LAJMI I FUNDIT:

Ushtria amerikane mund të vendoset në Ukrainë – por vetëm për t’i mbrojtur investimet e SHBA-së

Ushtria amerikane mund të vendoset në Ukrainë – por vetëm për t’i mbrojtur investimet e SHBA-së

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump i ka sugjeruar Ukrainës që Shtetet e Bashkuara të marrin 50 për qind të pronësisë mbi mineralet e rralla të vendit dhe ka shprehur gatishmëri për të vendosur trupat amerikane atje për t’i mbrojtur ato, nëse arrihet një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, sipas katër zyrtarëve amerikanë.

Në vend që të paguante për mineralet, marrëveshja e pronësisë do të ishte një mënyrë që Ukraina të rimbursonte SHBA-në për miliarda dollarë ndihmë në armë dhe mbështetje që Uashingtoni i ka dhënë Kievit që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, thanë dy nga zyrtarët.

"Le ta bëjmë një marrëveshje", Zelensky i ofron Trumpit minerale të rralla në këmbim të ndihmës financiare
Lexo po ashtu "Le ta bëjmë një marrëveshje", Zelensky i ofron Trumpit minerale të rralla në këmbim të ndihmës financiare

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka paraqitur para presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky një kontratë të draftuar ku propozohej që SHBA-ja të zotëronte gjysmën e mineraleve të rralla të Ukrainës, gjatë një takimi të mbajtur të mërkurën në Kiev, sipas tetë zyrtarëve amerikanë të informuar mbi takimin, shkruan nbcnews.


Pas takimit, Bessent deklaroi se drafti i marrëveshjes për mineralet e rralla mes SHBA-së dhe Ukrainës reflektonte qëllimin e presidentit, por nuk dha detaje mbi propozimin e administratës.

Zelensky refuzoi ta nënshkruante dokumentin kur Bessent ia paraqiti gjatë takimit, duke thënë se kishte nevojë ta shqyrtonte dhe të konsultohej me të tjerët, thanë tetë zyrtarët amerikanë të informuar mbi takimin.

Lideri ukrainas tha në atë moment se ai dhe ekipi i tij “do të bëjnë gjithçka për të shqyrtuar të gjitha detajet e dokumentit” para arritjes në Munih, ku të premten u takua me nënpresidentin JD Vance, Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio dhe ligjvënës amerikanë në kuadër të një konference globale të sigurisë.

Ambasada e Ukrainës në Uashington dhe një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të premten.

Minerale të rralla në këmbim të garancisë së sigurisë - Ukraina i dorëzon marrëveshjen SHBA-së
Lexo po ashtu Minerale të rralla në këmbim të garancisë së sigurisë - Ukraina i dorëzon marrëveshjen SHBA-së

Gjatë fjalimit të premten në konferencën e sigurisë, Zelensky tha se juristët do të vlerësonin dokumentin e paraqitur nga Bessent dhe do të jepnin këshilla me disa ndryshime të mundshme. Ai e quajti propozimin një memorandum mes SHBA-së dhe Ukrainës, dhe jo një marrëveshje sigurie.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur interesim personal në muajt e fundit për të arritur një marrëveshje me Ukrainën që do t’i jepte SHBA-së qasje të konsiderueshme në mineralet e rralla të vendit, të cilat përdoren për prodhimin e një game të gjerë produktesh teknologjike.

Në një intervistë të fundit për Fox News, Trump tha se dëshiron që SHBA të marrë 500 miliardë dollarë vlerë të mineraleve të rralla të Ukrainës dhe la të kuptohej se Kievi “në thelb kishte rënë dakord për këtë”. /Telegrafi/