LAJMI I FUNDIT:

Telefonata e Trumpit për Putinin kërcënon sigurinë e Perëndimit me katastrofë

Telefonata e Trumpit për Putinin kërcënon sigurinë e Perëndimit me katastrofë
Ilustrimi: Christian Adams / The Daily Telegraph

Nga: Charles Moore / The Daily Telegraph (titulli: So much for the art of the deal. Trump’s Putin call threatens disaster for Western security)
Përkthimi: Telegrafi.com

A nuk supozohej që Donald Trumpi është njeri i rreptë? A nuk është ai mjeshtri i “artit të marrëveshjes”? Ky njeri mund të pretendojë se e ka gjunjëzuar Hamasin duke e kërcënuar me ferr. Edhe me fuqitë mike si Kanadaja, ai nuk ka ngurruar të përdorë forcën.

Atëherë, pse këtë javë, presidenti i 45-të dhe i 47-të i Shteteve të Bashkuara telefonoi Vladimir Putinin dhe i dha atij gjysmën e asaj që dëshiron – para se të fillonte ndonjë negociatë formale? Në vend që të vendoste parakushte, z. Trump dha paraprakisht lëshime.


Gabimi i parë – ose, nëse ishte i qëllimshëm, e para padrejtësi – ishte trajtimi i kësaj çështjeje si një marrëveshje mes dy krerëve të shteteve të përfshira. Vetëm pasi bisedoi për 90 minuta nga Shtëpia e Bardhë me Kremlinin, z. Trump denjoi të fliste me presidentin populli i të cilit po vritet nga Putini dhe vendi i të cilit është ende nën pushtim.

Dhe, kur presidenti Trump më në fund kontaktoi Volodymyr Zelenskyn, nuk e bëri këtë për ta përfshirë në negociata. Ai thjesht i raportoi pjesërisht çfarë kishin thënë dy burrat e mëdhenj. Tryeza e bisedimeve ende nuk është shtruar, por tashmë dihet se forma e saj do t’i përshtatet shtypësit dhe jo viktimës.

Gabimi i dytë i Trumpit ishte se, përmes Sekretarit të tij të Mbrojtjes, Peter Hegseth, hoqi disa nga kërkesat kyçe të Ukrainës nga tryeza ende e papërgatitur e bisedimeve.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte, sipas z. Hegseth, “një rezultat realist”. Ai e quajti një “qëllim iluzor” sugjerimin se Ukraina mund të rikthejë kufijtë që kishte para vitit 2014 – kufij të cilit Rusia dhe të gjitha palët e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, i garantuan në fund të shekullit XX.

Në çdo negociatë të duhur, këto pika mund të ishin përdorur si karta të mëdha për të bërë pazar. Z. Trump i bëri ato dhurata vullnetare për t’i vendosur para këmbëve të tiranit, pa marrë asgjë në këmbim.

Madje, z. Hegseth përsëriti insinuatat e Moskës se Ukraina nuk është një demokraci, sepse ligji ushtarak atje ndalon zgjedhjet. Në të vërtetë, ato po shtyhen, por vetëm për shkak të një lufte të nisur nga pala tjetër. Britania nuk mbajti zgjedhje të përgjithshme nga viti 1935 deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Por, a mendoi dikush se ndërkohë u bë një vend jodemokratik ndërsa luftonte Hitlerin?

Pas komenteve të Hegsethit, sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, John Healey, tha se detyra jonë është “të sigurojmë që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm, për të hyrë në çdo negociatë”. Dje, Keir Starmer e përforcoi këtë me të drejtë.

Meqë z. Trump dhe z. Hegseth sapo e kishin dobësuar thellësisht këtë pozicion, fjalët e z. Healey ishin një kritikë e justifikuar, sado e tërthortë.

Gabimi i tretë i presidentit Trump është më i gjerë. Ai ka pasur gjithmonë të drejtë, që nga viti 2016, kur u ka kërkuar anëtarëve evropianë të NATO-s të paguajnë hisen e tyre të duhur për mbrojtjen e Evropës. Dhe, ne evropianët – madje edhe Britania, ndonëse më mirë se shumica – kemi buzëqeshur në shenjë dakordësie dhe më pas e kemi lënë Dajën Sem të mbajë barrën më të madhe. Në këtë aspekt, ne e meritojmë ndëshkimin tonë.

Por, ajo që po bën tani z. Trump nuk ka të bëjë me para: ka të bëjë me tërësinë e sigurisë kolektive që, deri tri vjet më parë, kishte parandaluar një luftë të madhe evropiane që nga viti 1945.

Z. Trump po thotë se ai dhe Putini do t’i imponojnë Ukrainës një paqe në të cilën aleatët e tij të NATO-s nuk janë palë, dhe se më pas do t’i lënë ata ta ruajnë atë pa ndonjë garanci të mëtejshme amerikane nëse lufta rinis.

Këtu ka një mungesë të rrezikshme logjike: nëse Amerika nuk është më garantuesja e sigurisë evropiane, me ç’të drejtë përpiqet të imponojë një marrëveshje për Ukrainën apo NATO-n? Ai po e afirmon fuqinë e vet vetëm për t’u larguar menjëherë pas kësaj. Ç’rëndësi ka për Trumpin nëse Ukraina anëtarësohet në NATO, kur ai nënkupton se vendi i tij po del prej NATO-s?

Sipas nenit të famshëm 5 të Kartës së NATO-s, një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve. Kjo, teknikisht, nuk zbatohet këtu, pasi Ukraina nuk është në NATO. Por, siç vëren James Sherr, strategu amerikan në Qendrën Ndërkombëtare të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Talin, ekziston edhe neni 4. Ky nen kërkon që “Palët të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërit prej tyre, integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjë pale është e kërcënuar”.

Siguria e të gjithë anëtarëve evropianë të NATO-s është e kërcënuar nga pushtimi i Ukrainës nga Putini. Jo vetëm që destabilizon fqinjët si Polonia, Rumania dhe shtetet baltike. Ai gjithashtu trondit të gjithë aleancën, sepse Amerika duket se po thotë: “Jeni vetëm.”

Kjo është pikërisht ajo që dëshiron Putini, ndoshta edhe më shumë seç e dëshiron Ukrainën. Me tërheqjen amerikane, ai mund të bëhet dominues. Me zbehjen e mekanizmit të frenimit, ai do të ndiejë më shumë liri për të shfaqur fuqinë e armëve jostrategjike bërthamore të Rusisë. Madje, as Stalini nuk pati ndonjëherë kaq shumë pushtet.

Z. Hegseth kundërpërgjigjet se presidenti i tij është lideri i botës së lirë dhe mund të bëjë ç’të dojë vetë. Nëse ky është qëndrimi i z. Trump, ai humbet të drejtën për të vepruar në emër të NATO-s pasi po vepron prapa shpine. Së fundmi, ai ka thënë në lidhje me tarifat se “miqtë e Amerikës shpesh janë më të këqij se armiqtë e saj”.

Ka një farë të vërtete në këtë, por nëse e ndjek këtë logjikë deri në fund, për çështjet e mbrojtjes, atëherë Amerika nuk do të ketë më miq, ndërsa vendet si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut do të mbeten ende armiqtë e saj.

Putini tha këtë javë se vendet evropiane do të “fusin bishtin nën shalë” kur Trumpi urdhëron. Ndoshta kjo është ajo që presidenti Trump i ka thënë atij. Por, mund të mos ndodhë kështu.

Duke lënë mënjanë çështjet e parimeve, më habit fakti që mendja e mprehtë e biznesit e z. Trump nuk e ka lodhur mendjen për atë se, nëse nuk kemi më një garanci të sigurisë amerikane, nuk do të shohim më as nevojën për të blerë sasi të mëdha të pajisjeve amerikane.

Java e ardhshme duhet të shënojë fillimin e një shtytjeje të vendosur nga Britania për të inovuar shumë më tepër në industritë tona të mbrojtjes dhe për të marrë drejtimin në gjetjen e mënyrave jashtë BE-së për të ringjallur prodhimin e armëve në të gjithë Evropën.

Më habit gjithashtu që Trumpi nuk e sheh lidhjen mes qëndrimit të tij ndaj Kinës, fuqinë e së cilës ai dëshiron aq shumë ta sfidojë. Duhet ta shqetësojë fakti që Rusia ka qenë e gatshme të bëhet vasale e Kinës në këmbim të mposhtjes së Perëndimit. A nuk e di ai se vasalët u binden zotërinjve të vet? A nuk e kupton se çdo sukses rus e inkurajon më tej projektin e madh global të Kinës?

Kjo ka marrë formë të çuditshme fizike kur mijëra trupa nga Koreja e Veriut u shfaqën papritur për të luftuar dhe vdekur në fushëbetejat e Evropës qendrore – një sfidë e jashtëzakonshme, edhe pse gjysmë e çmendur, e Lindjes ndaj sigurisë kolektive të Perëndimit.

Në këtë pikë, duhet bërë kualifikimin e zakonshëm për Trumpin. Këtë javë nuk u arrit asnjë marrëveshje: gjërat mund të ndryshojnë nga një çast në tjetrin. Por, pamja e dy liderëve të fuqive të mëdha që pretendojnë në mënyrë të rreme autoritet të përbashkët për të vendosur fatin e kontinentit tonë është veçse një spektakël i shëmtuar.

Një peshë e tmerrshme bie tani mbi Ukrainën. Presidenti Zelensky është nën një presion të madh për t’u dukur “i arsyeshëm”. Por, ai nuk mund të pranojë përfundime nga të cilat është përjashtuar. Ukraina nuk është një gur shahu, por një vend me të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e vet. Ai do të duhet të jetë një çërçillian në atë që mund të jetë ora më e errët deri tani.

Vetëm atëherë Britania dhe fuqitë kontinentale mund të ngrihen për të përmbushur përgjegjësitë e veta. Ironia e madhe është se pikërisht dobësia e Donald Trumpit, dhe jo forca e tij aq e lëvduar, është ajo që ka vënë Perëndimin në rrezik kaq të madh. /Telegrafi/