LAJMI I FUNDIT:

Veseli viziton “Trepçën”, futet në 600 metra thellësi

Veseli viziton “Trepçën”, futet në 600 metra thellësi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një vizitë në Ndërmarrjen “Trepça” në Mitrovicë.

Gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm të “Trepçës”, Ahmet Tmava, dhe drejtorët e resorëve përkatës, u diskutua gjendja aktuale në ndërmarrje, problemet dhe sfidat me të cilat po përballet ajo, si dhe nevoja që të veprohet shpejt nga institucionet e vendit për nxjerrjen e Ligjit për Trepçën, nëpërmjet të cilit do të mundësohet vitalizmi i kapaciteteve ekzistuese dhe zgjerimi i tyre.

Nxjerra e këtij ligji u vlerësua se do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe rrjedhimisht në rritjen e shkallës së punësimit në “Trepçë”, si dhe në gjetjen e tregjeve të reja për plasimin e produkteve të saj.


Veseli vizitoi edhe disa familje që jetojnë në Qendrën Kolektive në Stantërg, ku premtoi se shpejt do të hartohet dhe implementohet një projekt që këtyre banorëve t’ju ndërtohen një vendbanim i ri.

Ai bëri një vizitë edhe në horizontet e minierës, në thellësi prej 600 metrash, ku takoi minatorët gjatë procesit të punës.