LAJMI I FUNDIT:

Vetëm 6% e të rinjve të interesuar për ndërmarrësi

Vetëm 6% e të rinjve të interesuar për ndërmarrësi

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, ka thënë se vetëm gjashtë për qind e të rinjve janë të interesuar që të merren me ndërmarrësi.

Mustafa, në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, ka thënë se të rinjtë në Kosovë nuk janë të interesuar për ndërmarrësi dhe nuk e shohin atë si opsion të karrierës, pavarësisht fushatave që janë bërë për këtë lëmë.

Sipas tij, vetëm gjashtë për qind e të rinjve janë të interesuar të merren me ndërmarrësi. “Pavarësisht fushatave që janë bërë në Kosovë, të rinjtë nuk e konsiderojnë ndërmarrësinë si opsion karriere. Në vitin e kaluar, në kuadër të Monitorit Global të Ndërmarrësisë, në bashkëpunim me Kolegjin ‘Universum’, e kemi bërë një hulumtim të tillë, nga i cili ka dalë se vetëm gjashtë për qind e të rinjve të anketuar e konsiderojnë ndërmarrësinë opsion karriere”, ka thënë Mustafa.


Ai ka shtuar se nënshkrimi i MSA-s është një ndër arritjet më të mëdha në këtë vit për Republikën e Kosovës.

“Nëse i konsiderojmë të gjitha përparësitë e Kosovës së bashku si: qasja në tregun e Bashkimit Evropian falë MSA-s, rangimi në vendin e 66 në Indeksin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore, kostoja e ulët e prodhimit si dhe pozita gjeografike shumë e favorshme, konkludojmë se Kosova tanimë është shndërruar në një shtet mjaft të favorshëm për të prodhuar mallra dhe shërbime. Si rrjedhojë e këtyre kushteve të favorshme, presim që investimet në sektorin e prodhimit të rriten në dekadën e ardhshme”, ka deklaruar Mustafa. /Telegrafi/