LAJMI I FUNDIT:

“Spektakli” i dështuar mediatik i dy qeverive

“Spektakli” i dështuar mediatik i dy qeverive

Në Prizren, dy qeveritë shqiptare në Ballkan, Kosova dhe Shqipëria, vendosën që t’i ndajnë nga 50 mijë euro për Luginën e Preshevës, duke krijuar kontributin e përbashkët prej 100 mijë eurosh. Në opinion u plasua informata nga ajo mbledhje se u “formua fondi për Luginën”, e jo siç dihej fillimisht se këto mjete ishin premtuar kohë më parë nga Rama për repartin e Maternitetit në Preshevë. Por, meqë në ndërkohë Ministria serbe e Shëndetësisë i kishte kryer këto investime, u shfaq edhe kjo “dilemë”.

Kjo shumë i bie përafërsisht nga 1,5 euro për një shqiptar të Luginës, ose sa shuma njëditore e taksës kufitare që merrej nga ata shqiptarë të mjerë të Luginës së Preshevës, për çdo ditë të lume, për t’ju lejuar hyrjen në tokën e "Kosovës nënë".


Për ta pasur më të qartë, kjo “ndihmë vëllazërore” për shqiptarët e Luginës është po aq sa shuma e parave që ndanë Serbia për çdo pesë orë, d.m.th. sa një e katërta e ndihmës për serbët e tjerë që jetojnë gjithandej nëpër Kosovë. Serbia ndanë rreth 450 mijë euro në ditë, ose rreth 170 milionë euro në vit për serbët e Kosovës, pa i llogaritur investimet kapitale qindra milionëshe në veriun e Kosovës, që arrijnë rreth 450 milionë euro në vit.

Ndihma e Serbisë për serbët e Kosovës nuk është vetëm materiale – në të holla. Përkundrazi, ajo ndihmë konsiston edhe në mbrojtjen e tyre nga shteti amë me financimin e shërbimeve publike, me forca të sigurisë, armatim e çka jo tjetër, madje edhe duke i përzënë shqiptarët e Mitrovicës së Veriut nga banesat dhe nga shtëpitë e pronat tjera të paluajtshme.

Kurse, në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka investuar asnjë cent në Luginë të Preshevës, si dhe nuk ka ofruar asnjë formë ndihme qoftë materiale, qoftë në mbrojtjen e tyre, për t’u dalë zot si pjesë e një kombi dhe gjaku.

Kjo u pa qartë edhe lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së gjatë vitit të kaluar, kur më 20 janar 2013, herët në mëngjes Serbia dërgoi forca të mëdha të xhandarmerisë së armatosur, për ta grabitur lapidarin në mënyrë spektakolare.

Me këtë rast, Hashim Thaçi, i zënë ngushtë nga paaftësia e pamundësia për t’i ndihmuar sadopak ata shqiptarë të mjerë, si i trullosur dhe i çorientuar nuk kishte idenë kah t’ia mbajë. Prandaj, shfryu vrer mbi shqiptarët e Luginës. Ndërkaq, obligimin parlamentar të Qeverisë së Kosovës, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e 6 qershorit 2013, për hapjen e zyrave të Luginës në Prishtinë dhe Gjilan, e ka harruar fare!

Kjo flet qartë për sinqeritetin e kryeministrit Thaçi dhe të qeverisë që ai udhëheq, duke dashur që shqiptarët e Luginës së Preshevës t’i instrumentalizojë duke u mbështetur në disa liderë servilë dhe poltronë.

Mos interesimi i pakuptueshëm dhe ekstrem i Thaçit për Luginën e Preshevës shihet edhe nga mospërfillja e tij ndaj tyre. Nga gjashtë vjet të udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës, ai nuk i ka pranuar as një herë të vetme përfaqësuesit e Luginës. Vetëm me rastin e Lapidarit i pranoi dhe pastaj i poshtëroi. Herën e dytë i ftoi “urgjentisht”, para se të takoheshin me Daçiqin. Kësaj here nuk i shau, sepse ishin afër zgjedhjet lokale dhe druhej se do t’i humbte votat e tyre, sidomos në Gjilan. Por, nuk i ndihmoi.

Megjithatë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të gatshëm ta kuptojnë, madje t’ia falin. Por, mos përmendjen e Luginës në dialogun e Brukselit e as në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, zor se do të munden t’ia harrojnë. Sepse, këtë nuk do t’ia falë as historia!

Pos cinizmit dhe mosinteresimit poshtërues të Thaçit dhe Ramës ndaj shqiptarëve të Luginës, pos spektaklit mediatik, ata nuk morën as mundimin për nismën për hapjen e Konsullatës shqiptare në Luginë, duke e ditur se Beogradi është shumë larg nga Presheva. Madje, më larg se Tirana dhe shumë vështirë është të përcillen dhe koordinohen e organizohen aktivitetet nga kjo distancë e madhe.

Andaj, Rama në takimin e tij me zyrtarët e Beogradit që është paralajmëruar për muajin shkurt 2014, doemos duhet ta shtrojë edhe çështjen e hapjes së Konsullatës shqiptare në Preshevë, si pjesë e Ambasadës në Beograd. Nuk kërkojmë nga Rama që ta bashkojë Luginën me Kosovën, sepse e dimë se nuk mundet dhe nuk e bën dot, ashtu si Enver Hoxha në vizitën e tij në vitin 1946 që nuk mundi ta merrte Kosovën. Por, Konsullata është punë e vogël, që mund të na jep ndihmesë të madhe.

Po ashtu, Thaçi në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri në Prizren, as që e përmendi hapjen e zyrave të Luginës në Prishtinë dhe Gjilan, e as hapjen e Zyrës së Republikës së Kosovës në Preshevë, që do të shërbente për koordinimin e mirëfilltë të aktiviteteve të këtyre dy shteteve shqiptare në Ballkan për të shpëtuar atë që ka mbetur akoma nga shqiptarët që gjallërojnë me "gjysmë fryme" në këtë pjesë të gjeografisë shqiptare.