LAJMI I FUNDIT:

MBAMENDJA

MBAMENDJA

Nga: Ali Podrimja

1.


Kulla e Jasharëve nuk është rastësi. Është kujtesë, mbamendje. Faqet e para të historisë sonë më të re mund të fillojnë nga aty. Ajo ma kujton shkakun e ngritjes së kullës sonë, funksionimin nëpër kohëra, kodin e saj që ka kultivuar. Disi bashkon breza, fate. Kur gjendem ballë ndonjë kulle të tillë, më bëhet se dëgjoj zërin e dheut, të baballarëve; mesazhet që duhet përcjellë pasardhësve. Këtë përshtypje e kisha edhe ditën kur u gjenda në odën e Jasharëve.

2.

Fenomeni i ndërtimit të një kulle ka diçka të legjendave. E kisha përcjellë ngritjen e njërës aty në krye të lagjes. Më plaku kishte thënë nuk qëndron po qe se në themelet e saj nuk derdhim një pikë gjak. Dhe e kishin dëgjuar. Hedhja e gurit ishte përcjellë me një kurban. Kishin sjellë pastaj gurë gjithfarë formash nga Gryka e Drinit. Ishin gjetur dhe latuesit. Një mëngjes kishte nisur: gur mbi gur, lidhja e çuditshme e gurëve dhe harqet plot fantazi. Në mbarim të stinës gati nuk e kishte prekur qiellin. Isha fëmijë atëherë. Botën e shikoja me ngjyra. Me të lagjes gjendesha shpesh aty, mes mjeshtërve. Përditë ngrehina prej grit dallonte nga shtëpitë tona. Dikur ia kishin qitur kulmin dhe kishin nxjerrë oxhakun. Më vonë, në atë majë, ishte lëshuar një lejlek dhe nuk e kishte harruar kurrë çerdhen e re. Ky është fati, thonin, por kulla shpesh humbi nga diçka në përjetësinë e vet.

3.

Guri është jetëgjatë, i shëndetshëm, na flitnin më të moçmit, që kishin pasur punë me të. Ngrihesha në majë të gishtrinjve, i lëmoja ata duke u renditur; vëja faqen e rjepur nga dielli në gurin që mendoja se fshihte magjinë e çuditshme. Dikur largohesha pa bëza. Nuk kisha mundur t’ia zbuloja fuqinë e tij. Më vonë tek flitej se filan filani ishte bërë guri. Ia lexonim emrin. Ai nuk ishte vetëm. Lëvizja e përgjakesha mes gurëve. Fillova të mësohem me heshtjen e të folmen e tyre.

4.

Pas ca vitesh kisha shkruar edhe një poezi. Përpiqesha të vëja në spikamë madhështinë e saj. Aty thoja: për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes babai im ka ngritur një kullë… Diçka për t’u admiruar pra, diçka për t’u vetëmbrojtur. Dhe kur gjendesh mes mureve të saja, ndjehesh njëfarë zoti që mund ta drejtosh fatin tënd. Nëpër dritare kisha përcjellë fluturimin e lejlekut, vrapin e fëmijëve të lagjes. Mund e gjente çerdhen e dikurshme ai zog shtegtar dhe mos i kishte rënë peri i kuq nga këmba?

5.

Kisha qëlluar në Vjenë. Bota përcillte nëpërmjet ekranit rrënimin e Kullës së Jasharëve. Paranoja serbe ishte në shkallën më të lartë. Nën një çati renditeshin trupat pajetë: fëmijë, gra e burra. Nxirreshin prapë nga dheu. Në heshtjen mortore kisha dalluar historianin trim, dr. Zekira Canën. Në kujtesë më mbetën edhe lëvizjet e burrave të tjerë në atë muzg të ftohtë që kaplonte Kullën e Jasharëve dhe tërë Kosovën. Kisha mbyllur sytë. Barbaria serbe nuk mund të rrënonte edhe imazhin për kullën shqiptare, që për mua shndërrohej në një tempull të shenjtë. E Kulla e Jasharëve nuk ishte rastësi, që kishte tmerruar armikun.

6.

Nuk di ideja e kujt është as ç’mendon kryezoti i tashëm, por aty shqiptarët duhet të kthejnë më shpesh; të shohin ç’do të thotë të keshë një copë vend tëndin e të jeshë i lirë. Para portave të saj të pushojnë të gjitha hasmëritë brendashqiptare. E, sidomos kur nuk dihet ende kur e si do ta mbyllim maratonën tonë. Është mirë të mësojmë edhe nga të tjerët; t’u përulesh atyre që nuk kursyen as jetën nderon vetveten dhe të kaluarën e popullit tënd. Na duhet guxim intelektual e njerëzor. Në një kullë kombi vepron kodi etik, nuk ndahen etiketime. Në të parë, dikujt kthimi ynë aty i duket pakëz i tejkaluar, por efekt mund të ketë efekt, në uljen e tensioneve e fërkimeve brendashqiptare. Armiku është tjetërkund. Para të tjerëve nuk bën të lëmë përshtypje se nuk jemi popull. Këtë e trumpetojnë edhe fqinjtë tanë.

7.

Nëse nuk e respektojmë të kaluarën tonë kush duhet ta bëjë këtë? Pra, kush kërkon të mbesim popull pa kujtesë, të harrojmë Prekaz, Reçak, Bllacë…

8.

Kisha bredhur Kosovës dhe kisha veneruar se nga lufta e fundit më përshëndetnin vetëm oxhaqet e ndonjë muri, që i kishin shpëtuar vdekjes serbe. Në lagjen time kisha zgurdulluar sytë në një kullë gati të rrënuar. Isha sjellë rreth saj. Kërkoja edhe fëmijërinë time, buzët e mia të çara në gurin e qëndrueshëm e të shëndetshëm; një rrënjë guri për t’u mbajtur më tutje…