtë duke u bazuar në faktin se bartës të ndërtimit të këtij sistemi të keqqeverisjes kanë qenë akademikë me grada të larta shkencore. Ndërtues të kësaj gënjeshtre diplomatike, por jo vetëm, kanë qenë intelektualë dhe akademikë me grada superiore sikurse është ai vetë, pastaj profesor Bajrami, Kuqi, Hoxhaj e shumë të tjerë. Nuk mund të besohet lehtë se këta profesorë ‘eminentë’ të mos kenë pasur njohuri se çfarë është duke u ndërtuar në dikastere të jetës sonë, si në arsim, në sistem gjyqësorin, në diplomaci, në kulturë, e në sferat e tjera.

Është pak të thuhet se legjitimitet moral, së keqes e gënjeshtrës i kanë dhënë pikërisht këta profesorë. Qoftë si ministra, qoftë si këshilltarë politikë; të gjithë këta e kanë ditur mirë se çfarë është duke ndodhur në institucionet e shtetit. Kurrë nuk e kanë ngritur zërin e tyre të kritikës. Asnjëherë, gjatë kohës kur kanë qenë bartës ose pjesë e sistemit, nuk kanë shkruar apo folur hapur lidhur me degjenerimin që po ndodhte. Tani që kanë humbur statusin e privilegjuar në shoqëri, janë kujtuar të bëjnë punën e intelektualit kritikues!

Me duket një përfundim i përshtatshëm për këtë shkrim të shkurtër, që ta shfrytëzoj një mendim të filozofit të madh gjerman Schopenhauer, për intelektualët e oborrit: “… të brumosur jo vetëm në filozofi, por në të gjitha format e dijes… këta intelektualë janë shkatërrues, ose me saktë mashtrues të mëdhenj. Ne mund të luftojmë influencën e tyre dhe mund ta bëjmë këtë vetëm me forcën e mendjes (arsyes) dhe moralit. Në këtë rast, kjo është detyrë e çdokujt që është i aftë të gjykojë në mënyrë të pavarur. Në të kundërtën, nëse ne heshtim, kush do flas për ne.”