LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Kosova, vend ideal për investime

Thaçi: Kosova, vend ideal për investime

Në ditën e dytë të Forumit të Krans Montanës, kryeministri Hashim Thaçi ka mbajtur një referencë, ku ndër të tjera ka spikatur zhvillimin ekonomik dhe potencialin që disponon Kosova.

"Kosova tashmë ka vënë bazat e shëndosha të një ekonomie të hapur të tregut dhe ka krijuar infrastrukturën adekuate ligjore, e cila mundëson investime serioze dhe rritje ekonomike. Prandaj, të gjithë investitorët duhet ta konsiderojnë Kosovën një vend ideal për investime në sektorë të ndryshëm, e sidomos në sektorin e energjisë, minierave, infrastrukturës, bujqësisë etj", ka thënë ai.

Ndër prioritete të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Thaçi ka theksuar anëtarësimin e saj në institucionet financiare ndërkombëtare, gjë e cila, sipas tij, do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm.

"E ardhmja e Kosovës tashmë është e sigurt anëtarësimi në BE dhe NATO, do t’i sjellë Kosovës më shumë paqe, stabilitet, rritje ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët e saj", ka thënë Thaçi.


Kryeministri Thaçi po ashtu ka falënderuar të gjitha ato shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe u bëri apel edhe përfaqësueseve të shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse si u shpreh, një gjë e tillë është në interes të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon dhe me gjerë.