LAJMI I FUNDIT:

“Trepça” nis me përpunimin e metaleve (Video)

“Trepça” nis me përpunimin e metaleve (Video)

Është ora 09:30. Vagonët po presin të marrin një rrugë që nuk e kanë përshkuar për një kohë të gjatë. Ndërkohë, një punëtor i hekurudhave po përkujdeset nëse çdo gjë është në rregull dhe nëse vagonët janë teknikisht në gjendje për tu bashkuar me lokomotivën.

Pasi u bënë të gjitha përgatitjet, 176.750 kilogramë me acid sulfurik teknik pritet të nisën drejt Parkut Industrial të Trepçës në Mitrovicë, ngjarje kjo që ndodh 16 vite pas periudhës së pasluftës.

Vërshëllima e nisjes së këtij treni paralajmëroi nisjen e pritur për 16 vite të ngarkesave me lëndë të parë drejt Trepçës, nëpërmjet hekurudhës. Kjo po bëhet falë bashkëpunimit midis operatorit ekonomik CMC Ekocon, Hekurudhave të Kosovës dhe departamentit të industrisë kimike në kuadër të Trepçës.


Pas dy orë rrugëtimi, ngarkesa arrin në Trepçë, e këtu e presin punëtorët e Industrisë Kimike që me pajisje mbrojtëse janë bërë gati për shkarkim. Me ta ka dalë edhe zv.menaxheri i kësaj miniere i cili përmend edhe pengesat aktuale të ndërmarrjes.

“Me transportimin e këtyre lëndëve të para kjo na jep mundësinë të kemi furnizime edhe më të lira. Për momentin Trepça është në një krizë për shkak të mos paisjes me licencë, por mendoj që nga dita e sotme punët po shkojnë për së mbari, pasi jemi furnizuar me një sasi të eksplozivit, por edhe ka filluar bartja e koncentratit të plumbit. Këto janë sinjale që Trepça po i kthehet të mbarës”, ka thënë Miftar Hyseni.

Dikush që punoi me shumë zell që të realizohet ky transport hekurudhor, zotohet se dinamika e punës do të dyfishohet. Ramadan S. Uka, Drejtor i Divizionit të Industrisë Kimike, falënderon hekurudhat për efikasitetin e treguar. E, i kënaqur shfaqet edhe përfaqësuesi i kompanisë CMC Ekocon, që e siguroi ngarkesën në Bullgari dhe e riaftësoi hekurudhën në parkun industrial. /Klan Kosova/