LAJMI I FUNDIT:

Televizioni dhe fuqia e fotografisë

“Shpërthim i fuqishëm bombe në Liban”, “Akt terrorizmi në Ramallah”, “Dhunohet 12-vjeçarja në Pejë”; këto akte të dhunës nuk janë ngjarje të zakonshme, ato janë lajme. Mediat parapëlqejnë veçanërisht ndodhitë spektakolare. Paqja dhe investimi në sistemin politik demokratik “nuk janë ngjarje” dhe për këtë arsye ato e kanë vështirë të gjejnë publicitetin dhe hapësirën e nevojshme (lexo “e domosdoshme”) mediale. Nëse shpërthen një mortajë dhe aty vdesin shtatë njerëz, atëherë ky është një material “me vlerë” për mediat. Nëse në një vend të pasluftës, ku jetojnë miliona njerëz “multietnikë”, me gjithë tolerancën dhe faljen që bën një popull ndaj pakicës tjetër për ndërtimin e paqes, kjo për disa media masive “nuk është ndonjë ngjarje e madhe”, as që ka ndonjë “vlerë” si lajm i mediave. Pse ndodh kështu?

Fotografitë dhe realiteti


Etja e mediave, në veçanti e televizionit, për fotografi, pra për “pamje spektakulare”, është shprehi dhe dukuri absolute. Ngjarja nuk ka rëndësinë e duhur, nëse kjo nuk shoqërohet nga “fotografia”. Ndodhia spektakular qëndron në paraskenë, e vërteta zhytet turpërisht poshtë. Në lidhje me këtë producenti televiziv, amerikani Dani Schechter, thotë: “Gjithçka që shohim ne, është vetëm ajo çka xhirohet nga kamerat televizive. E vërteta” është ajo që servohet nga mediat. Shumë shtëpi të njohura mediale kanë për bazë këtë model informimi: në çdo kohë, në çdo vend nga një fotografi. Të kuptuarit e lajmit nuk është aq me rëndësi. Të jesh i pranishëm, të jesh aty, është alfa dhe omega e çdo gjëje.

Nuk është befasi pse ndodh diçka e tillë, sepse për shumë pronarë të mediave opinioni publik është thjesht “kokëkrisur“ dhe “i paditur”. Ndodh shpesh që redaktorët të refuzojnë informatat, të cilat nuk e paraqesin dhe nuk e pasqyrojnë thjesht dhe pa komplikime botën. Sipas tyre, informatat e komplikuara kuptohen me vështirësi nga opinioni. Lufta, si vazhdim i politikës me mjete të tjera, është “thjeshtëzuesi” më i madh që bëhet prej tyre.

Disa media i thjeshtëzojnë tensionet shumëngjyrëshe të shoqërisë dhe i orientojnë ato në një vijë të vetme – në vijën e konfliktit. Këto media çdo gjë e shohin me një sy, përgjithësojnë dhe ngatërrojnë viktimën me fajtorin, agresorin me mbrojtësin, heroin me tradhtarin, luftën çlirimtare me luftën pushtuese. Si flamurtare të luftës konsiderohen edhe mediat vetë. Në mediat lufta personifikohet, legjitimohet dhe çlegjitimohet. Me thellimin e krizave ekonomike dhe atyre sociale thellohen edhe krizat mediale. Sa më shumë që humbet identiteti personal, aq më shumë shtohen kërkesat e opinionit publik për informim të thjeshtë dhe jo objektiv nga mediat. Gazetarët, të cilët punojnë në baza shkencore dhe profesionale, pakësohen, hapësira financiare sa vjen e ngushtohet.

Në këtë shoqëri “të sëmurë ekonomikisht” vështirë se mund të gjendet ndonjë gazetar a gazetare me profesion të përhershëm raportues, të cilët do të ishin në gjendje të informonin opinionin në mënyrë profesionale dhe objektive. Mungesa e dijes thelbësore, shkencore, si dhe mungesa e faktorit kohë për ripërpunimin e materialit, orienton e çon drejt një informimi sipërfaqësor, jocilësor dhe, jo rrallë, kjo çon në falsifikimin dhe shtrembërimin e informatës, reportazhit apo lajmit.

Sa janë të besueshme mediat tona për mediat perëndimore?

Edhe pse në Kosovë ekziston një numër i madh gazetash të pavarura, revista, radiostacione dhe stacione televizive, pra një laramani mediale, këto vështirë mund të citohen për ndonjë lajm a ndodhi vendase nga ndonjë shtëpi mediale perëndimore. Rrallë, shumë rrallë, kemi ndonjë artikull apo ndonjë reportazh radioteleviziv që citohet nga mediat perëndimore sot. Diçka e tillë, edhe sikur të zinte vend vetëm për 20 sekonda në ndonjë medium masiv perëndimor (e kam fjalën për ndonjë ndodhi, koment a lajm të marrë burimisht nga mediat vendore), do të ishte një befasi e këndshme. Kështu zhduket një pjesë e realitetit, në këtë rast ndodh zhdukja e realitetit medial vendas.

Sipas Chomskyt, mediat në të shumtën e rasteve janë rrogëtare të qeverisë dhe të bizneseve të fuqishme. Këto, detyrimisht, në reportazhe ndjekin më tepër klishenë e tyre sesa realitetin social e politik të një vendi. Në njëfarë mënyre, raportimi dhe analiza e tyre përkrahin privilegjet e tyre të etabluara. Këto media përkufizojnë debatet dhe shumëllojshmërinë e ideve. Përmbajtja e tyre mund të emërohet si propagandë.

Mediat e huaja në reportazhet e tyre ndjekin më tepër klishetë që atyre u vijnë përshtat sesa realitetin e vendit. Sot kemi një shpërthim të shfaqjes së hapur të simpatisë mediale perëndimore kundrejt Serbisë, me qindra lajme e reportazhe, me qindra artikuj e fjalë mirëdashëse për qeverinë e re “demokratike”. Fotografia e bandave serbe të Ballkanit, apo fotografia e së keqes përgjithësisht, dëshmohet më shumë nga padija dhe paragjykimet mediale sesa nga problemet dhe realiteti ekzistues. Shtrohet pyetja: A mos disa shtete dhe media perëndimore tentojnë të “shpëtojnë veten” dhe armatën e tyre nëpërmjet Kosovës. Detyra e mediave (aktualisht) është “ta shpëtojë veten”, duke shitur vetveten. Kështu njëra dorë pastron tjetrën. Njerëzit, për të cilët do të informohet, luajnë rol të dorës së dytë.

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerika
Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Evropa
BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

Lajme
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
Kalo në kategori