LAJMI I FUNDIT:

Universiteti i Qeverisë

Në Kosovë publikja në kuptimin institucional ekziston vetëm formalisht, ngase praktikisht ajo është privatizuar nga pushtetarët. Institucioni më i lartë i arsimit publik në vendin tonë është fakti më i shpërfaqur i degjenerimit të institucioneve publike, si pasojë e ndikimeve politike.

Zgjedhja e rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës, që më shumë ishte emërim politik i tij në këtë detyrë, është tregues i shkatërrimit të shtetit nga ata që do të duhej ta mbronin dhe zhvillonin atë.
Procesi i “zgjedhjes” se rektorit, Ibrahim Gashit në krye të UP-së, ishte tërësisht i orkestruar nga Qeveria e jonë.


Pak javë para se të “zgjedhet” rektor, Gashi kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet që mbante në parti dhe në Qeveri. Nuk ka dyshim që dorëheqja e tij u bë pasi që ai e dinte fare mirë që do të bëhej rektori i UP-së, pavarësisht kritereve që kërkon kjo pozitë e rëndësishme e UP-së. Kandidatët e tjerë që ishin në këtë proces janë diskriminuar në mënyrën më eklatante, me arsyetimin se ishin më të dobët dhe iu mungonte dokumentacioni i plotë. Kandidatët që përfaqësonin integritet të lartë moral e profesional janë përjashtuar nga gjasat e barabarta për punësim dhe e drejta universale për punë.

Pozita e rektorit të UP-së doli të ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet partive që janë në koalicionin qeverisës. Partitë që qeverisin nuk i ndajnë vetëm dikasteret qeveritare, por edhe pozitat drejtuese të institucioneve publike, duke mos e kursyer as UP-në. Këshilli Drejtues i UP-së, i cili e votoi Gashin me unanimitet të plotë, përbëhet nga anëtarë që kanë lidhje shumë të afërta me qeveritarët. Duke qenë kështu, të gjithë drejtuesit e UP-së ishin të politizuar dhe rrjedhimisht edhe të inkriminuar në aktivitete të jashtëligjshme. Nuk janë të rralla rastet kur mediat raportojnë për afera të ndryshme korruptive të udhëheqësve të lartë të UP-së. Pavarësisht kësaj, organet e drejtësisë nuk kanë bërë asgjë konkrete për t’i hetuar seriozisht këto raste.

Universiteti i Prishtinës nën drejtimin e ish-rektorit Mujë Rugova dhe paraardhësve të tij është katandisur si mos me keq. Cilësia e studimeve është dukshëm më e ulët, nëse e krahasojmë me periudhën e paraluftës. Dihet që në UP mund të regjistrohesh dhe të diplomohesh nëse ke lidhje të forta me qeveritarët, pa pasur njohuritë e kërkuara me kriteret universitare. Përderisa ka favorizime për njerëzit e fuqishëm, për studentët e rëndomtë ka shumë diskriminime.

Studentët, përveç vështirësive financiare, ballafaqohen më shumë padrejtësi nga menaxhmenti UP-së. Studentët maltretohen në forma të ndryshme që nga shërbimet administrative e deri te papërgjegjshmëria e profesorëve në ligjërata dhe provime. Të gjitha këto kanë bërë që UP-ja të tjetërsohet nga një institucion i edukimit dhe i arsimimit në një institucion tregtar.

Ibrahim Gashi që u bë rektor i UP-së me ndikimin direkt të qeveritarëve në Këshillin Drejtues të Universitetit, do të jetë në shërbim të interesave të tyre të jashtëligjshme. Ky rektor do të thellojë kontrollin e qeveritarëve në UP. Me rritjen e ndikimit të qeveritarëve në UP, padyshim që do të rriten të gjitha dukuritë negative në këtë universitet. Me një arsim pa cilësi, potencialisht do të jemi të prapambetur në çdo aspekt. Mbase qeveritarët tanë nuk duan që shoqëria e jonë të jetë e arsimuar në shkallë të gjerë. Pushteteve të padrejta ju konvenon një shoqëri e paarsimuar, sepse vetëm kështu keqqeverisjet e tyre mund të jetë jetëgjatë.

Për problemet e mëdha në UP po vazhdojnë që të heshtin organizatat e shumta studentore. Organizatat studentore, sikurse mekanizmat tjerë në UP, janë nën ndikimin e qeveritarëve. Kjo është arsyeja që këto organizata pothuajse asnjëherë nuk e ngrenë zërin kundër padrejtësive të shumta në UP. Misioni i organizatave studentore do të duhej të ishte organizimi i pakënaqësisë së studentëve, e jo amortizimi i pakënaqësisë se tyre. Përjashtim bën vetëm Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”.

Në vendet demokratike studentët jo vetëm që reagojnë kur shkelën të drejtat e tyre, por edhe kur shkelën të drejtat e qytetarëve në përgjithësi.

Universiteti i Prishtinës duhet të çlirohet nga çfarëdo ndikimi politik, në mënyrë që të jetë në funksion të dijës dhe shkencës. Por, kjo nuk mund të bëhet pa e pasur një qeveri saktësisht të kundërt nga ajo që e kemi tani.