LAJMI I FUNDIT:

Tre banka kontrollojnë paratë e kosovarëve, fituan 34 milion euro

Tre banka kontrollojnë paratë e kosovarëve, fituan 34 milion euro

Sektori bankar i Kosovës mbetet shumë i koncentruar dhe vetëm tre banka kontrollojnë pothuajse shumicën e parave të qytetarëve dhe institucioneve kosovare. Këto banka janë “Procredit Bank”, “Raiffeisen Bank” dhe "NLB Banka- Prishtina".Banka Qendrore e Kosovës ka theksuar për herë të parë se këto banka mund të kenë vendosur monopol sidomos pë sa i përket normave të interesit për kreditë bankare.

“Kjo është treguar nëpërmjet pjesëmarrjes në treg të tre bankave më të mëdha , të cilat përbëjnë 83.3% të tërësisë së mjeteve të sektorit bankar në vitin 2007. Koncentrimi i lartë në sektorin bankar është treguar gjithashtu nëpërmjet Indeksit Herfindahl-Hirschman (IHH). Norma e koncentrimit në sektorin bankar të Kosovës është rritur që nga viti 2004. Për shkak të shkallës së lartë të koncentrimit, bankat e mëdha mund të kenë ushtruar fuqi monopol, e cila deri në një masë mund të rezultojë në norma më të larta mbi kreditë”, thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës.

Paratë në sektorin bankar arritën në 2007 vlerën prej 1.4 miliard euro në vitin 2007, që është një rritje prej 23.5% krahasuar me vitin 2006. Nga tërësia e kredive të lëshuar nga sektori bankar, 22.5% janë pranuar nga ekonomitë familjare, një pjesëmarrje që ka qenë konstante gjatë kohës.

Megjithatë, pjesëmarrja e huadhënies së ekonomive familjare ndaj kredive totale të sektorit bankar në Kosovë është më e ulët se në shtetet e tjera në rajon, ku pjesëmarrja mesatare e kredive të ekonomive shtëpiake ndaj tërësisë së kredive qëndroi në 41.9% në vitin 2006.


“ Shkalla e ulët e kredive ndaj ekonomive shtëpiake është kryesisht si pasojë e normës së lartë të papunësisë dhe pagave të ulëta. Veç kësaj, shkalla e lartë e papunësisë së paregjistruar mund të paraqesë një faktor dekurajues për huadhëniet ndaj ekonomive shtëpiake, sepse mbron huamarrësit potencialë nga përmbushja e një ndër kushteve kryesore për marrje të kredisë, e cila është marrja e të ardhurave nëpërmjet sektorit bankar”, thekson raporti.

Pjesa më e madhe e kredive të sektorit bankar i është lëshuar KJF-ve, të cilët kanë absorbuar 77.5% të tërësisë së kredive. Struktura e kredive të KJF-ve mbetet e qëndrueshme, ku sektorit tregtar i është dhënë pjesa më e madhe e kredive, të cilat janë llogaritur për 58.5% të tërësisë së kredive të lëshuara për KJF-të.

“Kjo pasqyron mbështetjen e madhe të ekonomisë së Kosovës ndaj tregtisë. Pjesa e kredive të lëshuara për sektorin e bujqësisë qëndroi në 3.9% të tërësisë së kredive të KJF-ve, e cila është për 0.5 pp më e madhe se në vitin 2006. Kurse kreditë e lëshuara për sektorin e prodhimtarisë regjistruan një rënie prej 90 pikë bazë në krahasim me vitin paraprak. Kreditë ndaj sektorit të minimit dhe ndërtimit nuk pësuan asnjë ndryshim të rëndësishëm, duke qëndruar në 0.1% përkatësisht 0.7% të tërësisë së kredive”.

Edhe për sa i përket fitimeve ,bankat në Kosovë kanë gjeneruar një fitim të konsiderushëm, pasi sektori bankar i Kosovës përmbylli vitin 2007 me neto fitimin prej 33.8 milionë eurosh.

“Fitimi i realizuar në vitin 2007 paraqet një rritje vjetore prej 67.7%, e cila është kryesisht për shkak të të hyrave të sektorit bankar, të cilat janë rritur më shpejt se sa shpenzimet. Fitimi i lartë dhe i qëndrueshëm gjenerohet kryesisht nga rritja e vazhdueshme e aktiviteteve të huadhënies dhe përhapjes së normave të larta të interesit që qëndron në sektorin bankar të Kosovës. Viti 2007 ishte fitimprurës për të gjitha bankat në Kosovë, përveç një banke, e cila përmbylli vitin me një humbje mesatare. Fitimi i pranuar nga sektori bankar gjatë vitit 2007 arriti vlerën prej 157.4 milionë euro, e cila është për 38.1% më e lartë se në vitin 2006”. /Telegrafi/