LAJMI I FUNDIT:

Të votohet për kandidat apo për parti

Pasi jemi në prag fushate, mendja të shkon menjëherë te zgjedhjet lokale dhe mundësitë që do të i na ofrojnë ato për të zgjedhur. Duke lënë anash “lotët e ndonjë plaku, pasi na erdhi dita edhe neve t’i zgjedhim bijtë dhe bijat tona të na udhëheqin”, dhe nëse kemi vendosur të votojmë e jo eventualisht “të flemë” atë ditë – siç kërkonin disa përpara (të njëjtin tani kërkojnë votë) – pyetja që natyrshëm shtrohet është: për kë të votojmë.

Natyrisht këtë hall nuk e kanë “besnikët” e partive politike, të ashtuquajturit militantë, pasi ata e kanë ndarë mendjen moti. Është në të drejtën e tyre, pasi në demokraci njeriu ka të drejtë edhe të mos e mendojë fare se kë ta zgjedhë. Këtë dilemë nuk e kanë as grupet e interesit të lidhura ngushtë me partitë politike. Por, këtë dilemë e kanë të gjithë qytetarët që nuk jetojnë drejtpërdrejtë nga politika, por me votën e vet përpiqen dhe mund ta ndryshojnë politikën.


E dimë se me ligjin aktual mbi qeverisjen lokale në Kosovë, pushteti lokal është një lloj “sistemi presidencial në miniaturë”, pasi ekzekutivin komunal nuk mund ta shkarkojë Kuvendi komunal. Të shtojmë se një ndër dallimet kyçe ndërmjet sistemit parlamentar dhe presidencial nuk është vetëm mënyra e zgjedhjes dhe kompetencat që kanë ekzekutivi dhe Parlamenti (siç te ne keqkuptohet shpesh!), por pikërisht nga mënyra e shkarkimit të qeverisë, pra se kush e shkarkon atë, Parlamenti apo Presidenti.

Të kthehemi tani te ekzekutivi komunal të cilin e udhëheq kryetari i komunës. Kryetari i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe thamë se atë nuk mund ta shkarkojë Kuvendi komunal, d.m.th. nuk mund ta shkarkojnë partitë politike përbërëse të Kuvendit komunal. Meqenëse s’mund të shkarkohet nga Kuvendi, shkarkimi i tij është krejtësisht imun nga partitë dhe grupimet politike përbërëse të Kuvendit. Kjo do të thotë që ekzekutivi komunal (Qeveria komunale), si njëra nga shtyllat e pushtetit lokal, pavarësisht raporteve dhe obligimeve të ndërsjella që ka me kuvendin, pasi nuk mund të shkarkohet nga ai, mund të mbrohet nga invadimi total partiak. Pra, ligjet aktuale ia mundësojnë këtë mbrojtje qeverisë komunale. Ndërsa, e kundërta ndodhë me pushtetit qendror ku Kosova ka sistem parlamentar, e “një ndër dobësitë e sistemeve parlamentare është vënia në radhë të parë e partisë, e cila mund të degjenerojë në pushtetin e gjithlpranishëm të partive, në një klikë meskine, në një patronazh të paturpshëm, në një financim të harbuar partish, dhe në korrupsion që mbulohet nga partitë edhe pse kjo nuk është e pashmangshme” (Manfred Schmid, Teoritë e demokracisë).

Pra, të paktën pushteti lokal mund të mbrohet nga dobësitë që sjell invadimi total i të gjitha instancave të pushtetit nga partitë, pasi i shmanget praktikës së sistemit parlamentar të zgjedhjes dhe shkarkimit të ekzekutivit (emërimit dhe shkarkimit nga kuvendi komunal). Në kushtet tona të varfërisë, kjo është vlerë tejet e shtuar lirie dhe çlirim për postin e kryetarit në realizimin e vizionit të tij. Pasi, i jep atij mjaft liri kreative dhe përgjegjësi direkte për mirëfunksionimin e qeverisë komunale, pasi nuk i druhet shkarkimit nga partia e tij për mos ndjekje të urdhrave të partisë. E se çfarë urdhra kërkojnë ato prej tij, sapo u përmend më lart (tender, punësim, emërim/shkarkim drejtor shkollash, etj..). Të gjitha rastet e qeverisjes së mirë në Kosovë janë sporadike, dhe vijnë si pasojë e meritave individuale të kryetarëve të komunave si njerëz kompetent dhe dinjitoz para qytetarëve të tyre, e jo për meritë të partive nga ata vijnë.

Nga këto fakte del se, për interesa të qytetarëve, më e rëndësishme është se cili kandidat e fiton postin e kryetarit sesa cila parti. Madje, në kushtet tona (se jo në një ambient normal politik) as programet qeverisëse, nëse ato njëmendët ekzistojnë, nuk janë më të rëndësishme sesa vet kandidati. Sepse, është kandidati ai cili mund t’i zbatojë ose jo ato.

Andaj, hapi i parë drejt marrjes së vendimit për të votuar në zgjedhjet për pushtetin lokal mund të jetë vlerësimi së pari për kandidatët, e pastaj për partitë. Kjo do t’i privonte partitë (sidomos ato të mëdha) nga komoditeti që aktualisht kanë se mund të fitojnë me çfarëdo kandidati vetëm pse kanë shtrirje partiake në atë komunë. Kjo do t’i detyronte t’i emërojnë kandidatët më të mirë për qytetarët e asaj komune, që sigurisht nuk u mungojnë. Kjo do t’ju jepte rastin edhe kandidatëve nga partitë e vogla (pse jo, edhe ata mund të kenë kandidat të denjë) dhe sidomos kandidatëve të pavarur që të kenë shanse për fitore. Andaj, askush nuk do të duhej nënvlerësuar vetëm pse nuk na qenka anëtar i ndonjërës prej partive të mëdha (kjo i ngjason shumë atij fatit njerëzor në dashuri, që për mungesë bukurie nuk mund të gjejë partner të denjë në jetë).

Në favor të votimit, së pari për kandidat, po e marrim rastin e një kryetari, i njohur në opinion si modeli më i suksesshëm i qeverisjes komunale, e që është i vetmi që ka fituar si i pavarur. Nga ana tjetër në disfavor të votimit së pari për parti, kemi një kandidat të kandiduar tani së voni për kryetar të njërës nga komunat tona nga njëra parti e madhe, e i njëjti pak vite më parë është shkarkuar nga posti i ministrit për gjoja paaftësi ekzekutive. Pra, i njëjti njeri i shkarkuar, nga e njëjta parti, tani u ofrohet qytetarëve të komunës si i denjë për t’i udhëhequr. Kjo tregon sesa shumë partitë “kujdesen” për interesin qytetar.

Pasi partitë tona gjatë emërimit të kandidatëve, vetëm deklarativisht i respektojnë instancat e veta partiake nëpër komuna, pra emërimet bëhen kryesisht nga qendra (për interesa partiake, natyrisht), ky është edhe një argument shtesë se ata nuk mund ta dinë kurrë nga Prishtina se cili është kandidati më i mirë për qytetarët e një komuna të caktuar. Këtë e dinë më së miri vet qytetarët, eventualisht instancat partiake lokale nëse do të pyeteshin. Argument shtesë ky se gjatë votimit për kryetar, së pari të vlerësohen kandidatët e pastaj përkatësitë e tyre partiake.

Nën kushte të tilla të funksionimit të partive, infrastruktura dhe mbështetja partiake mund tu ndihmojë shumë kandidatëve për ta bërë fushatën, si me: posterë më të mëdhenj, tubime më të mëdha etj. (kur jemi te fushata, ato më shumë i ngjasojnë zërit tej mase të lartë të muzikës nëpër dasmat tona, që për qëllim kanë t’i fshehin dobësitë e zërit të këngëtarëve sesa kualitetin e tyre. Sa më i lartë zëri, më i ulët kualiteti). Mirëpo, sapo fillon qeverisja, ato, partitë do tu shndërrohen në pengesë në qeverisje. Kemi raste dorëheqjesh nga presione të tilla. Ndryshe do të ishte sikur partitë të respektonin kodin e qëllimit të mirëfilltë të ekzistimit të tyre në demokraci.

Në fund të fundit, është në interesin e qytetarëve që kryetarët e komunave të jenë më shumë menaxherë sesa politikan. Zgjedhjet parlamentare janë zgjedhje politike. Nga fituesit e tyre prodhohen politikat në nivel vendi, që në fund të fundit duhet t’i zbatojë njësoj secili kryetar komune, pavarësisht përkatësisë partiake. Andaj, janë zgjedhjet parlamentare ato në të cilat votohet për vizione politike. Në zgjedhjet lokale të gjithë angazhimin partitë e bëjnë vetëm në funksion të zgjedhjeve parlamentare. Kështu do të jetë derisa të shërohet politika në Kosovë.

Prandaj, zgjedhjet lokale do të duhej më shumë të ishin betejë ndërmjet kandidatëve e tejet më pak beteja ndërmjet partive.