LAJMI I FUNDIT:

Thashethemet për rrugën e shpirtrave

Po flitet, madje publikisht, se Nëna Terezë paska shkuar në ferr! Liria e fjalës publike, ka bërë që pohime të tilla të bëhen, pa lëvizur qerpikun, edhe në qendra të rëndësishme europiane nga klerikë kosovarë. Pohime të tilla i përsërisin edhe në TV nacionale. Personalisht besoj se këto janë veç thashetheme, të një interpretuesi të fesë, i cili drejton xhaminë më në zë në këtë vend dhe i cili me deklaratat e veta i ka qitë në siklet jo vetëm zyrtarët e BIK-ut. Pikërisht atë xhami ku mori avdesin e pare publik edhe kryeministri i vendit, i cili nën presionin e turbulencave brenda dhe jashtëparlamentare, nën presionin e numrave dhe interesave, si duket ka filluar të luhatet edhe në orientimin e tij properëndimorë.

Nëse tashmë jeni duke qeshur me këtë, nuk keni faj. Do të ishte qesharake po të mos ishte e vërtetë. Dhe krejt kjo, duket koincidence, joserioze, derisa nuk zgjohesh një mëngjes dhe e blen gazetën. Fillon me e përzije kafenë dhe kur e sheh që edhe ministri i Kulturës ka alergji ndaj fotografisë së Nënës Terezë. Fillon të hezitosh edhe lidhur me kafenë. A mos ndoshta e pengon ndokënd nëse pi kafe, në shtëpinë time. Kafeja, në fakt vije nga Brazili dhe fillon të mendosh se çfarë feje kanë ata. Mos të flasim për pije dhe shurupe tjera.


Edhe fotoja e Ibrahim Rugovës kishte ngjallë alergji te zyrtari i ri. Fotografia e tij u gërrye nga muri i ministrisë. Nejse, pas reagimit të mediumeve, fotografitë u kthyen në vendin e vet, dhe krejt kjo mori formën e një keqkuptimi publik. Shkrimi im, pra mund të duket si mend pas kuvendit. Apo nuk është ashtu ?

Nëna jonë Terezë, e shenjtëruar për kontributin e sajë të jashtëzakonshëm për njerëzit e varfër, derisa ishte gjallë, pati një rrugë jetësore prej Shkupit deri në Kalkutë, gjatë të cilës i rastisi të takojë burrështetasit kryesorë botërorë dhe të marr edhe çmimin Nobel, për kontributin e saj si humaniste dhe si një besimtare e madhe në dashurinë e krijuesit ndaj njeriut pa dallim race, kombi apo vetie tjetër.

E në çka besojnë zyrtarët dhe predikuesit, gjithsesi është çështje e lirisë së tyre të besimit. Por çështja filozofike se ku kufizohet liria jonë, nëse jo me lirinë e tjetrit, këtu fillon t’i merr përmasat e një dileme të përditshme në një vend ku bashkëjetojnë disa komunitete fetare dhe etnike. Apo edhe kjo është një temë krejtësisht akademike?

E në Maqedoni, qeveria me mjete të buxhetit e ndërtoi një shtëpi memoriale për Nënën Tereze, ku është kujdesur shumë që askund të mos figurojë prejardhja e saj shqiptare. Intelektual, organizata joqeveritare dhe shumë personalitete tjera shqiptare u ndien të ofenduar me këtë veprim dhe u kujdesën që në deklarimet e tyre të shprehin krenarinë që një bashkëkombëse e tyre të ketë lënë pas vetes një përkushtim aq të madh për njerëzit në nevojë, anembanë globit.

Derisa dilemat për origjinën e saj plasohen me qëllime pak a shumë të kuptueshme, sepse duan të identifikohen me punën e madhe të kësaj nëne të shenjët, madje pse jo edhe të përvetësojnë diçka nga nami i shenjtores tonë, kohëve të fundit nëpër fjalime publike ka edhe dilema se ku të ketë mbërritur shpirti i saj i shenjët. Thashethemja publike, që tashmë disa here e plason në publik një klerik i yni lokal, është se shpirti i saj duhet të ketë shkuar në ferr. Sepse, arsye e mjaftueshme qenka se ajo nuk paska qenë myslimane. Dhe të gjithë jomyslimanët e paskan vetëm një fat. Kot mund të bëjnë punë të mira, vepra të mira, sepse përgjigjja e krijuesit për ta qenka, vetëm një: ferri.

Pa u ndalur vetëm në interesin publik dhe politik se si ndikon kjo blasfemi publike në prezantimin e shqiptarëve, Kosovës dhe qytetarëve të saj në botë, një pyetje akademike mbase, shtrohet krejt natyrshëm pas kësaj paraqitjeje publike: Kah po shkon Kosova? Apo më mirë me thanë, kah po e çojnë Kosovën, e cila me filozofinë e saj politike dhe me luftën e saj për çlirim kishte arritur ta bindë botën se është një vend që ka krijuar një bazament demokratik dhe një qasje integruese në proceset euro-atlantike.

Kah po shkon pra Kosova? Kah dashuria apo kah urrejtja? Kah dora e zgjatur e ndihmës apo kah militantizmi politik e fetar? Kah paqja e zhvillimi apo kah konfliktet e pafund politike, fetare, ideologjike? Thashethemet e madhe publike përflet kompromiset e koalicionit të ri qeveritar të cilat prekin drejtpërdrejt në orientimin perëndimor të civilizimit shqiptarë dhe shtetit të ri të Kosovës. A janë veç thashetheme, apo duhet shikuar mos vargu i rastësive po e qet në sipërfaqe një frymë tjetër e cila do të na fusë në vorbullën e konflikteve të cilat i tejkalojnë përmasat e interesave të civilizimit tonë, të ndodhur pa fajin e vet në mes të kulturave dhe konflikteve të mëdha dhe të moçme? Shpresoj që krejt kjo të jetë veç një keqkuptim!

Shpresoj se nëse dikush e ka menduar të jetë pararoja militante e fesë së vet në portën e kontinentit të vjetër, duhet të ketë kuptuar që përballë vetes do të ketë vëllezërit dhe bashkëqytetarët e vet të besimit tjetër. Krejt kjo po fillon gati si me shaka, duke u marrë me thashetheme për rrugën e paragjykuar të shpirtrave. Në fillim përqeshen dhe synohen të rrënohen simbolet, dhe sillen rite dhe simbole tjera. Pastaj ndalesat private do të synohet të bahen publike. Edhe kushtetuta do të jetë e tepërt. Krejt kjo përpjekje për import kulturorë po ndodhë në kohën kur vendi i origjinës po tronditet nën valët e reformave dhe modernizimit të jetës së tyre, dhe të rënies se diktatorëve, e tiranëve mesjetarë, mbase të fundit në glob. Kur qytetarët e këtyre vendeve janë përfshirë në valët revolucionare të modernizimit të jetës së tyre.