LAJMI I FUNDIT:

Ta përmirësojmë veten duke u pajtuar me vdekjen dhe duke e ndryshuar marrëdhënien me kohën

Ta përmirësojmë veten duke u pajtuar me vdekjen dhe duke e ndryshuar marrëdhënien me kohën

Shkruan: Roman Krznaric/BBC
Përktheu: Telegrafi.com

“Fjala vdekje nuk shqiptohet në Nju-Jork, në Paris, në Londër, sepse t’i djeg buzët”, shkroi eseisti dhe poeti meksikan Octavio Paz, në vitet 1950. Por, për një bashkatdhetar të tij – që flet për këtë dhe e kujton në festivalin vjetor të Ditës së të Vdekurve – “ajo është një nga lodrat e preferuara dhe një dashuri e patundur”.

Ndoshta është ekzagjerim, madje edhe për atëherë, por shtron çështjen e rolit që vdekja luan në artin e të jetuarit. Kultura perëndimore ka zhvilluar mekanizma të shumtë për të na mbrojtur nga realiteti i vdekshmërisë. Industria e reklamave na tregon se do të mbesim përgjithmonë të rinj, e ne e shmangim bisedën për vdekjen me fëmijët tanë dhe i largojmë të moshuarit në shtëpi pleqsh – larg syve dhe larg mendjes sonë.


Duhet të mësohemi të përballemi me terrorin e vdekjes dhe ta shtojmë guximin tonë për të kuptuar se të qënit të vetëdijshëm për vdekshmërinë mund të na ndihmojë, që tash, që të orientohemi. Thjesht, mendoni për autoportretin e Frida Kahlo-s, “Duke menduar për vdekjen”, që ka një kafkë makabre në ballin e saj. Ose, merreni parasysh mençurinë e Albert Camus-it: “Merruni vesh me vdekjen. Pas kësaj, gjithçka është e mundur”. Por, pranimi i vdekjes është më i lehtë të deklarohet sesa të bëhet. Një nga sekretet për ta bërë këtë nuk është t’i kalojmë orët duke soditur vizionet e Grim Reaper-it, por ta rimagjinojmë marrëdhënien me vet kohën. Janë tri ide për të vepruar kështu, që na japin perspektivën e papritur të energjisë ekzistencialiste.

Në romanin e vitit 1886 të Leo Tolstoy-it, “Vdekja e Ivan Iliqit”, prokurori në Shën Petersburg që ia ka kushtuar karrierën ngritjes nëpër gradat ligjore dhe ndihmës që familja e tij të arrijë në një vend të respektueshëm të shoqërisë borgjeze, rri në shtratin e vdekjes, në moshën 45-vjeçare, duke menduar nëse e ka humbur jetën në ndjekjet sipërfaqësore. “Po sikur e gjithë jeta ime të ketë qenë me të vërtetë e gabuar?”, reflekton me pezëm.

Frida Kahlo e bëri autoportretin “Duke menduar për vdekjen”, më 1943, teksa ishte e sëmurë. Kjo pikturë është interpretuar si ta shohësh vdekjen si formë tjetër jete

Rrëfimi na ofron një eksperiment të dobishëm të të menduarit. Nëse e projektojmë veten deri në fund të jetës sonë, kur jemi në shtratin e vdekjes, si do të ndiheshim kur kthehemi prapa? A do të ishim krenarë për arritjet tona? A do ta ndjenim se e kemi dhënë maksimumin nga jeta? Apo, mund të jemi të mbushur me keqardhje, si Ivan Iliqi? Natyrisht, çështja është se reflektimet e tilla mund të ndryshojnë mënyrën se si zgjedhim të veprojmë, këtu dhe tash. Qasja ime e preferuar për të bërë këtë udhëtim të përkohshëm deri në fund të jetës sonë, është një ushtrim vizionimi që unë e quaj “Gostia e darkës së jetës së përtejme”.

Paramendoje veten në një darkë, në jetën e përtejme. Të pranishëm janë edhe të gjithë ‘ti’-të tjerë, që ti mund të ishe nëse do të kishe bërë zgjedhje tjetër. Ti që ke studiuar më shumë për provimet. Ti që e ke  lëshuar punën e parë dhe e ke ndjek ëndrrën tënde. Ti që u bëre alkoolist dhe një tjetër që gati sa nuk vdiq në një aksident automobilistik. Ti që kalon shumë kohë për ta bërë martesën tënde të funksionojë. Pastaj ti sheh rreth këtyre alternativave. Disa prej tyre janë mbresëlënëse, ndërsa të tjerët duken të vetëkënaqur dhe të bezdisshëm. Disa të bëjnë të ndihesh keq dhe dembel. Pra, cilin prej tyre je kureshtar ta takosh dhe të bisedosh me të? Cilin e preferon më shumë? Kujt ia ke zilinë? Nga këto shumë “ti”, ka ndonjë që do ta preferoje të ishe – ose të bëheshe si ai?

Një mënyrë e dytë për të kuptuar ekzistencën tonë është ta shfrytëzojmë mençurinë e kulturave indigjene, botëkuptimet e të cilave i shpërbëjnë barrierat midis jetës dhe vdekjes, duke ofruar një ndjenjë të transcedentales. Është një koncept frymëzues te maorët, i njohur si uakapapa, që është fjala e tyre për “prejardhje” ose “gjenealogji”. Është ideja se të gjithë jemi të lidhur në një zinxhir të madh të jetës që e bashkon të tashmen me brezat e së kaluarës dhe me të gjitha brezat që vijnë në të ardhmen.

Te “Vdekja e Ivan Iliqit”, gjykatësi që rri në shtratin e vdekjes gjen ngushëllim te një shërbëtor, i vetmi person përreth që nuk i frikësohet vdekjes

Drita ndriçon në këtë moment, këtu dhe tash, ndërsa ideja uakapapa na ndihmon të ndriçojmë dritën më shumë, që të mund t’i shohim të gjithë në peizazhin e kohës. Kjo na lejon të kuptojmë se të gjallët, të vdekurit dhe të palindurit janë të gjithë këtu, në një dhomë me ne. Dhe, ne duhet t’i respektojmë interesat e tyre aq sa interesat tona. Është sfiduese ta bësh këtë kapërcim imagjinar, veçanërisht për ata prej nesh që janë të zhytur thellë në kulturën konsumuese perëndimore.

Por, mund ta fillojmë ta bëjmë këtë me ndihmën e një eksperimenti tjetër mendimi, që përfshin udhëtimin në kohë. Mendoni për një fëmijë që e njihni dhe kujdeseni për të – ndoshta një nun i të cilit je, një mbesë ose një nga fëmijët ose nipërit tuaj. Tash, paramendoi ata në festën e tyre të ditëlindjes së 90-të, të rrethuar nga familja dhe nga miqtë. Paramendojeni fytyrën e tyre të moshuar; shikoni se çfarë po ndodh në botën jashtë dritares. Dhe, tash, paramendo se dikush vjen dhe e vendos një foshnjë të vogël në krahët e tyre: është stërnipi i tyre i parë. Ata shikojnë në sytë e foshnjës dhe pyesin: “Çfarë do t’i duhej këtij fëmije për të mbijetuar dhe për të përparuar në vitet dhe dekadat para”?

Uluni me atë mendim, për një moment. Atëherë pranoje se kjo foshnjë e vogël mund të jetë gjallë edhe në shekullin XXII. E ardhmja e tyre nuk është trill shkencor. Është një fakt intim familjar, vetëm disa hapa larg nga jeta jote. Nëse kujdesemi për jetën e asaj foshnje, duhet të kujdesemi për gjithë jetën: të gjithë njerëzit që do të kenë nevojë për mbështetje; për ajrin që do ta thith; për gjithë rrjetën e jetës.

Ky lloj eksperimenti i të menduarit, mund të na ndihmojë të kapërcejmë kufijtë e jetëgjatësisë sonë dhe të lidhemi me mençurinë uakapapa. Ne të gjithë jemi pjesë e zinxhirit të madh të jetës. Dhe, duke e njohur vendin tonë në të, nisim ta zgjerojmë ndjesinë tonë për atë që përbën “tani”, duke u zhvendosur nga tani e sekondave dhe minutave dhe orëve në një tani të gjatë me dekada, me shekuj dhe madje mijëvjeçarë. Një tani që na jep ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë që lëmë për brezat e nesërm, duke respektuar brezat e së kaluarës.

Me modele që zbulojnë historinë familjare, tatuazhet moko të fytyrës janë gjuha vizuale e maorëve që krijon një lidhje me paraardhësit

Ne gjithashtu mund ta rimendojmë marrëdhënien tonë me vdekjen duke e marrë perspektivën e “kohës së thellë”; duke pranuar që njerëzimi dhe vetë jeta jonë janë veç një hap e mbyll sy në historinë kozmike. Siç ka thënë shkrimtari John McPhee: “Konsiderojeni historinë e Tokës si njësinë e vjetër matëse të jardit anglez – distancën nga hunda e mbretit deri në majën e dorës së tij të shtrirë. Një lëvizje e mprehëses së thonjve, në gishtin e tij të mesëm, e fshin historinë njerëzore”.

Por, po ashtu, mos harroni se siç ka kohë të thellë pas nesh, ka edhe kohë të thellë përpara. Çdo krijesë që mund të ekzistojë akoma, në pesë miliardë vjet kur Dielli ynë do të vdesë, do të jetë po aq e ndryshme nga ne sa jemi edhe ne nga bakteret e para njëqelizore.

Koha e thellë na mundëson të kapërthejmë potencialin tonë shkatërrues: në vetëm dy shekuj të civilizimit industrial, me verbërinë tonë ekologjike dhe teknologjitë vdekjeprurëse, kemi rrezikuar një botë që i duheshin miliarda vjet për të evoluar. A nuk kemi përgjegjësi ta ruajmë potencialin jetëdhënës të Tokës, për brezat që do të vijnë? Në të njëjtën kohë, vendosja e vetvetes në hapësirën e madhe të kohës na ndihmon ta vëmë vdekshmërinë tonë në perspektivë. Ne thjesht jemi një moment kalues ​​në një rrëfim shumë më të madh e më të gjatë.

Teksa koha e thellë është e pakapshme, mrekullitë e saj janë tek ajo ne mund ta kapim. Mund të arrijmë atje me ndihmën e shkrimtarëve vizionarë të fantashkencës, si NK Jemisin ose Ursula Le Guin, të cilët ua mundësojnë mendjeve tona të udhëtojnë nëpër përjetësi. Ose, provoni të gjurmoni për fosilet, e ta mbani në dorë një amonit 200 milionë vjeçar. Ose t’i vështroni yjet, drita e të cilëve e la burimin para se njerëzit të evoluonin. Ose të bëni një pelegrinazh në një pemë antike dhe, siç e shprehu aq bukur romancierin Richard Powers, përjetoni jetën “me shpejtësinë e drurit”.

Teksa rrëshqasim nëpër telefonat tanë dhe klikojmë në butonin “Bli tani”, le të ndalemi për pak dhe ta hapim imagjinatën tonë për një kohë më të gjatë se tani. Kështu e fillojmë udhëtimin përtej vdekjes. Kështu bëhemi paraardhës të mirë. /Telegrafi/