LAJMI I FUNDIT:

Stefan Zweig, shkrimtari që ëndërronte një botë pa kufij

Stefan Zweig, shkrimtari që ëndërronte një botë pa kufij

Benjamin Ramm

Shtatëdhjetepesë vjet më parë, në shkurt 1942, shkrimtari më i pëlqyer në Evropë, kreu vetëvrasje në një shtëpi në qytetin brazilian të Petropolisit, 10 mijë kilometra larg vendlindjes së tij, Vjenës. Në vitin para se të vdiste, Stefan Zweig përfundoi dy studime ballafaquese – “Bota e djeshme: Kujtimet e një evropiani”, një elegji për një qytetërim tashmë të konsumuar nga lufta; dhe, “Brazili: Toka e të ardhmes”, një portret optimist i një bote të re. Historia e këtyre dy librave dhe e refugjatit që i shkroi ato, ofron një udhërrëfyes në kurthin e nacionalizmit dhe traumën e mërgimit.


Zweig kishte lindur në vitin 1881 në një familje të kulturuar dhe të pasur hebrenjsh në Vjenë, kryeqyteti i Perandorisë së Habsburgëve, ku austriakët, hungarezët, sllavët dhe hebrenjtë – mes shumë të tjerëve – bashkëjetonin në harmoni. Sundimtari i tyre ishte poligloti Franz-Jozephi i I-rë, i cili në fillimin e mbretërisë së tij në vitin 1867, shpalli se “të gjithë racat e Perandorisë kanë të drejta të barabarta dhe secila racë ka një të drejtë të pacenueshme për ruajtjen dhe përdorimin e kombësisë dhe gjuhës së vet”.

Franz Josephi ishte një autokrat i fortë dhe mbretërimi i tij nuk duhet të romantizohet, por i ofroi Zweigut një model të pluralizmit kulturor, në një kohë kur Evropa ishte duke u konsumuar në nacionalizëm. Biografi i, tij George Prochnik, vëren se Zweigu bënte thirrje për themelimin e një universiteti ndërkombëtar, me degë në çdo kryeqytet të madh evropian, si dhe një programi shkëmbimesh me rotacion i cili do të prezantonte të rinjtë me etni dhe fe të tjera.

Zweigu filloi të shkruajë “Bota e djeshme” pas largimit nga Austria në vitin 1934, duke parashikuar nazifikimin e Atdheut të tij. Ai e përfundoi draftin e parë në New York në verën e vitit 1941 dhe postoi versionin përfundimtar, shtypur nga gruaja e tij e dytë Lotte Altmann, duke ia dërguar botuesit një ditë para vetëvrasjes së tyre të përbashkët. Tashmë Perandoria e Habsburgëve ishte “zhdukur pa lënë gjurmë”, shkruan ai, dhe Vjena ishte “katandisur në statusin e një qyteti provincial gjerman”. Zweigu u bë pa shtetësi: “Pra, unë i përkas tani askundit, unë jam një i huaj, apo në rastin më të mirë – një mysafir kudo”.

Kujtimet Zweigut janë kthjelluese në portretizimin që i bëjnë natyrës çorientuese të mërgimit. Në qytetet ku dikur Zweigu brohoritej, tashmë librat e tij digjeshin; epoka e artë e “sigurisë dhe prosperitetit dhe rehatisë” ia kishte lënë vendin revolucionit, paqëndrueshmërisë ekonomike dhe nacionalizmit, “murtaja fundit që ka helmuar lulen e kulturës sonë evropiane”. Vetë koha është ndërprerë: “Të gjitha urat janë thyer mes të sotmes, të djeshmes dhe të pardjeshmes”.

Një nga shqetësimet më të mëdha të Zweigut ishte humbja e shtëpisë së tij gjuhësore. Ai ndjente “një turpërim të fshehtë dhe torturues”, që ideologjia naziste ishte “konceptuar dhe hartuar në gjuhën gjermane”. Ashtu si poeti Paul Celan, i cili kreu vetëvrasje në Paris, Zweig mendonte se gjuha e Schillerit, Goethes dhe Rilkes ishte pushtuar nga nazizmi dhe ishte deformuar në mënyrë të pakthyeshme. Pasi u zhvendos në Angli, ai ndjehej “i burgosur në një gjuhë të cilën nuk mund ta përdorte”.

Tek “Bota e djeshme”, Zweigu përshkruan lehtësinë e udhëtimit pa kufij, para vitit 1914 – vizitave në Indi dhe SHBA, pa pasur nevojë për një pasaportë apo vizë – një situatë e pakonceptueshme kjo për brezin midis dy luftërave. Tani ai, ashtu si të gjithë refugjatët, përballej me poshtërimin e negociimit me një burokraci të ngathët. Zweigu përshkruante “burokraciofobinë” e tij të fortë, teksa zyrtarët e emigracionit i kërkonin gjithnjë e më shumë dëshmi identiteti. Vetë Zweigu u thoshte me shaka miqve të tij se në përshkrimin e punës kishte vendosur: “Dikur shkrimtar, tani ekspert në viza”.

Teksa forcat e Hitlerit përhapeshin në të gjithë Evropën, Zweigu u zhvendos nga banesa e tij në Bath në Mbretërinë e Bashkuar, në Ossining, New York. Atje ai ishte pothuajse i panjohur për të gjithë, përveç refugjatëve të tjerë të cilët nuk kishin lidhjet dhe rehatinë e tij materiale dhe që shpesh i bënin apel bujarisë së tij legjendare. Zweigu nuk ndjehej në shtëpi në SHBA – ai e konsideronte amerikanizimin si shkatërrimin e dytë të kulturës evropiane, pas Luftës së Parë Botërore – dhe shpresonte të kthehej në Brazil i cili e kishte magjepsur gjatë një turneu leksionesh në vitin 1936.

“Brazili: Toka e të ardhmes”, është një lartësim lirik i një kombi, bukuria dhe bujaria e të cilit i kishin lënë përshtypje të thella Zweigut. Ai ishte shumë i befasuar nga ky vend dhe qortonte veten për injorancën dhe “arrogancën evropiane”. Zweigu shkruan për historinë, kulturën, ekonominë dhe gjeografinë e Brazilit, por mendimet e vërtetë të librit burojnë nga këndvështrimi që ai ka për kontinentin e tij.

Në përshkrimin e Zweigut, Brazili shndërrohet në gjithçka që ai do që Evropa të jetë: sensuale, intelektuale, e qetë dhe e kundërvënë ndaj militarizmit dhe materializmit. Në Brazil nuk ka “fanatikët e racës” si në Evropë, nuk ka “skena të ekstazive të çmendura dhe adhurimit të heronjve” si në Evropë, nuk ka “nacionalizëm të marrë dhe imperializëm” si në Evropë, dhe nuk ka “vetëvrasje” si në Evropë.

Në kadencat shabllone dhe ngjyrat e saj, Brazil është rrënjësisht i ndryshëm nga imazhi ndrydhur i Habsburgëve Vjenës, por bukuria e identitetit të saj hibrid duket se përligj opinionin e tij. Në Brazil, pasardhësit e Afrikës, emigrantët portugezë, gjermanë, italianë, sirianë dhe japonezë, janë përzier lirisht: “Të gjitha këto raca të ndryshme jetojnë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin”. Brazili mëson Evropën si të jetë i qytetëruar: “Ndërsa bota jonë e vjetër është më shumë se kurrë e sunduar nga përpjekjet e çmendura për të edukuar njerëzit mbi racën e pastër, ngjashëm me garat me kuaj dhe qentë, kombi brazilian për shekuj me radhë është ndërtuar mbi parimin e një martesë të përzier pa presion… Ajo është lëvizë duke parë fëmijët e të gjitha ngjyrave – çokollatë, qumësht dhe kafe – tek kthehen nga shkollat e tyre krah për krah … nuk ka ngjyra, nuk ka segregacion, nuk ka klasifikimi arrogant”!

Stefan Zweigu besonte në një botë pa kufij, por ai erdhi e u përcaktua prej tyre: “Kriza ime e brendshme konsiston në atë që unë nuk jam në gjendje të identifikohem me unin e pasaportës sime, me vetveten e mërgimit”. Kjo gjë e mundonte Zweigun (“Ne jemi vetëm fantazma – ose kujtime”). Në letrën e vetëvrasjes ai shkruante se ishte “i lodhur nga vite të tërë bredhjesh pa një shtëpi”.

Stefan dhe Lotte, të dy bashkë shkruanin: “Ne nuk kemi të tashme dhe të ardhme… Ne vendosëm, të lidhur në dashuri, që të mos e lëmë njëri-tjetrin”. /Marrë me shkurtime nga BBC/Në shqip nga: www.bota.al/