LAJMI I FUNDIT:

Super aksion, apo super mashtrim?

Super aksion, apo super mashtrim?

Konsumatorët mashtrohen nga tregtarët e dyqaneve për mos përputhje të çmimeve të raftit me çmimet në arkë, mallrat në aksion dhe mospërputhje të peshës së deklaruar.

Kjo dukuri e mashtrimeve ndaj konsumatorëve ka shënuar rritje, për të cilat inspektorati i Ministrisë së Tregtisë ka ndërmarrë 39 masa administrative dhe masa ndëshkimore me shqiptim të gjobave ndaj operatorëve ekonomik. Gjobat për mashtruesit ishin prej 2 deri 3 mijë euro për një rast.

Kryeinspektori në Inspektoratin e tregut në kuadër të MTI-së, Lulëzim Syla për KosovaPress tha se Inspektorati është në vazhdimësi i pranishëm në tregun e brendshëm për t’i bërë kontrollet dhe për t’i siguruar konsumatorët që të marrin një produkt me cilësi, sasi dhe kualitet.


Ai tha se në periudhën e fundit kanë pranuar dhjetëra ankesa dhe vërejtje nga konsumatorët për çmimet e ndryshme raft-arkë. Të gjitha këto, sipas tij, janë shqyrtuar nga inspektorati dhe është vepruar konform ligjit në fuqi.

“Ne çdo herë kur dalim në terren këtë punë e shikojmë në markete me çmimet për raft-arkë, se mos po bëhet ndonjë mashtrim i konsumatorit, mirëpo jo vetëm aty, por n e kontrollojmë dhe peshoret se a janë të verifikuara apo nuk janë të verifikuara. Kemi gjithsej 39 raste, ku vetëm i kemi gjobitur ata operator ekonomik, sepse nuk janë përputhur çmimet e sasitë raft-arkë ose ku edhe nuk i kanë pasur të barazuara peshoret”, thotë kryeinspektori Syla.

Syla nuk ka treguar emrat e operatorëve ekonomik që janë gjobitur nga ky inspektorat. Sipas tij, inspektorët janë prezent çdo herë në treg, mirëpo kërkon nga konsumatorët që mos të hezitojnë t’i paraqesin ankesat në Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit për çdo rast të dyshimtë ose në shpërputhje me çmimet në të cilat ata hasin si konsumator në markete nëpërmjet aksioneve. Ai tha se si inspektorat i japin gjithmonë prioritet konsumatorit, sepse fatkeqësisht ankesat janë në shtim e sipër.

“Ne si inspektorat i Ministrisë së Tregtisë japim gjithmonë prioritet konsumatorit. Do të thotë se menjëherë marrim masa ndaj atyre keqbërësve të cilët kanë mashtruar konsumatorët, qoftë raft-arkë, qoftë mashtrim nëpërmjet aksioneve siç po thoni ju edhe për këto marrim masa”, thotë kryeinspektori Syla.

Konsumatorja Abide Behluli nga Prishtina thotë se ka produkte të mira në treg me çmime të lira, por ka mungesë të parave tek konsumatorët. Ajo thotë se të gjitha produktet me sa ka parë ajo nëpër markete, janë kryesisht cilësore.

“Çmimet boll të lira janë, veç s’po kemi pare”, tha Behluli.

Konsumatorë të tjerë pas kamerës së KosovaPress, kanë shprehur brengat e tyre se në prag të festave për veç mashtrimeve me çmime, marketet edhe po i rrisin çmimet nga realet sa janë në muajt tjerë.