LAJMI I FUNDIT:

Veteranët e luftës në Ballkan luftojnë për pensione nga shteti

Veteranët e luftës në Ballkan luftojnë për pensione nga shteti

Bosnja, Kroacia, Kosova dhe Serbia do t’i paguajnë rreth 688 milionë euro pensione veteranëve të luftës në vitin 2018, por trajtimi i ish-luftëtarëve vazhdon të shkaktojë debate politike dhe protesta në secilin vend.

Protestat e fundit nga veteranët e luftës në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë tregojnë se mënyra se si shtetet në ish-Jugosllavi trajtojnë ata që luftuan në konfliktet e viteve 1990 mbetet një çështje shumë e ndjeshme dhe shpesh kontroverse dhe se të drejtat dhe përfitimet që i jepen ish-luftëtarëve mbeten në thelbin e mosmarrëveshjeve midis veteranëve dhe qeverive.

Veteranët nga luftërat e viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë dhe Serbi është caktuar të marrin rreth 685.8 milionë euro përfitime në vitin 2018, por ndërsa shoqatat e veteranëve kanë fituar ndikim politik në disa prej këtyre vendeve, shumë ish-luftëtarë ende po përpiqen ende të arrijnë ato që ata e shohin si të drejtat e tyre themelore.


Qeveria e Kosovës caktoi 77.8 milionë euro për pensionet e ish-luftëtarëve në vitin 2018 – një shumë e konsiderueshme në buxhetin e shtetit prej vetëm 1.8 miliardë eurosh – por mijëra njerëz thuhet se janë regjistruar pa të drejtë si veteranë.

Në Kroaci, ku shoqatat e veteranëve kanë arritur një masë ndikimi politik, shteti ka caktuar 174 milionë euro në vitin 2018 për ish-ushtarët, por ata ende përpiqen shumë të kenë qasje në kujdesin psikosocial që u nevojitet për të trajtuar problemet me çrregullimin e stresit post-traumatik.

Serbia ka rezervuar rreth 114 milionë euro për “përkujdesin e veteranëve me aftësi të kufizuara” në buxhetin e vitit 2018, por ish-ushtarët e saj ankohen se shteti ende nuk ka miratuar një ligj që rregullon statusin e tyre zyrtar, pothuajse 20 vjet që nga përfundimi i luftës së fundit të viteve 1990.

Autoritetet në dy entitetet politike të Bosnjës, Republika Srpska me shumicë kryesisht serbe dhe Federata e Bosnjës me shumicë kryesisht boshnjake dhe kroate, thonë se i paguajnë veteranët dhe anëtarët e familjes së tyre 150 dhe 170 milionë euro çdo vit.

Bosnje: Pensione të ulëta dhe mashtrime të dyshuara

Bosnja nuk ka ligj në nivel shtetëror për veteranët e luftës, statusi i të cilëve është rregulluar nga dy entitetet e vendit, Republika Srpska dhe Federata.

Rreth 60,000 veteranë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës në Republikën Srpska kanë të drejtë për një pension mujor prej 200 eurosh, ndërsa paga mesatare në entitet është pak më shumë se 400 euro. Për më tepër, ata marrin një pension veterani vjetor të llogaritur në bazë të 1.35 eurove për çdo muaj që kanë kaluar në ushtri gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Ministria e Veteraneve të Luftës të Federatës tha më herët këtë vit se po i paguan pensione 95,000 individëve – 48,000 njerëz që u bënë invalidë gjatë luftës, 42,000 anëtarë të familjeve të veteranëve të vrarë dhe 5,000 bartës të dekoratave më të larta ushtarake.

Veteranët nga Ushtria Boshnjake dhe forca kroate e Bosnjës gjatë kohës së luftës, Këshilli Kroat i Mbrojtjes, organizuan protesta në shtator duke kërkuar më shumë pensione, identifikimin e përfituesve të cilët kanë pretenduar në mënyrë të rreme statusin e veteranit dhe krijimin e një regjistri të unifikuar të atyre që luftuan.

Veteranët kërkojnë 326 marka boshnjake (rreth 167 euro) në muaj pensione për veteranët e papunë dhe dy ose tre marka shtesë (një deri në 1.5 euro) për çdo muaj që shërbyen gjatë kohës së luftës.

Më herët këtë vit, parlamenti i entitetit të Federatës duhet të miratonte një ligj që do të plotësonte kërkesat e veteranëve, por deri tani nuk e ka bërë këtë.

“Ne veteranët e luftës duan vetëm atë që është e drejtë – ata që falsifikuan pjesëmarrjen e tyre në luftë nuk mund të marrin pensione, ndërsa ata që dhuruan vitet më të mira të jetës së tyre për Bosnjën të mos marrin asnjë”, tha për BIRN Hamza Krkaliq, një nga veteranët që mbështetën protestat.

Veteranët në Federatë gjithashtu kanë kritikuar politikën e entitetit për financimin e një numri të madh shoqatash veteranësh, duke u shprehur se kjo është në dobi vetëm të personave që janë në krye të shoqatave dhe nuk përmirëson aspak standardin e jetesës së ish-ushtarëve.

Kroaci: Kritikohen përfitimet për familjet e veteranëve

Komisioni Europian kritikoi Ligjin e Veteranëve të Luftës për Atdhe të Kroacisë në raportin vjetor të vitit 2018 për vendin, sepse ai rriti pensionet dhe u dha përfitime sociale shtesë ish-luftëtarëve.

“Autoritetet kanë propozuar zgjerimin e mëtejshëm të përfitimeve të dhëna veteranëve të luftës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, duke rezultuar në rritjen e mëtejshme të tavaneve të pensioneve të tyre. Është bërë pak progres për të mbështetur riintegrimin e veteranëve të luftës në tregun e punës”, thuhet në raport.

Ligji, i miratuar në vitin 2017, i dha gjithashtu veteranëve kroatë dhe fëmijëve të veteranëve të vrarë ose të papunë një avantazh ndaj kandidatëve të tjerë kur aplikonin për punë në sektorin publik, gjë e cila shkaktkoi kritika në vend.

Por Zorica Greguriq, kryetarja e Shoqatës Mbrojtësit Vullnetarë të Vukovarit nga Zagrebi, një nga 1,350 organizata që përfaqësojnë interesat e veteranëve në Kroaci, këmbënguli se komentet e Komisionit Europian ishin në lidhje me reformën e sistemit të pensioneve në përgjithësi, jo për përfitimet shtesë për ish-ushtarët.

“Ka një zhurmë të madhe mediatike për dy fjali në raportin e Komisionit Europian që nuk mund të kuptohen objektivisht si kritika”, tha Greguriq.

Analisti politik Zarko Puhovski tha se është e kuptueshme që njerëzit që morën pjesë në luftime të marrin trajtim special, ndihmë mjekësore dhe psikosociale, por kritikoi politikën e qeverisë për t’i dhënë pensione fëmijëve të tyre.

“Pse duhet një fëmijë që ka humbur babanë e tij në luftë të konsiderohet në gjendje më të keqe sesa një fëmijë, babai i të cilit u vra në një aksident me makinë?”, tha Puhovski.

Ai tha se në Kroaci veteranët kanë fituar ndikim politik që i ka bërë ata të fitojnë privilegje dhe mundësi për të ushtruar presion mbi autoritetet.

Organizatat kroate te veteranëve të luftës shpesh kanë kërkuar ta ushtrojnë këtë ndikim politik. Ato ishin në krye të protestave në vitin 2013 kundër futjes së tabelave dygjuhëshe kroate dhe serbe me shkrim latin dhe cirilik në ndërtesat zyrtare në qytetin e Vukovarit dhe organizuan një protestë që zgjati 18 muaj duke kërkuar dorëheqjen i ministrit të veteranëve të luftës, e cila përfundoi në prill 2016.

Ish-luftëtarët e Këshillit Kroat të Mbrojtjes kanë qenë gjithashtu në qendër të diskutimeve të vazhdueshme mbi përdorimin e përshëndetjes fashiste ustashe të kohës së Luftës së Dytë Botërore “Za dom spremni”.

Kosovë: Protesta për aktakuzën ndaj “veteranëve të rremë”

Ish-anëtarët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbeten forca dominuese në vend dhe shumë prej tyre u bënë politikanë pas luftës së viteve 1998-1999, duke përfshirë presidentin aktual Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale e Kosovës, e cila është përgjegjëse për shpërndarjen e pensioneve, tha për BIRN se lista e saj e pagave në muajin shtator përfshinte 33,184 veteranë, të cilët marrin secili rreth 2,000 euro në vit.

Këtë verë shpërtheu një polemikë kur një prokuror pretendoi se më shumë se 19,000 njerëz kanë arritur të mashtrojnë me vetëdije duke u regjistruar si veteranë lufte, në përpjekje për të arritur statusin e lakmuar të “luftëtarit të lirisë” brenda shoqërisë kosovare, si edhe për të marrë një pension të përjetshëm dhe për të siguruar përfitime të tjera institucionale.

Në gusht, Prokurori Special Elez Blakaj, i cili e hetoi rastin, tha se ishte i detyruar të jepte dorëheqjen dhe të largohej në mërgim në SHBA, sepse kishte marrë kërcënime në lidhje me këtë rast.

Blakaj kishte kryer një hetim dyvjeçar, i cili u iniciua pasi qeveria publikoi një raport që listonte 46,230 individë që shërbyen si pjesë e forcës guerile në konfliktin e viteve 1998-1999 me forcat serbe.

OJQ-të dhe organizatat e veteranëve të luftës në Prishtinë ngritën shqetësimet se kjo shifër ishte fryrë.

Në disa deklarata publike, ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më parë kishin pohuar se forca guerile nuk kishte më shumë se 15,000 anëtarë.

Blakaj tha se “buxheti i shtetit dhe veteranët e vërtetë janë dëmtuar seriozisht” nga verifikimet e njerëzve që nuk luftuan në luftë.

Kur Blakaj dha dorëheqjen, ai la pas një aktakuzë të gatshme, e cila u paraqit më pas në shtator nga një prokuror tjetër, por me 2,000 emra shtesë veteranësh si të dyshuar të rremë.

Dymbëdhjetë anëtarë të komisionit qeveritar që verifikuan veteranët u paditën, përfshirë kreun e saj Agim Çeku, një ish-komandant i UÇK-së dhe ish-ministër i Forcës të Sigurisë së Kosovës.

Shoqata e veteranëve të UÇK-së u zemërua nga aktakuza. Disa organizuan protesta, duke i bërë thirrje qeverisë të fillojë një proces të ri verifikimi të veteranëve dhe duke kërkuar që prokuroria të tërheqë akuzat.

Kur veteranët organizuan një protestë në shtator kundër aktakuzës, Avdyl Mushkolaj, një ish-luftëtar i UÇK-së nga forca guerilase e zonës së Dukagjinit, e cila komandohej nga kryeministri aktual Haradinaj, paralajmëroi se protestat e ardhshme “nuk do të jenë paqësore” nëse prokuroria nuk tërheq akuzat.

Serbi: U mohohen pensionet luftëtarëve të viteve 1990

Ndryshe nga vendet që kanë hasur probleme me veteranët e rremë, shumë organizata të ish-ushtarëve në Serbi ankohen se edhe ish-luftëtarët e vërtetë nuk mund të kërkojnë pensione.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës të Serbisë, Mile Milosheviq tha se shteti po e shpërfill kërkesën e tij për miratimin e një ligji që do të rregullojë statusin e ish-ushtarëve.

“Ne nuk kemi të drejtë për pensione apo ndonjë gjë tjetër. Ne nuk ekzistojmë për shtetin”, tha Milosheviq.

Gjatë viteve 1990, lidershipi serb këmbënguli se Serbia nuk mori pjesë në luftërat në Bosnjë dhe Kroaci.

Milosheviqi shpjegoi se Serbia tani i paguan pensione vetëm veteranëve me aftësi të kufizuara dhe ish-ushtarëve aktivë të ish-Ushtrisë Popullore Jugosllave, por jo rezervistëve dhe vullnetarëve.

“Shpjegimi i autoriteteve është se nuk ka ligj për ata veteranë”, tha ai.

Milosheviq tha se ishte edhe më e rëndësishme që 350,000 pjesëmarrësit serbë në luftërat e viteve 1990 që shoqata e tij vlerëson se janë ende gjallë nuk kanë qasje në objektet mjekësore të ushtrisë, siç është Akademia Mjekësore Ushtarake në Beograd.

Përveç mosnjohjes së pjesëmarrjes së Serbisë në luftërat boshnjake dhe kroate, autoritetet e Beogradit gjithashtu kanë një problem specifik me veteranët nga lufta e Kosovës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, qeveria ndaloi pagesat ditore që i detyrohej veteranëve derisa shumë prej tyre organizuan protesta gjatë vitit 2008, duke kërkuar që pagesat e vonuara të paguheshin.

Qeveria serbe si përfundim pagoi dy miliardë dinarë (rreth 25 milionë euro në vitin 2008), por vetëm për veteranët nga shtatë komuna jugore që po protestonin, gjë që zemëroi ish-luftëtarët në mbarë vendin.

Mijëra veteranë përfunduan duke paditur Serbinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe fituan në shkallën e parë në vitin 2012, por vendimi u rrëzua në apel në vitin 2014 për shkak se paditësit nuk përdorën të gjitha mjetet juridike në dispozicion në Serbi, sipas gjykatës së Strasburgut.

Ish-luftëtarët kanë vazhduar të padisin vendin para gjykatave serbe për diskriminim ndaj tyre duke paguar vetëm veteranët që protestuan.

Në shumë raste, gjykatat kanë vendosur në favor të tyre, por u kanë dhënë atyre vetëm shuma të vogla kompensimi në vend që të urdhërojnë shtetin të paguajë pagesat ditore.

Të pakënaqur me statusin e tyre të përgjithshëm, disa veteranë organizuan një protestë brenda parlamentit serb në qershor, por një përfaqësues i shumicës në pushtet tha se ata po përdoreshin për qëllime politike.

“Qeveria  do të vazhdojë të ndihmojë veteranët e luftës me aftësi të kufizuara, por unë mendoj se kanë qenë viktima të manipulimit politik,” tha Aleksandar Martinoviq, kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresive në pushtet.

Ndërkohë nuk ka të dhëna zyrtare për shumën e saktë që Serbia i detyrohet veteranëve për shkak të vlerësimeve të ndryshme të numrit të pjesëmarrësve në luftën e Kosovës dhe konfliktit të Jugosllavisë me NATO-n. Çdo veteran mund të ketë të drejtë të marrë nën 2,300 euro.

Disa shoqata veteranësh thanë se shifra ishte rreth 100,000, e cila do të bënte që totali i borxhit nga autoritetet të ishte në rreth 230 milionë euro. Mile Milosheviq megjithatë vlerëson se ka pasur rreth 250,000 pjesëmarrës në luftën e Kosovës në vitin 1999, gjë që do të thotë se autoritetet serbe kanë një faturë shumë më të lartë për të shlyer. /BIRN/