LAJMI I FUNDIT:

Vaji disulfurik, formohet komision hetimi për zyrtarët doganorë

Vaji disulfurik, formohet komision hetimi për zyrtarët doganorë

Ministri i Ekonomisë dhe Financave(MEF), Ahmet Shala, ka formuar një komision për shqyrtimin e përgjegjësive të zyrtarëve doganorë në importimin e vajit disulfurik.

Bazuar në një njoftim zyrtar të MEF-it, ky komision do të merret me shqyrtimin e rrethanave në lidhje me importimin e vajit disulfurik në Kosovë, dhe do të rishikojë posaçërisht rolin dhe përgjegjësitë e zyrtarëve doganorë dhe të drejtorit gjeneral në rast të ndonjë shkelje eventuale të akteve në fuqi.

“Komisioni përbëhet nga përfaqësueses të MEF-it dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.

MEF-i po ashtu ka njoftuar se në afatin prej 7 ditësh , komisioni do të përgatisë raportin rreth fakteve në lidhje me rastin e lartpërmendur dhe kjo ministri do ti rekomandojë Qeverisë së Republikës së Kosovës për veprimet e mëtejme.


Nga futja e mauneve me vaj disulfurik në territorin e Kosovës, përkohësisht ishte suspenduar drejtori i doganave, Naim Huruglica dhe sekretari i përhershëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Aliu.

Një vendim i tillë ishte marrë menjëherë pasi Kryeministri Thaçi gjatë mbledhjes së rregullt të qeverisë të mbajtur me 28 korrik kishte kritikuar ashpër ministrin e MEF-it dhe atë të MMPH-së për mosmarrje të masave adekuate ligjore dhe disiplinore ndaj personave përgjegjës në ShDU dhe MMPH, të cilat kanë bërë lëshime me rastin e importit të materieve të rrezikshme dhe kanë treguar papërgjegjësi ligjore rreth trajtimit të kësaj çështjeje. /Telegrafi/