LAJMI I FUNDIT:

U promovua libri “Masakra e Suharekës mars 1999”

U promovua libri “Masakra e Suharekës mars 1999”

Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë u promovua libri “Masakra e Suharekës mars-1999” e autorit Fahri Musliu. Libri përmbledh dëshmi të procesit gjyqësor si dhe dokumente e fotografi mbi masakrën e Suharekës. Ky libër është botuar edhe në gjuhën serbe.

Plot 15 muaj i janë dashur autorit Fahir Musliu për të dokumentuar në rreth 1 mijë faqe faktet, proceset gjyqësore si dhe dëshmitë e të mbijetuarve rreth krimit që ndodhi 11 vjet më parë në Suharekë. Profesorët Bajram Berisha e Ismet Salihu, këtë libër e cilësuan si të rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës, dhe në veçanti për historinë e vendit. Për profesorin Agim Zogaj, libri është një ftesë për strukturat e drejtësisë se kriminelët duhet dënuar.

“Libri është thirrje që të ndëshkohen të gjithë kriminelët serbë të luftës, pa përjashtim regjimet serbe të të gjitha kohërave. Libri është dokument i dëshmive arkivore i cili do t’u shërbej brezave të sotëm veçmas atyre të nesërm që të shohin se cila ishte rruga e përgjakshme e lirisë sonë, e synimit tonë dhe të ardhmes evropiane” , tha Zogaj.

Autori Fahri Musliu e ka pasur të vështirë të flasë para familjarëve të viktimave. Ai megjithatë tha se botimin e librit e ka ndier obligim profesional, moral e human.


“Pse është e veçanta- ka ndodh në një lokalitet të vogël, ka ndodh nga fqinjët që i përkasin nacionalitetit serb, është bërë në mënyrën më barbare, ka qenë një lojë e lugetërve që logjika e njeriut nuk mund ta paramendoj . Kam dashur që të gjitha ato dëshmi për këtë krim që me të drejtë quhet masakër ta përjetësoj dhe të mos harrohet kurrë, por jo edhe që të hakmerremi për gjëra të tilla”, tha Musliu.

“ Masakra e Suharekës mars 1999” është libri i shtatë i Fahri Musliut . Musliu punon si korrespodent i RTK-së nga Beogradi, dhe njëherësh është edhe bashkëpunëtor i rregullt i BBC-së . /rtk/