LAJMI I FUNDIT:

Tatimi në pronë, rritet inkasimi për 40 përqind

Tatimi në pronë, rritet inkasimi për 40 përqind

Inkasimi i tatimit në pronë këtë vit është rritur për 40 për qind krahasur me vitet e mëparshme, deklaruan zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF).

Sipas ministrit të MEF-it, Ahmet Shala, mjetet që vijnë nga taksat e pronës, janë të dedikuara drejtpërdrejt për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Arsyet që ka ndikuar në këtë është angazhimi dhe efikasiteti i Administratës Tatimore nëpër komuna, të cilat kanë arritur që t’i identifikojnë mënyrat më të mira të komunikimit me qytetarë”.

Sipas tij, trendi i rritjes së inkasimit të taksës mbi pronën, pritet që në vitin 2009 të ketë rritje edhe më të madhe, sepse komunat do të kenë mjaft fuqi që të realizojnë inkasim të suksesshëm dhe ta rrisin atë deri në 74 për qind.


“Ekziston një hendek në mes të taksës së faturuar dhe taksës së inkasuar, dhe ne jemi duke bërë përpjekje që ky hendek të zvogëlohet në maksimum. Megjithatë, grafikoni i ngritjes së inkasimit tregon për një efikasitet të inkasimit të taksës mbi pronën. Ndërtimi i një sistemi efikas do të ndikonte që të jemi sa më transparent. Ndërkaq vizioni ynë është që sistemi i tatimeve të jetë integral në gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

Në vitin 2002 kishte vetëm 5 për qind rritje të inkasimit, në vitin 2004 inkasimi është rritur për 44 për qind, ndërsa vitin e kaluar rritja ishte 54 për qind, ndërkohë në gjashtë muajt e parë të vitit 2008 rritja e inkasimit të tatimit në pronë ka arritur në 40 për qind.

Ndërsa në vitin 2007 komuna më e suksesshme që ka shënuar më së shumti rritje të inkasimit të tatimit në pronë, ka qenë komuna e Gjilanit, me gjithsejtë 140 për qind rritje, kurse në vendin e dytë ishte komuna e Gjakovës me 113 për qind rritje të të hyrave nga tatimi në pronë. /Telegrafi/