LAJMI I FUNDIT:

Të shtunën fillon ‘Komedia Fest’ – Gjakova i fton të gjithë ‘të vijnë të qeshin’

Të shtunën fillon ‘Komedia Fest’ – Gjakova i fton të gjithë ‘të vijnë të qeshin’

Janë bërë të gjitha përgatitjet për edicionin e tretë të ‘Komedia Fest’, që fillon në mbrëmjen e gjashtë shtatorit.

Dashamirët e komedisë, destinacion do të kenë Gjakovën, ku deri më 14 shtator do të ketë shfaqje të ndryshme të zhanrit komedi.

Këtë festival do të hapë ‘Ai sen’i’ i autorit me famë botërore Hristo Boythcev dhe me regji të Kastriot Saqipit, në Pallatin e Kulturës


"Asim Vokshi", ku do të zhvillohet edhe ceremonia e hapjes.

Pjesë e përformacave do të jetë edhe artisti i njohur i pantomimës Adam Darius, që para publikut do të prezantohet më 12 shtator me shfaqjen ‘Basho: a Windswept Spirit’.

Në nëntë ditë sa do të zgjasë festivali, do të shfaqet nga një pjesë teatrale, por kjo nuk është e vetmja gjë e rezervuar për publikun.

Organizatorët janë kujdesur edhe për personat e shurdhër, për të cilët do të zhvillohen dy punëtori nga Trajce Gjorgiev nga Maqedonia, që do të ketë edhe performancën "The man", të Marcel Marceaut më 7 shtator.

As fëmijët nuk janë lënë anash, pasi do të jepen shfaqje për fëmijë si dhe filma të animuar në zhanrin komedi.

Si në edicionet e kaluar edhe këtë vit, publiku mund të takojë aktorët e tyre të preferuar, në oraret e caktuara nga organizatorët.

E mbrëmjet nuk do të mbesin pa argëtim, andaj çdo natë do të ketë muzikë në hapësirën tek ish-kazerma, prapa bibliotekës së qytetit.

Në mesin e shumë muzikantëve, para publikut do të paraqitet edhe DJ nga Rumania, Mihai Popoviciu që të dielën mbrëma pritet të ndezë atmosferën./Telegrafi/