LAJMI I FUNDIT:

Turpërohet se është shqiptar

Dhënia e gjakut prej një organizmi në tjetrin quhet transfuzion i gjakut. Ju që e lexuat këtë fjali menduat se do t’ju mbaj leksion nga lënda e biologjisë. Jo. Ka disa njerëz që edhe në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore kanë nevojë për transfuzion gjaku. Ata nuk janë vetëm njerëzit e ditëve të sotme, por të tillët kanë pasë nevojë për një gjë të tillë kohë më parë. Fjala është për disa sportistë shqiptarë që, për arsyet që vetëm ata i dinë, ia kanë kthyer shpinën atdheut të tyre –Shqipërisë – duke kaluar përtej kufirit, për të arritur në “tokën e premtuar” të tyre: në Greqinë antike, në shtetin që urren për një kohë të gjatë gjithë atë që është shqiptare.

Ishte kohë më parë peshngritësi Luan Shanbani, i cili përdhosi flamurin e tij, atë kuqezi, ndërsa vendosi mbi shpatullat e tij flamurin grek, duke e ndier veten krenar që tashmë nuk është shqiptar (pasi edhe emri tij i tashëm, Leonidas Sabanis, nuk tingëllon shqip). Duket se ai, si “dallëndyshe e parë” (mund të ketë ndonjë edhe para tij) nuk do të jetë i vetëm.


Hapave të tij janë duke shkuar edhe shumë sportistë shqiptarë që tashmë nuk e ndiejnë veten të tillë. Ata që duket se po i arrijnë majat e futbollit, kanë vendosur të bëjnë mrekullinë për t’u bërë grek! E grek nuk është vështirë të bëhesh nëse nuk e ndjen veten se nuk je shqiptar, apo e ndjen veten njëlloj shqiptari, siç ka dhe mund të ketë përtej kufirit me Greqinë.

Kohëve të fundit, si “meteor” ka filluar të shndris një “grek” i ri, por që për fatin e tij të keq që para 25 vjetësh kishte lindur në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë (atje ku përveç ambasadorëve dhe familjeve të tyre, të gjithë janë shqiptarë). Në këtë qytet ka lindur edhe greku i ri, por që ishte shqiptar për 25 vjet deri më tash: shqiptari Gjergji Kone e greku Panagiotis Giorgios Kone. Ai madje e urren veten pse “tragjikisht” kishte lindur shqiptar. Këtë ai nuk e ka thënë vet, por lë të kuptohet një gjë e tillë, pasi ishte Greqia ajo që e ka shpëtuar babanë e tij biolog, i cili, sigurisht për shkaqe ekonomike, kishte migruar në shtetin fqinj. Por, jam shumë i sigurt se babai biologjik nuk ia ka shpjeguar birit të tij se ka mundësi të bëhet grek edhe me gjak. Kjo për faktin se babai i tij, më shumë se askush tjetër, e di se çka është transfuzioni i gjakut. Por, edhe për një gjë jam shumë i sigurt, se askush nga grekët nuk do t’ia ofrojë Kones gjakun e tij, pasi ata do të thonë: grek lind, grek nuk mund të bëhesh.

Nuk je i vetëm ti Gjergj (sa emër të mirë që ke, emrin e të madhit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut). Ke të të njëjtit mendim dhe veprim edhe Sotir Ninin, i cili tashmë si grek që është ka ndërruar edhe emrin. E, për ta ndërruar emrin e për ta bërë atë grek është fare lehtë: futi disa shkronja “s” në emër dhe mbiemër dhe ja, bëhesh grek! Ka edhe sportistë të tjerë nga shqiptarët që kanë marrë shtetësinë e huaj, si atë zvicerane, gjermane apo edhe ndonjë shtetësi tjetër, por asnjërit (me disa përjashtime të vogla) nuk i vjen turp që janë shqiptarë, siç u vjen turp Panagiotis Giorgios Kones dhe Sotiris Ninisit.

Përderisa sportistët shqiptarë e shohin dhe dëgjojnë me emocione të papërshkruara thirrjen e tifozëve Kuq e Zi “O sa mirë me qenë shqiptar”, si e ndjejnë veten këta dy futbollistë, po të lexonin dhe dëgjonin thirrjen e tifozëve grek: “O sa mirë me qenë grek”?!