LAJMI I FUNDIT:

Skeptikët e hiperglobalistët

“Historia e njeriut është një varrezë e kulturave të mëdha, të cilat kanë përfunduar me katastrofa, shkaku I paaftësisë që të reagojnë ndajë provokimeve në mënyrë të planifikuar, racionale dhe në mënyrë të vullnetshme".

1. Pse e kontestojnë globalizmin?


Sot do të flasim për grupimin i cili më së shumti shfaq skepsa kur janë në pyetje: sfidat, perspektivat dhe mundësit e implikimit të diskursit dhe realitetit te globalizimit në shekullin XXI. Grupimi i parë doktrinar, kryesisht do të mund të përmblidhej si një konceptim shkencor i cili globalizmin (jo globalizimin!) e percepton ekskluzivisht si mit, përkatësisht si një maskë e rafinuar ideologjike përmes të cilit grupe të caktuara njerëzish të pushtetshëm, pra njerëz që ushtrojnë ndikim global ekonomik, tentojnë të fshehin proceset e njëmendta transformuese të kapitalizmit botëror sot.

Apologjeti më militant i këtij grupimi apo drejtimi pa mëdyshje, sot për sot është Imanuel Walerstein (Immanuel Wallerstein), për të cilin “diskursi i globalizimit, në të vërtetë, është një pakuptimësi e realitetit bashkëkohor –mashtrim i imponuar nga ana e grupeve të fuqishme.”. Për bindjen shkencore të Walersteinit, ky diskurs doemos shpie në mohimin e çështjeve relevante dhe në të kuptuarit e gabueshëm të krizës financiare dhe ekonomike në të cilën gjendet vërtetë sot bota bashkëkohore.
Këtij botëkuptimi, paksa edhe pesimist do të thoshim, i takojnë autorët të cilët tëre kohën mendojnë dhe sugjerojnë shpjegimin mitik, pra jo aparaturat shkencore, sociologjike dhe ekonomike.

Në mesin e tyre shpesh hasim autorë të cilët, në gjithë këtë kontekst të shpjegimit të këtij fenomeni mundohen ta fuqizojnë rolin e shtetit, gjë që për temën tonë mendojmë se do të jenë shumë interesant t’i analizojmë. Disa të tjerë, po ashtu nga ky korpus, konceptin e globalizimit e identifikojnë me internacionalizimin, kurse disa të tjerë, globalizimin e shpjegojnë si pasojë të rrethanave në të cilat aktualisht gjendet bota dhe shoqëritë e sotme.

Këta interpretues të globalizimit njihen në literaturë si “skeptikë” dhe të tjerëve u rekomandojnë që procesin e globalizimit ta shikojnë nga këndvështrimi i zhvillimit të vetëm asaj shtrese shoqërore që jeton nga resurset dhe kapacitet industriale me dimensione globale. Këta teoricienë, në të vërtetë, me vetë faktin se janë dilematikë në kuptimin e asaj çfarë nënkuptojmë me diskursin mbi procesin e globalizimit, na bëjnë të kuptojmë se shprehin rezerva të padiskutueshme lidhur me implikimet që mund t’i sjellë ai njerëzimit në shekullin e ri.

2. Skeptiku me dioptri “cognitiane”

Shumica prej tyre, opinionit të gjerë publik i sugjerojnë një dyshim të thellë jo cognitian, por para së gjithash do të thoshim dyshim të thjeshtë të çdo gjëje që sjell fenomeni i globalizimit, duke filluar prej të mirave materiale elementare, pra gjithë atyre të mirave që kanë të bëjnë kryesisht me: standardin dhe mirëqenien e përditshme të një qytetari kudo që gjendet ai në rruzullin tokësor.

Ata po ashtu tezën mbi “fundin e historisë” fukujamiste, e bastardojnë aq shumë sa që e përdorin vetëm kur dëshirojnë të vënë në spikamë ndryshimet në rrafshet paragjykuese, por jo edhe sosh shkencore e metodologjike që sot në botën akademike janë të shumta dhe deri diku edhe bindëse…jo për të gjithë.

Thënë më ndryshe, për ta bota akoma nuk ka pësuar ndryshimesh aq të mëdha (të cilat hiperglobalistët i evidentojnë në agjendat e tyre publikë, akademikë e shkencorë), sa që ia vlen të krijohet një mobilizim i ri politik, ekonomik, juridik, shkencor, etj. Për ta në të vërtetë globalizimi paraqet vetëm ”mashtrim dhe një përralle” të llojit të vet që si në të kaluarën, sunduesit e ndryshëm e kanë përdorur me mjeshtëri si mjet i sofistikues për të shtrirë dhe ushtruar ndikimin e vet sa me gjerë në masat e gjëra, pra në publik.

Tregimi mbi globalizimin për ketë grupim në të vërtetë është një metaforë shumë e sofistikuar për amerikanizimin e gjithë botës, por me mjete të reja. Anthony Giddens, bie fjala, thekson se ”disa njerëz me ndikim në Perëndim janë të bindur se globalizimi në të vërtetë është vetëm një formë e perëndmizimit, se në të shohin një shans të mirë të shprehjes se urrejtjes ndaje vendeve tjera”.

Kurse Noam Comski shkon edhe me tej në ketë pozicionim paragjykues, duke shtuar se “globalizimi në të vërtetë është një mashtrim ordinar i elitës perëndimore, e cila dëshiron të ushtroje pushtet të vetin mbi gjithë botën”.

3. Hiperglobalistët

Grupimi tjetër interpretues, kur është fjala për fenomenin e globalizimit, sidomos çështja e shtrirjes, thellësisë dhe intensiteti i ndryshimeve permanente në strukturën dhe stratifikimin e shoqërive të sotme, kanë apo preferojnë një dioptri pak më të sofistikuar të analizimit dhe shpjegimit të fenomeneve në shoqëritë bashkëkohore.

Në të vërtetë, ky grupim analitikësh, shkencëtarësh, publicistësh dhe sociologësh ndryshimet e ndodhura me dinamikën e një shpejtësie marramendëse, në të gjitha sferat e shoqërive bashkëkohore, pretendon jo vetëm t’i arsyetojë por edhe t’i shpjegoje si pasojë të globalizimit. Do thënë se sikurse në grupimin e mëhershëm të skeptikëve, edhe në këtë grupim ka dallime strukturore, politike, ideologjike në shpjegimin e fenomenit të globalizmit. Ky grupim është aq heterogjen në pikëpamjet e veta, sa që ngandonjëherë fitohet përshtypja se kemi të bëjmë me grupime tërësisht të ndara dhe të kundërshtuara ndërmjet vete.

Kështu p.sh., disa prej tyre pretendimet e veta për ta njohur dhe studiuar konceptin e globalizimit aspirojnë t’i konsultojnë (pra fare nuk hezitojnë, dhe nuk janë fare të kompleksuar për këtë!?) edhe konceptet e vjetra teorike, këtu mendojmë para së gjithash në teoritë e modernitetit dhe ato marksiste.

Prirjet e tyre shpjeguese sillen rreth botëkuptimit se globalizimi si proces botëror, në njërën anë identifikohet me procesin e zhvillimit permanent të teknologjisë, pra westernizimin apo siç po thuhet zakonisht, amerikanizmin e botës, kurse në anën tjetër me procesin e përsosjes se imperializmit, apo vijimin e mëtejmë të kolonializmit të kulturave dhe civilizimeve të reja. Por, ky grupim fenomenit të globalizimit i qaset në forme shumë më afirmative, pra jo paragjykuese, duke u bazuar në faktin se në botën e komunikimeve të u shtuar nevoja e identifikimit me paradigmat, tanishme globale është duke vlerat dhe normat e një rendi të ri botëror, i cili do sjellë vetëm begati dhe prosperitet material për shoqëritë dhe qytetarët.

Sipas hiperglobalistëve, me globalizim krijohen mundësitë e një ekonomie të re dhe unike botërore, ku marrëdhëniet lokale marrin një dimension të ri identifikues, ndërsa roli i shtetit si instrument i kontrollit mbi qytetarët e vet reduktohet në atë masë sa që në një të ardhme jo fort të largët ai do të mbetet vetëm një relikt i një të kaluare të bezdisshme, meqë roli i tij, së bashku me sovranitetin i cili është ruajtur me aq xhelozi sa që janë shkaktuar luftëra të përgjakshme në histori, do të bartet në kompanitë e mëdha transnacionale që sot janë prezent në gjithë rruzullin tokësor.

Kjo periudhë, për mendimin dhe sugjerimin e këtij grupimi, do të shënojë fillimin e fundit të shteteve kombëtare!

Njëri ndër emrat më të njohur të këtij grupimi sociologjik, padyshim është ai i Frensis Fukajames (i cili bëri bujë të madhe në qarqet akademike botërore me sintagmën e tij të njohur mbi ”fundin e historisë”), i cili konkludon se kushtet e përgjithshme aktuale në botë, sidomos në sferën shoqërore, ekonomike dhe politike, njerëzimin janë duke e shpënë në një kohë të re, ku për herë të parë në historinë e njerëzimit një ideologji (demokracia liberale) e vetme do të mund t’u japë përgjigje pothuajse të gjitha nevojave dhe synimeve të njeriut, pra kohën (siç e quan ai) e “fundit të historisë”.

Ku konfliktet dhe kontestet e ndryshme ndërkombëtare do të eliminohen, ngaqë përmes “statusit qytetar”, të cilin ata do ta fitojnë gjatë përpjekjeve për t’u integruar në këtë formë të re të organizimit do të mund t’i realizojnë të gjitha synimet e tyre në të ardhmen. Ky autor, kur është fjala për fundin e Luftës se ftohtë që u identifikua me kolapsin e komunizmit në fundin e shekullit të kaluar dhe paraqitjen e frymës së re neoliberale, thotë: “Ajo për të cilën jemi dëshmitarë ne sot nuk ka të bëjë vetëm me fundin e Luftës së ftohtë, por edhe me fundin e mileut ideologjik të njerëzimit dhe zgjerimin e demokracisë liberale perëndimore, e cila përfundimisht u dëshmua si forma më e përsosur e sundimit njerëzor.

4. Intenca e globalizmit

Intenca kryesore e globalizimit për procesin e rritjes se ndikimit ne sferën ekonomike, përmes gjykimet se: “Vetëm privatizimi, privatizimi dhe vetëm privatizimi”, mund t’i shpëtojë vendet e tranzicionit, duket që kohëve të fundit është bërë një barrierë, jo vetëm psikologjike, por edhe sish politike, me vete faktin se vendet e dala nga komunizmi akoma s’po munden të shkoqitën nga procedurat burokratike te administrimit, përkatësisht korruptimit dhe krimit te organizuar ne nivel shtetëror. Kështu që dyshimet tek proceset e reja globalizuese edhe me tej mbetën një sfidë në vete. Grupim i tretë përbën branshën e atyre autorëve, të cilët konceptin e globalizimit e pranojnë me më pak rezerva, bile rezerva shumë të theksuara. Sipas tyre, me ketë koncept më së miri do të mund të ilustrohen zhvillimet ekonomike, politike dhe kulturore të fundshekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Këta, për dallim nga skeptikët, tendencën e globalizimit e pranojnë pa rezerva të mëdha, bile për ta dukuria e globalizimit të segmenteve të ekonomisë, politikës dhe kulturës mundëson një vizion dhe rregullim shumë të qëndrueshëm në dekadat që po hyjmë si shoqëri botërore.

Robert Halton, një akademik i njohur dhe ithtar i këtij grupimi, me fenomenin e globalizimit prejudikon “përmasat zhvillimore të botës”. Thënë më shkurt, këta shkencëtarë botëkuptimin e tyre e ndërtojnë në baza të nevojës dhe domosdoshmërisë që i kanë shoqëritë në shekujt e ardhshëm. Sot, kur tentohet të përkufizohet me argumente sociologjike, e sidomos me gjuhën e ekonomisë, ky fenomen që ka hyrë në të gjitha diskurset e mundshme akademike gjithnjë mbetet diçka pa u shtjelluar apo pa u futur në dioptritë shkencore të këtyre niveleve.

Lidhur me debatin mbi procesin e globalizimit në fillim të viteve ’90-ta, Anthony Giddens me të drejtë pati potencuar se globalizimi është termi, që do zërë vend qendror në leksikonet e të gjitha shkencave shoqërore. Ne edhe pse do të pajtohemi me këtë sintagme të njohur të Giddensit, do shtonim vetëm se ende nuk është arritur ndonjë pajtim i përgjithshëm para së gjithash akademik, lidhur me përkufizimin e konceptit të globalizimit.

Më sipër kemi mundur përafërsisht të perceptojmë çështjen e definimit dhe përkufizimit të konceptit globalizëm, tani do të provojmë të hulumtojmë se çfarë në të vërtetë nuk mund të shquhet si globalizim. Në esencë, lidhur më këtë çështje sot në literaturën e bollshme mund të hasim shumë imponime shkencore e joshkencore, të cilat bëjnë përpjekje të studiojnë përmbajtjen (jo edhe formën, se forma është diç që mund të shihet) e margjinave të sferave të cilat i bëjnë apo i kanë bërë rezistencë procesit gjithëpërfshirës të kapitalizmit, apo neoimperializmit shumë më të sofistikuar. Në këtë drejtim, edhe pikëpamjet apo këndvështrimet e thella, siç janë p.sh. ato të Jozef Shumepterit.

Nëse, sipas Schumpeterit pretendimi i kapitalizmit bie ndesh me logjiken e tij të ”racionalizimit të trurit”, atëherë si mund të shpjegohet, bie fjala qëndrueshmëria e tij ndaj sistemeve tjera gjatë shekujve të kaluar, kur kihet parasysh konkurrenca e shkatërruar gjatë mileniumit të kaluar me komunizmin? Meqë objekti ynë i fokusimit nuk do të përqendrohet në shpjegimin e shkaqeve dhe pasojave të kësaj gjendjeje të favorshme për kapitalizmin, e tash neoimperializmin e shquar me eufemizëm si globalizëm, ne vetëm do të përmendim kalimthi se termi apo procesi i globalizmit (pra neoimperializmit) rezulton si pasojë e arritjes së një shkalle shumë të lartë të akomodimit pikërisht të “racionalizimit…” të Schumpeterit dhe rrethanave historike, të cilat vërtetuan pikërisht të kundërtën e asaj që e prejudikoi Schumpeteri, një skeptik i madh i demokracisë….

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
Ai ishte yll i futbollit - tani në moshën 31-vjeçare mund të kthehet aty ku e nisi karrierën

Ai ishte yll i futbollit - tani në moshën 31-vjeçare mund të kthehet aty ku e nisi karrierën

Ndërkombëtare
Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Evropa
Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Lajme
Kalo në kategori