LAJMI I FUNDIT:

UNMIK-u i mban 1 milion euro në mënyrë të paligjshme

UNMIK-u i mban 1 milion euro në mënyrë të paligjshme

Aeroporti i Prishtinës nuk i ka marrë asnjëherë, një milion euro që kompania Air Bp e cila furnizon këtë kompani me kerozinë ka paguar për shfrytëzimin e infrastrukturës së aeroportit, shkruan e përditshmja Koha Ditore. Shuma prej 1 milion eurove mbahet në llogaritë e UNMIK-ut.

Sipas kësaj gazete, zyrtarët e ANP nuk kanë pasur qasje asnjëherë në këtë llogari edhe pse këto para janë kërkuar për kohë të gjatë nga zyrtarët e aeroportit.

“Në cilësinë e drejtorit financiar kam kërkuar nga bordi i kaluar dhe AKM-ja që të më lejojë të regjistrojë në kontabilitet të ANP-së këtë shumë dhe kjo më është lejuar,madje është kundërshtuar ashpër nga zyra e auditimit të AKM-së si çështje që nuk i përket aeroportit”,- ka deklaruar drejtori financiar i ANP, Nexhat Krasniqi.

Sipas tij, aeroporti edhe pse e ka lejuar kompaninë Air Bp të shfrytëzojë asetet e kompanisë nuk ka marrë asnjë cent nga ajo.


“Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet tani me qeverinë dhe bordin e ri që është formuar”, ka thënë më tutje Krasniqi.