Alfred Uçi
Ka gjëra ose veprime kaq të rëndomta, të zakonshme, të përditshme, saqë shpesh jemi të bindur se u a njohim mirë thelbin, strukturën, funksionin, rolin dhe prandaj do të na dukej absurde, në mos qesharake të pyesnim se c’ janë. Më duket se një veprim i këtij lloji është dhe leximi(lëçitja) si tillë, por po të pyesnim se ç’është ai jo vetëm njerëz fare të rëndomtë, por edhe intelektualë të regjur me lexime gjithëshfarëshe, ndodh të na japin përgjigje fare të cekëta, të njëanshme, madje edhe banale.
Po ç’ka më nxit, të shpreh ca mendime për këtë problem, janë disa shqetësime të ditëve tona që shfaqen në shumë familje: Përse shumë fëmijë, por jo vetëm fëmije nuk kanë dëshirë të lexojnë? Situata është shqetësuese kur mësojmë se nuk ka fonde për të blerë libra sipas profileve që kanë bibliotekat qendrore të universiteteve, fakulteteve, institucioneve shkencore e kulturore, pale fonde për botime të huaja.
Siç është problem kriminaliteti, korrupsioni, trafiqet, varfëria etj. , është bërë problem i rëndësishëm social-kulturor dhe mosleximi, tatëpjeta e tij në përmasa friksuese. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me shije personale, por me një plagë sociale, që dëshmon për një prirje disi të padukshme, të fshehtë, që i kundërqëndron me forcë të madhe asaj perspektive, për të cilën flitet shumë, për të hyrë si komb qysh në fillim të shek. XXI drejt një qytetërimi modern, për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Shqetësim është se leximi është duke u rrudhur dhe është fatkeqësi kur libri ka fituar lirinë e plotë, madje të tepruar me disa botime që më mire të mos ishin. Kur përpiqemi të përcaktojmë faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit të njerëzimit, të qytetërimeve, ne na shkon mendja lehtësisht te kultura, ekonomia, shkenca, teknika, feja, morali, filozofia, etj. Po kështu mund të përmendim disa nga shpikjet e zbulimet më të mëdha si zjarrin, l even, rrotën, atomin, elektricitetin, artin, kompjuterin, etj.
Por, çuditërisht nuk na shkon mendja ta përfshijmë ne këtë rrjesht ose në krye të tij LEXIMIN. Shpesh kjo harresë ushqehet edhe nga ndonjë keqkuptim rreth zanafillës së vonuar, siç mendohet, të shfaqjes së leximit si veprimtari e rëndësishme njerëzore. Ne i kemi provokuar pak përpara grupe nxënësish e studentësh, por edhe mësuesish, me pyetjen ç’është LEXIMI ? Me nënqeshje ironike, përsëriten këtë përgjigje: LEXIMI është zotërimi i një alfabeti dhe përdorimi i tij për të lexuar libra. Këtë përgjigje ne e quajtëm të cekët, gjysmë të vërtetë, në mos banale.
Është e vërtetë se zbulimi, krijimi i alfabeteve ka qenë një nyjë e një ngjarje e rëndësishme në jetën dhe historinë e njerëzimit; me të filloi përdorimi i shkrimit dhe dorëshkrimit. Ata popuj që e patën më përpara në kohë këtë vegël, shkuan edhe më përpara në krahasim me ata që s’e patën e u vonuan në qytetërim. Por, leximi si i tillë, është më i lashtë se sa alfabetet; ai është aq i lashtë, sa homosapiensi, sa shoqëria njerëzore, të menduarit e të folurit.
Sigurisht, nuk e kemi fjalën për leximin e alfabeteve, që kanë qenë produkte më te vona, por kemi parasysh leximin natyror, i cili ka qenë qysh në fillim një kusht i rëndësishëm i ekzistencës njerëzore, një premisë e domosdoshme për komunikim, i shkëmbimit të përvojës njohëse. Me të drejtë thuhet se sikur të ndërpritej qoftë edhe për një kohë të shkurtër prodhimi global, shoqëria do të ndodhej para një katastrofe të pariparueshme, por ne do të mund të pohonim po kështu se po t’i kishte munguar njeriut aftësia për të lexuar, shoqëria do të kish qenë e paaftë për të prodhuar, pra për të ekzistuar.
Leximi e ka përcjellë njerëzimin jo vetëm në kohët parahistorike, por ky veprim vazhdon ta përcjellë atë në gjithë aventurën e ekzistencës së tij. Leximi është vegël e pazëvendësueshme me asgjë tjetër. Nuk është e rastit që në Bibël është thënë: “Në fillim qe Fjala”!
Një rëndësi të jashtëzakonshme patën bibliotekat e para që u ngritën, që fituan prestigjin e faltoreve dhe të bankave të thesarit, të begata në vlera intelektuale dhe me fuqi të madhe tërheqëse. Pa shkrimin nuk do të kishim patur “Dhiatën e Vjetër”, ” Zurenik”, ”Kodikun e Purpët” apo “Kodikun e Artë”, apo gjithë veprat e shkrimtarëve të Antikitetit dhe Mesjetës.
Leximi ka ushqyer fuqinë e dijes, e qytetërimit, progresit, prandaj ka patur ithtarë të përgjëruar të leximit e të shkrimit, martirë të vërtetë për Diturinë, por progresi ka patur dhe armiq të betuar që kanë ardhur nga stani i injorancës, siç pat ndodhur me Sokratin që piu helmin ose me Platonin skllav, me atë Mulla Omarin që dogji bibliotekën e madhe të Aleksandrisë, nisur nga mendimi se njerëzve u mjaftonte Kurani që demek kish të gjitha ç’i nevojitet jetës, ose si inkuizicioni që digjte gjatë Mesjetës librat dritëdhënëse se bashku me autorët e tyre, Xh. Brunon etj., që e detyroi mendjen e ndriçuar nga leximi të strukej për të lexuar në manastiret, në qelitë e tyre ku ruhej libri. Martirë të vërtetë të librit ka pasur edhe Shqipëria, si P. N. Luarasi, që përkthente në shqip dhe përhapte abetaren në shkollat e para rilindëse të vendit tonë
Një revolucion i madh që ka ndodhur në historinë e librit që shtypshkronja tipografike, mekanike e Gutenbergut, në të cilën me 1448 u shtyp për herë të parë “Bibla”. Me kohë në kuadër të Revolucionit industrial u realizua një progres i madh i industrisë tipografike, që e ka bërë të mundur prodhimin e librave në sasi kolosale dhe uljen e kostos së riprodhimit të tyre. Ky progres ka qenë shoqëruar dhe me rritjen e vazhdueshme të kërkesave për libra brenda sistemeve bashkëkohore arsimore e jashtëarsimore, si dhe me përsosjen e pasurimit kolosal të bibliotekave të profileve të ndryshme, duke përfshire dhe ato personale, të sistemit të shpërndarjes, të tregtimit dhe të propogandimit të librit. Edhe brezi ynë ka patur fatin të shijoje dhe po shijon rritjen e botimeve tipografike dhe të tirazheve të tyre. Është kënaqësi që shikojmë në libraritë gjithë ato libra, madje dhe ato “të ndaluara “, ”të mallkuarat” që i shihnim në libraritë e vendeve të tjera dhe që ndërronim të kishim dhe në shtëpitë tona.
Tema e leximit në jetën bashkëkohore është bërë një temë e parapëlqyer në çdo vend të botes. Ajo përcillet me diskutime e debate të shumta. Shqetësimet për problemet e leximit kanë filluar pas Luftës së Dytë Botërore, kurse jehona e diskutimeve të thella ka arritur vone, megjithëkëte më mirë vonë se kurrë. Problemet që ngre E. Montale, shkrimtar nobelist i mirënjohur, në esenë me titull “Arti i leximit” janë bërë aktuale edhe për jetën kulturore e sociale të shoqërisë sonë. Montale i është referuar kryesisht leximit të letërsisë artistike dhe prandaj e çmon si atribut të pandarë të leximit kënaqësinë estetike, kurse ne duam ta trajtojmë leximin në kuptimin më të gjerë të fjalës, si akt specifik të leximit të çdo gjëje të shkruar e të botuar, të leximit në përgjithësi, të çfarëdollojshëm që njeriu e bën për arsye shumë të ndryshme.
S’ ka dyshim se shumica e njerëzve që lexojnë sistematikisht përfitojnë kënaqësi, e cila është një stimul e një akt psikologjik emocional, që përcjell në mënyrë suksesive leximin. Po qe se libri të pëlqen, e lexon me një frymë deri në fund, por kur nuk të pëlqen e mbyll dhe e flak tutje. Ka shumë libra që të pëlqejnë, por ka dhe libra që s’ të pëlqejnë. Çdo njeri është i detyruar dhe lexon edhe libra që s’i pëlqejnë. Kështu, çdo nxënës ose student për të plotësuar programin mësimor është i detyruar pavarësisht nëse i pëlqen ose jo të bëjë lexime të detyrueshme. Dhe, s’ka besoj ndonjë nxënës apo student që të pëlqejë çdo tekst të çdo lënde mësimore që të kënaqet, ta shijojë si gjë të këndshme, jo vetëm kur teksti është i rëndë, i mërzitshëm, i pakuptueshëm, por edhe kur është i thjeshtë, i shkruar mire, por i një lënde që s’pëlqehet. Ndodh që leximet e detyrueshme që s’pëlqehen bëhen faktorë që kultivon te lexuesit alergji ndaj leximit në përgjithësi. Por, kjo që pohuam tregon se leximi është dicka më e gjerë se sa leximi thjesht për kënaqësi.
Nuk bën të mendohet sa kënaqësi i sjell njeriut vetëm leximi i letërsisë, poezisë, teksteve artistikë. S’ka dyshim se çdo tekst artistik pëlqehet ngaqë domosdoshmërisht ka një natyrë estetike d.m.th. hartohet që të krijojë lidhje emocionale me lexuesin, të pëlqehet, te dhurojë kënaqësi. Por, ka edhe shumë raste kur disa lexues parapëlqejnë tekste të vështira, matematike, fizike, biokimike, tekste të ngarkuara me sisteme shenjash simbolike të ndërlikuara dhe megjithkëte përfitojnë kënaqësi më të madhe nga cka të dhurojnë tekstet artistikë, që në krahasim me tekstet shkencorë i quajnë “Përralla”, i quajnë fantazi së koti. Kjo tregon që në këto raste lexuesi njeh raportin midis tekstit e realitetit, sepse dhe leximi mund të jetë shkencor, i pëlqyeshëm dhe përfton kënaqësi, sepse i dhuron lexuesit dije të sakta shkencore, kurse po këtij lexuesi nuk i duket i mbushur me gjepura, me gënjeshtra, me trillime fantastike.
Shembujt që përmendëm tregojnë se leximi nuk është thjesht kënaqësi. Leximi është një akt i ndërlikuar kulturor, shkencor, psikologjik dhe nuk reduktohet vetëm në rastet e leximit të këndshëm argëtues. Krijimi i veprave artistike, i teksteve letrare poetike është njëlloj pune sigurisht e një lloji të vecantë, por gjithsesi punë. Është një impenjim kryesisht mendor, intelektual, emocional, psikologjik, por edhe fizik, po të teprohet leximi bëhet i lodhshëm, i mundimshëm siç është çdo punë. Leximi nuk është angazhim thjesht për t’ u dëfryer, për të të zënë gjumi ose për të vrarë kohën. Ai është angazhim që e nënkupton lodhjen që mund të të pëlqejë po që dhe mund të të mos pëlqejë.
Brezi i ri duhet te mësohet ta kuptoje se leximi është një investim drejt së ardhmes për një profesion të parapëlqyer, për një jetë më produktive, për të përballuar kërkesat e shkollës, të kulturës, shkencës, qytetërimit. Njeriu që s’ lexon në kohen tone mbetet injorant, gjysmak, nuk e gëzon lirinë, zgjedhjen e veprimit. Nëse e pranojmë leximin si punë atëherë duhet të flasim edhe për mjeshtërinë e të lexuarit. Çdo lloj pune është art, mjeshtri më vete. Çdo mjeshtri ka sekretet e marifetet e veta. Secila dallohet për nga lloji i dijeve, i përvojës, nga mjeti që përdor dhe që e drejton drejt veprimtarisë së qëllimshme. Edhe leximi si njëlloj mjeshtrie ka specifikën e vet. Ai ka një qëllim drejt së cilit synon. Është një angazhim serioz i njeriut për të.
Duhet te dish te lexosh, cfare te lexosh, e si te lexosh.
Ka njerëz që lexojnë, po kur mbarojnë së lexuari qoftë dhe një tekst minimal nuk janë në gjendje të tregojnë se çfarë lexuan e cili qe kuptimi i tij. Të LEXOSH do të thotë të përvetësosh informacionin e plotë që është depozituar në përmbajtjen e fjalëve, të shkrimit, të tekstit. Struktura e çdo teksti nuk është e njëjtë. Ka tekste të rënda që kërkojnë një impenjim më të forte intelektual e fizik të lexuesit. Duke u nisur nga tekstet e vështira shkencorë e jo shkencore, për të deshifruar kuptimin e shumekuptimin e tyre janë formuluar dhe këshilla e rekomandime praktike për mënyrat e leximit.
Faguenti, studiuesi i mirënjohur i leximit në përgjithësi, ndaj pyetjes se si duhet lexuar, ka dhënë këtë përgjigje: së pari të lexohet shume ngadalë, së dyti të lexohet shumë ngadalë dhe së treti të lexohet shumë ngadalë. Kjo këshillë që trefishohet, sigurisht është e dobishme në përgjithësi dhe vlen për ta mbrojtur lexuesin nga një lloj leximi i përshpejtuar e diagonal, që kryhet zakonisht nga cektësia kulturore e lexuesve, që priren për të mos e vrarë mendjen, kurse leximi i ngadalshëm, i vëmendshëm është mënyra më e frytshme duke nxjerrë gjithë informacionin nga çfarëdo lloj teksti sidomos nga tekstet e vështire e me densitet të madh informativ.
Edhe tek ne ka marrë përpjetë botimi, shitja e leximi i një letërsie të atillë, që do ta quanim letërsi për të humbur kohen, letërsi për dembele. Plot libra, sidomos revista të ilustruara qe vetëquhen “moderne”, të cilat i ka neper duar një numër i madh lexuesish ndikojnë negativisht në aftësitë lexuese duke deformuar shijen e kulturuar të leximit, duke e vrarë dhe duke e bërë lexuesin të paaftë për të diferencuar një tekst që meriton të lexohet nga një tekst banal, vulgar, të ceket madje dhe nga ato që i përkasin antikulturës.
Gjysma e dytë e shekullit XX ka qenë periudhë e një kthese të pabesueshme e të habitshme në shumë sfera të teknikës e shkencës, por mendoj se më e rëndësishme ka qenë e vazhdon të jetë krijimi i një sistemi krejt të ri, jo tradicional komunikimi, mjete moderne të transmetimit, të informacionit kompjuterik, internet, mjetet audiovizuale, riprodhimet artistike, botimet e filmat vizatimorë, kinematografia televizive, diskotekat, albumet e revistat e ilustruara etj. Të gjitha këto mbartin në vetvete një potencial kolosal akumulimi e transmetimi informacioni kulturor, artistik e shkencor të shumëllojtë.
Ky progres po vazhdon me ritme të habitshme, aq sa qytetërimi i shek. XXI ka zënë të quhet “qytetërim i mjeteve digjitale”. Ne asistojmë në aktivizimin e një sistemi të ri, që po e quajmë lexim dixhital. Ka njerëz të informuar mire për progresin bashkëkohor teknologjik, që e konsiderojnë shtrirjen e këtij sistemi si një të keqe të madhe, që kinse po e mënjanon mënyrën klasike të leximit të librit, që po e largon spektatorin nga leximi I librit. Këtë prirje e lidhin me rritjen e jashtëzakonshme të trysnisë së veprimtarive thjesht argëtuese, zbavitëse, audiovizuale, jo vetëm të varfra për nga vlerat e mirëfillta kulturore, shkencore, sociale e informative, madje edhe me fuqinë negative në planin moral (filmat më shumë qe mbytin ekranet televizive dhe dukuri te tjera me karakter antikulture).
Në fakt, ky opinion nuk është plotësisht i saktë. Është e vërtetë se në kohën e sotme ekziston një kontradiktë midis mundësive të pakufizuara komunikuese e transmetuese informative të teknologjive moderne dhe një prapambetje relative të kulturës individuale të leximit të librit. Është e vërtetë se sot ekzistojnë masa të mëdha njerëzish që lexojnë përmes internetit, që përdorin aparatura digjitale për të lexuar fondet e bankave informative, të bibliotekave, që lexojnë gazeta, revista, libra të të gjithë bibliotekave të botës, të përfshira në internet e në rrugë të tjera informative, me ndihmën e kompjuterëve, që lexojnë filmat vizatimorë, albumet e revistat e ilustruara, që e marrin gazetën në shtëpi etj.
Mirëpo, këto grupe lexuesish jo vetëm e shtojnë numrin e përgjithshëm të lexuesve, por përbëjnë një kontigjent për herë e më të madh, madje një kontingjent që i përket e ardhmja. Edhe te ne ka filluar të rritet interesimi për të përdorur mjetet digjitale të leximit. Por, frika lind nga keqpërdorimi i këtyre mjeteve moderne të komunikimit, sidomos të masmediave, të cilat nuk i ndërtojnë emisionet e programet e tyre në përputhje me nevojat e shumanshme të kulturës, arsimit, edukimit sidomos të brezit të ri dhe kërkesave të zhvillimit të teknologjive modern dhe institucioneve të ndryshme, që mund të funksionojnë pa aktivizuar mjetet e komunikimit digjital, pa i mësuar njerëzit të lexojnë me kulturë dhe me mënyrat e reja të teknologjive moderne.
Ndaj është me shume rëndësi të dimë si dhe çfarë të lexojmë.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëFjalimi i Skënderbeut!?
Kompozitori i parë i muzikës së kultivuar shqiptare
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
Zbulohet dorëshkrimi i rrallë mbi astronominë i Gjon Gazulit
David Gilmour dhe Polly Samson për vdekjen, drogën, jetën martesore dhe grupin Pink Floyd
Një vepër e vlefshme për procesin e krijimit të shtetit shqiptar dhe për rolin e shqiptarëve në rënien e Perandorisë Osmane
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit