LAJMI I FUNDIT:

Suedia do të dhurojë nga 11 milion euro për çdo vit

Suedia do të dhurojë nga 11 milion euro për çdo vit

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë konfirmuar se do të japin 400 milion dollarë ndihmë për Kosovën brenda katër vjetësh, një shtet tjetër, Suedia, do të japë nga 11 milion euro për çdo vit apo shprehur me monedhën suedeze, nga 120 milion kruna në vit.

“Suedia do të japë 100 deri në 120 milion kruna në vit donacione për Kosovën”, deklaroi sot për redaksinë shqipe ”Jehona” të Radio Suedisë, Lars Wahlund, shef për Ballkanin në departamentin për punë të jashtme të Suedisë, i cili i prin delegacionit suedez në konferencën e donatorëve për Kosovën që mbahet të premten në Bruksel.

”Pa donacione do të errësohej e ardhmja e Kosovës por me donacione as nuk zgjidhen të gjitha problemet me të cilat përballet Kosova sot”, thotë Lars Wahlund dhe konstaton se Suedia do të qëndrojë në Kosovë si një vend i fuqishëm donator për të nxitur zhvillimin ekonomik, investimet e reja dhe mirëqenien e njerëzve./Telegrafi/