LAJMI I FUNDIT:

Të burgosur të dhimbjes

Të burgosur të dhimbjes

Muajin e kaluar, një gjykatë egjiptiane dënoi Laura Plummer, një 33-vjeçare shitëse nga Anglia, me tre vjet burg për trafikimin e 320 dizave të tramadolit në këtë vend. Tramadoli është një ilaç opioid me recetë mjeku, i disponueshëm në Mbretërinë e Bashkuar për lehtësim dhimbjesh. Ky ilaç është i ndaluar në Egjipt sepse në këtë vend abuzohet masivisht. Plummer tha se ajo po ia dërgonte ilaçin të dashurit të saj egjiptian, i cili vuan nga dhimbja kronike dhe se ajo nuk e dinte se po shkelte ligjin e Egjiptit.

Media në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë shumë simpatike në raportimet mbi vuajtjet e Plummerit, pavarësisht faktit se ajo u kap me një sasi më të lartë nga sa mund të lëshojë recetë një mjek në Mbretërinë e Bashkuar.


Por, pavarësisht sa e drejtë apo e gabuar është dënimi i Plummerit, rasti hedh dritë mbi një çështje me pasoja shumë më të gjera.

Tetorin e kaluar, Komisioni për Kujdesin Paliativ dhe Lehtësimin e Dhimbjeve të Lancetit, publikoi një raport mbresëlënës 64 faqesh ku argumentohej se lehtësimi i dhimbjeve të rënda është një “domosdoshmëri për shëndetin botëror dhe barazinë”. Komisioni nuk është i pari që ngre pretendime të tilla, por raporti sjell bashkë shumë prova që demonstrojnë seriozitetin e problemit. Çdo vit 25.5 milionë njerëz vdesin në agoni për shkak të mungesës së morfinës apo ilaçeve për lehtësimin e dhimbjeve të forta. Vetëm 14 për qind nga 40 milionë njerëz që kanë nevojë për kujdes paliativ e marrin një ilaç të tillë.

Raporti fillon me rrëfimin e një mjeku mbi një burrë që vuante dhimbje të tmerrshme nga kanceri në mushkëri. Kur mjeku i dha atij morfinë, ai u çudit nga diferenca; por, kur pacienti u kthye një muaj më pas, shërbimi i kujdesit paliativ nuk kishte në gjendje morfinë. Burri tha se ai do të kthehej një javë më vonë me një litar; nëse nuk do të mund të merrte tabletat, ai do ta varte veten në një pemë para spitalit. Mjeku komentoi: “Besoj se e kishte seriozisht.”

Shtetasit e vendeve të pasura janë të mësuar me lajmet se opioidet gjenden tepër lehtë. Në fakt, sipas të dhënave nga Bordi Ndërkombëtar për Kontrollin e Narkotikëve dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, aksesi te këto ilaçe është jashtëzakonisht i pabarabartë.

Në Shtetet e Bashkuara, sasia e opioidëve të disponueshëm – pra, ilaçeve me efekte të ngjashme me morvinën mbi dhimbjet – është tri herë më e lartë se sa nevojat e pacientëve në kujdes paliativ. Në Indi – ku ndodhi ngjarja me pacientin që kërcënoi të varte veten – furnizimi është vetëm katër për qind e sasisë së kërkuar; në Nigeri është vetëm 0.2 për qind. Njerëzit në SHBA vuajnë nga dhënia me tepri e opioidëve me recetë, ndërsa njerëzit në vendet në zhvillim vuajnë ekzaktësisht për të kundërtën.

Megjithëse në përgjithësi janë të varfrit ata që nuk kanë akses te opioidët, problemi kryesor nuk është, së paku në këtë rast, kostoja: dozat e morfinës për përdorim të njëhershëm kushtojnë vetëm pak centë të dollarit. Komisioni i Lancetit argumenton se “paketa esenciale” e ilaçeve mund t’i kushtojë vendeve me të ardhura të ulëta – të mesme vetëm 0.78 dollar për frymë në vit. Kostoja totale e mbylljes së “hendekut të dhimbjes” dhe ofrimit të të gjithë sasisë së nevojshme të opioidëve mund të jetë vetëm 145 milionë dollarë në vit nëse i llogarisim me çmimet më të ulëta të shitjes me pakicë (në mënyrë të padrejtë opioidët janë shpesh më të kushtueshëm në vendet e varfra sesa në vendet e pasura). Në kontekstin e shpenzimeve botërore për shëndetësi, kjo është një pikë uji në oqean.

Njerëzit vuajnë për shkak se lehtësimi i dhimbjeve nuk është një prioritet në politikat publike. Ka tre shpjegime bazë për këtë. Për fillestarët mjekësia është më e përqendruar në mbajtjen e njerëzve gjallë sesa në ruajtjen e cilësisë së jetës së tyre. Dhe, pacientët që vuajnë pak muaj agoni në fund të jetës së tyre nuk janë të pozicionuar mirë për të kërkuar trajtim më të mirë. E treta dhe ndoshta më e rëndësishmja është opiofobia. Frika e gabuar se lejimi i përdorimit të opioidëve në spitale do të ushqejë varësinë dhe krimin në bashkësi ka sjell kufizimin e ashpër në përdorimin e tyre dhe punonjësit e shëndetësisë nuk janë të trajnuar për t’i përdorur ato kur nevojiten.

Ndonëse opioidët mund të jenë të dëmshëm dhe që krijojnë varësi, siç demonstron kriza aktuale në Amerikë, fakti që diçka mund të jetë e rrezikshme nuk është arsye e mjaftueshme për të imponuar kufizime ekstreme mbi përdorimin klinik. Rreziqet janë të justifikuara kur përfitimet e pritshme dukshëm kapërcejnë dëmet e pritshme. Politikëbërësit në vendet në zhvillim po bëjnë një zgjedhje për të imponuar atë që OBSH e quan “rregullim tepër kufizues” mbi morfinën dhe ilaçet e tjera thelbësore për kujdesin paliativ. Aksesi i ulët ose zero nuk është i justifikuar as nga pikëpamja mjekësore e as nga ajo morale.

Dizajnimi i një sistemi që ofron akses të përshtatshëm te morfina pa nxitur mbikonsumimin me receta apo rrjedhjen e ilaçeve në tregun e zi është një punë e vështirë, por jo e pamundur. Komisioni Lancet tërheq vëmendjen te shteti indian i Keralës, ku vullnetarë të trajnuar janë në qendër të kujdesit paliativ në bashkësi, të fuqizuar nga bashkëpunimi ndërkombëtar me OBSH-në, kërkuesit universitarë dhe organizatat joqeveritare. Nuk ka incentivë për dhënien me tepri të ilaçeve me recetë dhe as nuk ka prova për devijim të opioidëve në tregun e zi.

Një model tjetër që ia vlen të studiohet, thotë Komisioni, është Uganda, ku një qendër e drejtuar nga OJF furnizon sistemin kombëtar publik me morfinë orale.

Trafikimi i ilaçeve nga Laura Plummer ishte padyshim një çmenduri; eksperienca e saj në një burg egjiptian do të jetë një tragjedi personale. Por, nëse historia e saj është e vërtetë, ajo është gjithashtu edhe viktimë e kufizimeve të tepërta mbi përdorimin e opioidëve, gjë që pengoi të dashurin e saj nga marrja e tramadolit në mënyrë të ligjshme.

Rasti i Plummerit për rrjedhojë tregon një fatkeqësi më të gjerë: atë që kaq shumë shtetasve në vendet në zhvillim u mohohet lehtësimi efikas i dhimbjeve nga qeveritë e zëna nga opiofobia. Kjo nuk është thjeshtë çmenduri; në fjalët e Komisionit Lancet, kjo është gjithashtu një “dështim mjekësor, i shëndetit publik dhe një dështim moral si dhe një dështim i drejtësisë.” /Project Syndicate/reporter.al/