LAJMI I FUNDIT:

Të hyrat nga tatimi në pronë shënojnë rekord në muajin korrik

Të hyrat nga tatimi në pronë shënojnë rekord në muajin korrik

Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF), ka njoftuar se muaji korrik, ka shënuar periudhën më të suksesshme në historinë e të hyrave nga tatimi në pronë që nga vitit 2002, në të gjitha komunat e Kosovës.

“Gjatë kësaj periudhe janë grumbulluar mbi 1.8 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 është një rritje prej 46%”.

Bazuar në njoftimin zyrtar të MEF-it, gjithsej për vitin 2008 janë grumbulluar 44% e shumës së faturuar, ndërkaq kanë mbetur edhe pesë muaj deri në fund të vitit.

"Rezultati i lartpërmendur tejkalon projeksionet e bëra për të hyrat nga tatimi në pronë prej 10 milionë eurosh gjatë këtij vitit. Ruajtja e trendit të shënuar dy muajt e fundit, do të rrisë të hyrat totale nga tatimi në pronë, për këtë vit në 13 milionë euro, me realizim 75% deri 80% të shumës së faturuar”.


Ministri i MEF-it, Ahmet Shala ka deklaruar se të hyrat nga tatimi në pronë janë thelbësore , të cilat ju sigurojnë komunave të Kosovës autonomi fiskale.

“Shkalla e inkasimit në muajin korrik tregon një punë të suksesshme të komunave të Kosovës në bashkëpunim me qytetarët e tyre. Të hyrat nga tatimi në pronë përdoren për të investuar në projekte kapitale në nivel të komunave siç janë ndërtimi i rrugëve, renovimet e shkollave, spitaleve, parqeve dhe në përgjithësi përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shala.