LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë kundër Trustit Pensional

Të gjithë kundër Trustit Pensional

Sipas gazetës “Express”, rënia e aksioneve të Trustit për 45 milionë euro vetëm në gjashtë muajt e fundit ka shokuar kosovarët. Ekonomistët kosovar thonë se është koha që të inspektohet, rishikohet strategjia dhe analizohet mirë Trusti. Gjithashtu ata kërkojnë përgjegjësi nga organet kompetente duke u nisur nga Trusti, Banka Qendrore dhe Ministria e Financave.

Pro dërgimit të kursimeve kosovare jashtë Kosovës dhe në tregje të pa sigurta, është vetëm Trusti pensional. Të gjithë tjerët janë kundër kësaj.

Me dërgimin e këtyre parave jashtë vendit, mendojnë ekspertët, ekonomia e Kosovës është tkurrur për afro 15 për qind.
Me norma të kamatave prej 5.8 për qind në vit, sikur ato të investoheshin këtu, depozitat bankare tash do të arrinin në 1.5 miliardë euro, e bankat do të kishin shumë më tepër para në dispozicion për të dhënë kredi. E në të njëjtën kohë siguria do të ishte shumë më e madhe.
Profesori Muhamet Mustafa, thotë se është koha t`i bëhet një analizë, inspektim dhe rishikim të strategjisë së Trustit. Kjo për shkak se nëse ka qenë një strategji e mirë në vitin 2001, atëherë nuk do të thotë se ajo është e mirë edhe në vitin 2006.
“Trusti nuk duhet ta injorojë tregun kosovar n`tansi por kish me qenë mirë që këto para të futen në funksion të ekonomisë së Kosovës”, tha Mustafa.
Ai beson se Banka Qendrore do ta inspektojë pas këtyre shkrimeve një herë Trustin dhe të bëjë analiza të reja.

Edhe për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, kjo është shumë shqetësuese për të cilën edhe duhet kërkuar llogari. Thotë se disa herë ka alarmuar për këtë punë.
Trusti, nuk i është përgjigjur kurrë atij e as shumë institucioneve dhe organizatave tjera ekonomike.


As Safet Gërxhaliu, nga OEK`u nuk ka mundur kurrë të marrë ndonjë përgjigje nga ky institucion edhe përkundër kritikave të mëdha që ka bërë.
“Aty nuk e dinë kush çka bënë dhe as çka bëhet dhe është një jo-përgjegjësi e madhe institucionale që ish dashtë të kërkohet llogari nga Trusti, BQK dhe MEF`i”, tha Gërxhaliu. Për të, ky nuk është vetëm dështim i Trustit, por edhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Bankës Qendrore të Kosovës. Qysh nga fillimi, tregon se ka qenë kundër politikës së Trustit për t`i dërguar këto para jashtë vendit por kjo sipas tij është bërë në saje të njerëzve të cilët janë dërguar me ngjyrime politike dhe jo profesionistë.

Zyrtarët e Trustit kanë deklaruar se kjo gjë është normale në saje të rënieve të tregjeve financiare në dynja. Ata kanë thënë se paratë e kursimtarëve të Kosovës janë pjesë e tregjeve të jashtme financiare dhe kosovarët duhet t`i ndajnë me to si përfitimet ashtu edhe humbjet.