LAJMI I FUNDIT:

Suspendohet Drejtori i Doganave, Naim Huruglica

Suspendohet Drejtori i Doganave, Naim Huruglica

Rasti i futjes së mauneve me vaj disulfurik dhe gjetjet e fundit të Zyrës së Auditorit Gjeneral për keqpërdorime në Shërbimin Doganor të Kosovës, kanë çuar drejt suspendimit të drejtuesit të këtij institucioni, Naim Huruglicës.

Një vendim i tillë është marrë nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF) Ahmet Shala, vetëm pak orë pasi Kryeministri Thaçi në mbledhje të rregullt të qeverisë kishte kërkuar ndëshkim ndaj atyre që kanë lejuar futjen e mauneve në territorin e Kosovës.

Bazuar në një njoftim zyrtar të MEF-it Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së hënës , ka kërkuar nga udhëheqësit e MEF-it dhe të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), që të marrë masa adekuate ligjore dhe disiplinore ndaj personave përgjegjës në ShDK-së dhe personave përgjegjës në MAPH, të cilët kanë bërë lëshime me rastin e importit të materieve të rrezikshme dhe kanë treguar papërgjegjëshmëri ligjore rreth trajtimit të kësaj çështjeje.

“Duke u bazuar në kërkesën e Qeverisë , në bazë të përgjegjësive që ka Drejtori i Shërbimit Doganor ndaj këtij rasti, si dhe të gjetjeve të Zyrës së Auditorit Gjeneral të cilat janë të publikuara në raportin e fundit, e të cilat flasin për një numër të konsiderueshëm të shkeljeve dhe parregullsive në këtë shërbim, Ministri i MEF-it në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj, merr vendimin që të suspendojë përkohësisht nga posti i Drejtorit të Doganave, Naim Huruglica”. /Telegrafi/