LAJMI I FUNDIT:

Vizita “transit” e diplomatëve të OSBE-së në Bujanoc

Këtyre ditëve, Komuna e Bujanocit ishte në fokus të një evenimenti të lartë diplomatik. Kjo komunë multietnike e administruar nga Serbia, ishte nikoqire e vizitës së përfaqësuesve të lartë diplomatikë të OSBE-së, në Vjenë, të akredituar nga 25 shtetet e Evropës.

Ambasadorët e OSBE-së, pas vazhdës së takimeve që zhvilluan në Beograd, me institucionet e larta serbe, u ndaluan pak edhe në Bujanoc, për të vazhduar vizitën për në Prishtinë.


Diplomatët e OSBE-së, zhvilluan takime me përfaqësuesit politikë të Luginës, si me ata të pozitës shqiptaro-serbe, po ashtu edhe me opozitën shqiptare.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja për së afërmi me problemet me të cilat po përballen shqiptarët prej vitesh.

Bujanoci, ky qytet “universitar”, gjatë këtij takimi, ta çonte “mallin” e një kryeqendre evropiane. Autobusi, me të cilin kishin udhëtuar diplomatët e OSBE-së, qëndronte i parkuar para godinës së Kuvendit Komunal, gjersa takimet zhvilloheshin në ambientet e Shtëpisë së Kulturës.

Shtëpia e Kulturës “Vuk Karaxhiq”, e cila e mban këtë firmë të personalitetit të kulturës serbe, ishte një shembull i mirë për mysafirët diplomatë, se shqiptarët e Bujanocit, ndonëse janë shumicë në këtë komunë, duke llogaritur edhe në pushtetin lokal, nuk e kanë zëvendësuar këtë emërtim me ndonjë emërtim tjetër nga kultura shqiptare, apo evropiane, ashtu siç i mbajnë emërtimet edhe sheshet e rrugët, në të cilat jeton popullëësia qind për qind shqiptare.

Po diskriminimi nuk ka brirë! Shqiptarët janë të privuar edhe nga e drejta për tu integruar në organet shtetërore: gjyq, polici, kadastër, gjeodezi, dogana etj. Pavarësisht këtyre diskriminimeve, me të cilat OSBE-ja është argëtuar qe 13 vjet, që nga përfundimi i konflikteve të armatosura në Luginë, problemet mbeten po ato të vjetrat, të zbukuruara me petkun e ri të këtij pushteti.

Reformat në polici, të cilat OSBE-ja, i kishte si prioritet të misionit të saj në Luginë, jo vetëm që nuk arritën ta ngrisin nivelin e sigurisë në vend, por nuk arritën ta ndërrojnë as komandantin e policisë, i cili është nga radhët e serbëve pakicë në Bujanoc, bile i instaluar nga një komunë tjetër.

E, lidershipi shqiptar i përçarë e i dezorientuar, në prani të 25 ambasadorëve të OSBE-së, udhëheqësve të Trupit Koordinues dhe liderëve të partive politike lokale serbe, kërkonte reciprocitet me kërkesat e serbëve të Kosovës.

E pabesueshme, madje edhe absurde! Spektri politik shqiptar, së pari duhet të unifikoj qëndrimet e veta rreth Plaformës politike të miratuar nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës.

Drejtuesit e pushteteve lokale, në Bujanoc dhe Preshevë, të paktën nuk arritën ta takohen bashkë me udhëheqësit politikë pozitë-opozitë, për t’i koordinuar punët rreth prezantimit të kërkesave të tyre para ambasadorëve të OSBE-së.

Këta liderë institucionalë dhe politik shqiptarë u bënë bashkë me liderët lokalë serbë dhe diplomatët e OSBE-së. Gjatë këtij takimi udhëheqësit shqiptarë kërkonin nga OSBE-ja dhe Trupi Koordinues të vazhdojnë bisedimet e ngelura mes Luginës dhe Beogradit, ndërsa udhëheqësit serbë ankoheshin se shqiptarët nuk janë në numër aq sa proklamohen dhe harrojnë që në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar mezi arritën t’i sigurojnë 11 ulëse në parlamentin lokal a të gjithë participojnë në qeverisjen lokale, duke fituar pushtet më shumë se sa u ka ofruar vota e lirë, kuptohet me mirësinë e këtij pushteti për të qenë, vërtet, multietnik.

Pavarësisht se vizita e diplomatëve të OSBE-së në Bujanoc ishte “transit”, nga Beogradi për në Prishtinë, jehona e saj është shpresëdhënëse se një ditë edhe në këto hapësira do të bëhet mirë mbase…