LAJMI I FUNDIT:

Të drejtat dhe dinjiteti i të moshuarve duhet të mbrohen në kohën e pandemisë

Të drejtat dhe dinjiteti i të moshuarve duhet të mbrohen në kohën e pandemisë

Përgjatë gjithë Evropës, shtëpitë e kujdesit për të moshuarit janë bërë pikat e infektimit të Covid-19-shit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë përbëjnë deri në gjysmën e vdekjeve nga koronavirusi në Evropë.

Ndër të gjitha statistikat pikëlluese që tregojnë historinë se si virusi po shkatërron jetët nëpër botë, kjo shifër më godet më së shumti. Ajo hedh dritë në një tragjedi të paimagjinueshme që po shpaloset para syve tanë – por duke tërhequr çuditërisht pak vëmendjen e publikut.


Njerëzit e moshuar që jetojnë në institucionet e kujdesit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së përgjithshme – për shembull në Gjermani mezi një për qind1, vend ky me numrin më të madh të shtretërve në shtëpitë e pleqve në Evropë për kokë banori. Kjo jep një pasqyrë groteske se si banorët e shtëpive të përkujdesjes janë të mbipërfaqësuar në vdekjet e shkaktuara nga virusi.

Njerëzit e moshuar, në përgjithësi preken keq nga pandemia. Ata janë në rrezik të shtuar të sëmuren rëndë me Covid-19 dhe rreth 95 për qind e vdekjeve janë në mesin e personave të moshës 60 vjeç dhe më të vjetër. Kjo është një arsye pse Evropa, rajoni me pjesën më të madhe në botë të të moshuarve, po sheh një shkatërrim kaq të fuqishëm nga pandemia brenda kufijve të saj. Dhe, të moshuarit nuk po përballen vetëm me një krizë shëndetësore: masat për distancimin fizik (të quajtura gabimisht distancim shoqëror), masat për të parandaluar virusin gjithashtu kanë një ndikim disproporcional në jetën dhe jetesën e tyre, pasi shumë prej tyre janë të shkëputur nga shërbimet, përkrahja dhe kujdestarët nga të cilët ata varen.

Shpesh të lënë pas dore dhe larg sysh, njerëzit e moshuar, që jetojnë në shtëpi të kujdesit, janë ndër më të ndjeshmit nga të gjithë. Dëgjojmë histori të trishta të njerëzve që vdesin vetëm, pa pasur të dashurit e tyre afër dhe nganjëherë vetëm me kujdes minimal të ofruar nga objektet e mbingarkuara dhe të pafinancuara.

Tragjeditë që ndodhin në shtëpitë e pleqve tani janë vetëm një pasqyrim, edhe pse ekstrem, sesi ne në përgjithësi po dështojmë me njerëzit më të moshuar. Pandemia e ka bërë këtë dështim më të dukshëm, por kjo nuk filloi me Covid-19-shin. Ndërsa vendet në Evropë po plaken me shpejtësi – një në katër persona tashmë është 60 vjet ose më i vjetër – shoqëritë mjaft vështirë krijojnë kushte që numri i rritur i të moshuarve të jetë në gjendje të jetojë mirë, duke qenë të shëndetshëm dhe aktiv në komunitetet e tyre dhe jetën publike.

Përkundrazi, shumë të moshuar përjetojnë neglizhencë, varfëri, përjashtim shoqëror dhe izolim – të përkeqësuara edhe më tutje tani nga pandemia. Ndoshta edhe më e keqe është mënyra sesi u tregon diskursi publik atyre, pak a shumë tërthorazi dhe përmes aluzioneve kulturore, se për shkak të moshës së tyre ata janë një barrë, më pak e vlefshme, madje edhe e shpenzuar.

Unë kam shpresë që kjo krizë dhe efektet tmerruese që ajo ka te shumë njerëz të moshuar, do të bëhen pikë kthese për mënyrën se si ne i shohim dhe trajtojmë njerëzit e moshuar në shoqëri. Ne në UNFPA, Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara, punojmë shumë me partnerët tanë në qeveri dhe shoqërinë civile, jo vetëm për të mbështetur njerëzit e moshuar gjatë pandemisë. Por, gjithashtu, për t’u siguruar se dinjiteti dhe të drejtat e tyre mbrohen dhe që ata të mbeten të integruar dhe të angazhuar në komunitetet e tyre.

Shumë vende tani po shikojnë se si kriza mund të shndërrohet në mundësi. Ekzistojnë katër hapa kryesorë që qeveritë mund të ndërmarrin për ta bërë këtë të mundur:

1. Prioriteti i mbrojtjes së personave të moshuar në përgjigjen ndaj Covid-19-shit: Kjo mund të përfshijë dërgimin e mesazheve të qarta publike të mbështetjes për të drejtat e barabarta dhe dinjitetin e të moshuarve dhe marrjen e masave të guximshme për të demonstruar se angazhimet publike tejkalojnë fjalët boshe. Sigurimi i vazhdimësisë së shërbimeve, përkrahja e kujdestarëve, përdorimi i teknologjive digjitale për të arritur njerëzit në izolim – mund të bëhet shumë për të lehtësuar efektet e krizës.

2. Dëgjoni zërin njerëzve të moshuar: Ndërsa po i përgjigjemi kësaj krize dhe po zhvillojmë politika për të ardhmen, duhet të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë të moshuarit. Angazhimi me përfaqësuesit e komunitetit është thelbësor për të shmangur paragjykimet dhe për të qenë në gjendje të gjeni zgjidhje që i përgjigjen nevojave aktuale.

3. Kundërshtoni paragjykimet për moshënnë diskursin publik dhe në praktikë: Nuk duhet të ketë tolerancë për diskriminimin e shfrenuar ndaj moshës dhe stereotipat negativë që janë shfaqur edhe më shumë gjatë kësaj krize. Promovimi i një kundër-narrative të përqendruar në solidaritetin ndër breza dhe aktivitetin dhe kontributet e vlefshme të të moshuarve do të jetë thelbësore për zhvendosjen e normave dhe qëndrimeve shoqërore.

4 Rishikoni kornizat ligjore dhe politikat dhe buxhetet përmes prizmit të moshës: Tani është koha të fillojmë të shikojmë përtej krizës dhe të vlerësojmë se çfarë duhet të ndryshojë në sektorë si shëndetësia, arsimi, punësimi dhe mirëqenia sociale, në mënyrë që vendet të jenë në një pozitë më të mirë për të përballuar efektet e ndryshimit të shpejtë demografik, ndërsa sigurojnë të drejtat dhe zgjedhjet të një popullsie në plakje.

Le të jemi të qartë: vdekja e kaq shumë njerëzve të moshuar gjatë kësaj krize nuk ishte e pashmangshme. Kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit tonë – si shoqëri, institucione dhe kultura. T’i kushtojmë rëndësi dhe vlerë të barabartë jetës dhe mirëqenies së brezit të vjetër. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe të merremi seriozisht me krijimin e një shoqërie për të gjitha moshat në të cilën njerëzit e moshuar njihen dhe mbështeten, si shtylla të rëndësishme të shoqërisë që janë: si mësues dhe mentorë, kujdestarë dhe vullnetarë, tregimtarë dhe krijues, përcjellës të kulturës dhe luftëtarë të të drejtave që ne ndonjëherë i konsiderojmë si të mirëqenë. Në një Evropë që po plaket, ne thjesht nuk mund të lejojmë të përjashtojmë një të katërtën e popullsisë me të gjitha aftësitë, talentet dhe kontributet e tjera të tyre. Të sigurohemi që të moshuarit trajtohen me të njëjtat të drejta dhe dinjitet si të gjithë të tjerët nuk është vetëm një domosdoshmëri morale, por është një fitore për të gjithë, të moshuar dhe të rinj njësoj.

 (Autorja është drejtoreshë e Zyrës Rajonale për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore të UNFPA – Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara)