LAJMI I FUNDIT:

Udhëtari i 1 milionët kaloi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Udhëtari i 1 milionët kaloi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Qytetari Mehmet Avdyli nga fshati Molliq - komuna e Gjakovës ishte udhëtari i 1 milionët që kaloi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës rreth orës 12:40 me ç’rast për të është organizuar një ceremoni nga menaxhmenti dhe punëtorët e kompanisë.

Si shenjë simbolike, nga ana e Drejtorit Menaxhues të kompanisë, Agron Mustafa, atij i është dorëzuar një çertifikatë falënderimi dhe një biletë vajtje- ardhje për secilin destinacion që ai zgjedh për të udhëtuar deri në përfundim të vitit të ardhshëm.

Udhëtari Mehmet Avdyli, udhëtonte me kompaninë “Germanwings”, për në destinacionin e Shtutgardit.

“Numri prej 1 milion udhëtarëve është një prej synimeve që kam dashur të arrijë që kur e kam marrë detyrën prej 7 muajsh në pozitën e Drejtori Menaxhues të ANP, së bashku me synime tjera të mëdha si Çertifikimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës nga ana e Islandës, të cilin e realizuam para disa javësh dhe shumë synime të tjera. Përgëzoj udhëtarin e 1 milionët z. Mehmet Avdyli dhe i uroj gjithë të mirat dhe suksese në të ardhmen”, tha Mustafa.


Nga ana tjetër, z. Mehmet Avdyli, tha se ndjehet shumë i emocionuar dhe e konsideron veten me fat që ka qëlluar të jetë udhëtari i 1 milionët.

“Jam tej mase i gëzuar që më ra fati të jem udhëtari i 1 milionët dhe njëherit i pari që shënoj këtë shifër në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kur më ndaluan dy stjuardesat pata frikë sepse nuk e dija arsyen e ndalesës. Shokut tim i thanë që mund të vazhdojë ndërsa mua pa asnjë shpjegim më thanë që të ndaloja. Por tani që mu dha çmimi ju falenderoj dhe i dëshiroj aeroportit suksese edhe më të mëdha në të ardhmen ”, tha Avdyli.

Deri në mbyllje të vitit, sipas numrit të fluturimeve, parashikohet që numri i udhëtarëve t’i ofrohet shifrës prej 1.2 milion udhëtarësh.

Vitin e kaluar nëpër ANP, kanë kaluar 990 mijë udhëtarë komercialë. /Telegrafi/