LAJMI I FUNDIT:

Sulltan Erdogani

“Kombi i madh, fuqi e madhe”, ishte motoja e Kongresit të Katërt të përgjithshëm të Partisë për Drejtësi e Zhvillim, e mbajtur para disa kohe në Turqi. Adalet ve Kalkınma Partisi, shkurt e njohur si AKP, është subjekt politik i qendrës së djathtë me koncept social konservator e themeluar në vitin 2001 me kryetar Recep Tayyip Erdoganin. Ky kongres rizgjodhi kryetarin e partisë dhe afirmoi ambiciet e saja deri në vitin 2023, kur edhe Republika e Turqisë do të festojë 100 vjetorin e formimit të saj.

Ky kongres i AKP-së tërhoqi vëmendjen e mediave për arsye të ndryshme, ndër më kryesoret është fjalimi i liderit të partisë, i cili ishte shumë më ndryshe nga radhët tjera të fjalimeve të tij, qoftë në parti apo edhe në pushtet.


Erdogan është politikani më i fuqishëm dhe më popullori që ka pasur Turqia, ndoshta prej formimit të saj si republikë. Kryeministri turk Erdogan edhe vet krenohet, sepse me të drejtë ai dhe Turqia si tërësi kanë pasur arritjet më të mëdha ekonomike e politike, sidomos gjatë këtyre viteve nën drejtimin e garniturës politike të ofruar nga AK partia.

Erdogan në këtë Kongres, përveç retorikës emocionale të cilën e përçoi para audiencës, ku tek simpatizantët e tij u pa si lideri më i merituar për popullin turk, kurse për kundërshtarët si demagog e ndoshta edhe “diktator” i ardhshëm, kërkoi leje nga partia e tij që të kandidojë për kryetar për mandatin e fundit, në pajtim me statutin e partisë.

Vizioni i dhjetë viteve të ardhshme për Turqinë, i cili ka hiq më pak se gjashtëdhjetë e dy objektiva. Ndërsa, rikujtimi për Betejën e Manzikertit të vitit 1071 ishe ajo që nxori mendimin e paraqitur në mediat botërore se kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pretendon të bëhet “Sulltan” i “Perandorisë Turke”.

Duhet kujtuar se kjo betejë për shumë turq është ndjellëse dhe shumë domethënëse, ngase aty Perandoria Osmane pati zgjerimin e madh të saj, duke mposhtur fuqinë udhëheqëse të krishtere të asaj epoke, Perandorinë Bizantine.

Më 2071 bëhet njëmijë vjet nga kjo betejë, të cilën Erdogan tha se duhet kujtuar, përveç njëqindvjetorit të Republikës së Turqisë.

Rishqyrtimi i funksionit të ushtrisë dhe policisë turke si dhe ndryshimi i sistemit qeverisës nga ai presidencial apo gjysmë-presidencial, janë preokupimet kryesore të partisë së Erdoganit. Në aspektin ekonomik, Republika e Turqisë është më e stabilizuar se kurrë, në atë diplomatik ajo ka pasur ngritje duke e shtrirë interesin gjeopolitik të saj, sidomos në ato hapësira të cilat ishin nën qeverisjen e Perandorisë Osmane në të shkuarën.

Ndër të tjera, kryetari i AKP-së në Kongres nuk foli për reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian për procesin e integrimit. Përkundrazi foli për nevojën e respektimit të të drejtave të besimtarëve në vendet e BE-së.

Duhet kujtuar këtu që Republika e Turqisë është kandidate për anëtarësim në BE që nga vitit 1987, por që nga ajo kohë ka ngelur vetëm kandidate.

Shikuar këto në një fotografi, jo pa të drejtë krijohet imazhi i një Sulltan Erdogani, tamam si në kohët e vjetra të Sulltanëve osmanlinj.

Mediat nxorën disa sulltanë të cilëve do të mund tu ngjante kryeministri turk Erdogan. I pari në këtë listë, gjithherë sipas mediave, është krahasimi në mes të Sulltan Selimit të Parë dhe “Sulltan” Erdoganit. Sulltan Selimi i Parë para se të fillonte invadimin në Egjipt, Siri dhe në pjesën perëndimore të Persisë, i rifreskoi marrëveshjet me forcat evropiane të kohës për të mos hapur front të ri në të njëjtën kohë. Hapësirat më të rëndësishme për Sulltan Selimin e Parë ishin Meka dhe Medina.

“Sulltan” Erdogani emëroi urën e tretë të Stambollit në Bosfor me emrin e Sulltan Selimit të Parë. Ngjashëm si Sulltan Selimi i Parë, edhe “Sulltan” Erdogani e kuptoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në, por Lindja e Mesme është fokusi kryesor i tij.

I dyti në këtë listë, gjithherë sipas mediave, është krahasimi në mes të Sulltan Mahmudit të Dytë dhe “Sulltan” Erdoganit. Sulltan Mahmudi i Dytë ishte i njohur për përplasjet e tij me trupat speciale të njohur si jeniçerë, të cilët ndërhynin në politikën e pallatit. Pas shtypjes së tyre, Mahmudi i Dytë inicioi Tanzimatin, reformë kjo e menduar për ta modernizuar dhe properëndimizuar Perandorinë, e cila pati një rënie dhe si përpjekje për të fituar favor me Evropën. Sikurse ky sulltan edhe “Sulltan” Erdogani inicio kufizimet e pushtetit të ushtrisë në politikën turke. Në mandatet paraprake, “Sulltan” Erdogan bëri përpjekje për reformë në përputhje me kriteret e nevojshme për të fituar hyrjen në BE.

I treti në këtë listë, gjithherë sipas mediave, është krahasimi në mes të Sulltan Mehmetit të Dytë dhe “Sulltan” Erdoganit. Sulltan Mehmeti i Dytë ishte ai që morri Stambollin e sotëm dhe e çoi në përmbysje Perandorinë Bizantine. Ky sulltan e koncentroi fuqinë e rindërtimit të Stambollit si qendër ekonomike e politike të Perandorisë së tij. Ashtu sikurse edhe te Sulltan Mehmeti i Dytë, edhe te “Sulltan” Erdogani ka zënë vend të veçantë në zemrën e tij Stambolli. Si kryebashkiak i qytetit gjatë viteve të ’90, ai përqendroi vëmendjen e tij në trajtimin e çështjeve të cilat preokuponin Stambollin. Si kryeministër planifikoi të ndërtojë aeroportin e tretë, një urë shtesë në Bosfor dhe një kanal anijesh në Detin e Zi. Sikurse edhe Sulltan Mehmeti i Dytë edhe “Sulltan” Erdogani ka thënë se Stambolli duhet të jetë urë midis Lindjes dhe Perëndimit.

Së fundi në të listë është Sulltan Abdulhamidi i Dytë. Ai ishte sulltani i cili sundoi mbi Kushtetutën e parë të Perandorisë. Edhe pse me kundërshtarë, ai sundoi për 30 vite duke e instaluar me mjeshtri politikën e tij dhe duke forcuar sundimin e tij absolut. Ndryshe nga Sulltan Abdulhamidi i Dytë, “Sulltan” Erdogani është lider i zgjedhur me votën e popullit, duke respektuar vlerat demokratike, por qe tentimi i tij është për ndryshimet kushtetuese, me kompetenca të shtuara për presidentin, me tentim për të ardhë në pozitën e presidentit në zgjedhjet e ardhshme turke.

Duke i parë të gjitha këto, shohim se opinioni shoqëror e politik në botë po krijon me të vërtetë përshtypjen se kryeministri Erdogani pretendon të bëhet një sulltan modern i ish-perandorisë Osmane të riformatuar para afro 100 vitesh në Republika e Turqisë. Shtrirja gjeostrategjike e gjeopolitike e ndikimit të sferës së interesit për Republikën e Turqisë është mëse normale, sikur edhe i çdo shteti i cili harton synimet e veta.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i Republikës së Turqisë me të drejtë në arenën ndërkombëtare është parë si i vetmi lider i botës islame pa ndikim nga forca të tjera, krejtësisht i vetëdijshëm për pozitën e tij, dhe gëzon simpati, por edhe i padëshiruar për kundërshtarët e mendimit të tij.

Pavarësisht krahasimeve, Recep Tayyip Erdogan është lider i një vendi me ngritjen ekonomike e politike më të madhe në 10 vitet e fundit.