LAJMI I FUNDIT:

Të papunët duhet të presin 28 vjet për t’u punësuar

Të papunët duhet të presin 28 vjet për t’u punësuar

Nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë, rezulton se në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, numri i të papunëve në shkallë vendi llogaritet në 140 mijë vetë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i të papunëve ka rënë me 3.5 për qind. E përkthyer në shifra, kjo do të thotë 5 mijë të papunë më pak në harkun kohor të një viti.

Nëse bëjhet një përllogaritje të thjeshtë, duke pjesëtuar numrin total të të papunëve në Shqipëri me numrin me të cilin lufton ky fenomen çdo vit, rezulton se qeverisë do t’i duhen 28 vjet për të punësuar të gjitha ata që sot janë regjistruar si të papunë në zyrat e punësimit.

Për të mos folur këtu për të papunët që do të shtohen në të ardhmen, për shkak të rritjes së numrit të popullsisë. Por gjendja është edhe më e errët se kaq. Kjo për faktin se shkalla e papunësisë është më e lartë nga shifra prej 13 për qind që raportohet zyrtarisht. Për këtë mjaftojmë që të përmendim disa faktorë.


Në këtë shifër nuk përfshihen të papunët në bujqësi, për të cilët institucionet shtetërore nuk kanë informacion; nuk përfshihen të gjithë të papunët që nuk u drejtohen zyrave të punësimit dhe ata që punojnë për periudha të shkurtra kohore.