LAJMI I FUNDIT:

Siria dhe lufta në brigjet e saj

Bota e rëndomtë bazohet në fotografi, filmime dhe lajme gojore e të shkruara mbi të cilat mandej mundohet të krijojë opinionin e vet të drejtë. Nuk ka dyshim se nga mediat pamore, bota njeh helmimin e egër, si të them, të “sarinuar” me njerëz e me gjallesa që u ndodhën në vendin dhe momentin e hatashëm të gaz-helmimit rrënqethës.

Pse Bashar el Asadi nuk lëvizi aspak për të shprehur keqardhjen e tij dhe të njerëzve që i ka me vete? Sidomos nëse (si që pohon ai) janë kryengritësit që hodhën helmin! Kjo akoma më shumë e rëndon atë si njeri e si kryetar shteti. Ai nuk lëvizi aspak edhe kur Ban Ki-mun i përkujtoi se përdorimi i armëve kimike “është krim kundër njerëzimit”. Për më tepër, i dha një deklaratë të përditshmes ruse Izvestia, në të cilën gjithashtu nuk tha asnjë fjalë për familjet e helmuara. Kundërshtoi me përbuzje kërcënimet e perëndimorëve, por edhe lejoi vizitën e kuarteve të prekura me gaz – pesë ditë pas hedhjes, duke ditur se gjurmët shlyhen vetvetiu pas këtij afati dhe gjasat për të hasur në prova janë minimale.


Këto momente të ditëve të fundit vetëm se e rënduan gjendjen dhe dhanë shkas për një intervenim i cili përgatitej ndoshta edhe më parë se të fillojnë trazirat në Siri. Gabimet e pushtetarëve sirianë qëndrojnë në faktin se ata me kryeneçësi mbaheshin (dhe mbahen) për kolltukët ku janë ulur me dhjetëra vite në vend që të angazhohen me vetëmohim në biseda me opozitën: të organizojnë ndoshta zgjedhje (sa më) të lira dhe të kenë edhe “dhentë në numër edhe ujqit e ngimë”.

Nuk është për t’u habitur se mu kështu Asadi do të ruante pushtetin më së miri, sepse opozita është shumë më e panjohur perëndimorëve dhe nuk dihet kahja e politikës eventuale që mund të udhëhiqnin në rast fitoreje. Por, kjo tani është hipotezë e tejkaluar dhe bota gjendet para një lufte të re të pabarabartë në numër dhe në teknologji. Kjo pabarazi forcash është më shumë pozitive nëse kihen para syve rrjedhojat në kohëzgjatje dhe me këtë pasojat e panumërta në infrastrukturë e sidomos humbjet e jetës njerëzore.

Para disa muajve, Asadit iu larguan disa figura të larta të ushtrisë që bëri të duket se ai u dobësua dhe do të humb pushtetin por, siç dihet, askush në këto momente nuk ishte i interesuar të ndihmojë kryengritësit e paqartë në politikën e ardhme të tyre. Perëndimi ngadalësoi çdo ndihmë dhe Asadi rimori fuqi dhe ndrydhi kryengritësit nga territoret e fituara më parë. Një sulm eventual ishte gati i pamundshëm, sidomos nga shkaku se shefi i shtatmadhorisë së armatës amerikane, gjenerali Martin Dempsey, erdhi në përfundim se rezultatet përfundimtare të një lufte në kushtet e asaj kohe ishin të hipotetike.

Ai, në letrën e vet Kongresit ku përveç tjerash, rëndësi të posaçme i dha faktit se asnjëra nga fraksionet në anën e kryengritësve nuk mbronin interesat amerikane. Vetëm pas përdorimit të helmeve ShBA-të dërguan “destroyerin” e katërt dhe sot (e enjte 29 gusht ’13) edhe atë të pestin ia bashkëngjitën flotës së tyre të gjashtë në Mesdhe. Franca po ashtu e nisi nga Libia aeroplanbartësin e posa renovuar, “Charle-de-Gaulle”, që vërteton synimet e një intervenimi të ngjashëm me atë kundër Gadafit.

Të gjithë anët ndryshuan zërin. Paralajmërimet e kërcënimet mbisundojnë në fjalorët e palëve. Obama posa propozoi disa opsione të reja duke cituar njëherazi se ShBA-të kanë bazat e tyre ushtarake në Turqi, shtet kufitar me Sirinë, nga ku avionët Mirage e Rafale mund të stacionohen në Qipro, pra përballë Sirisë. Armata e Lirë Siriane, e ushtruar nga amerikanët, do të kyçet nga Turqia e sidomos nga Jordania, ku faktikisht edhe janë bërë ushtrimet që i përmenda më lart.

Kur përmendet Turqia, perëndimorët në krye me ShBA-të bëjnë mirë që në mënyrë diskrete vendosën mos ta inkuadrojnë në këtë luftë sepse dihet, në këtë rast, nga Siria do të tentohej ndonjë sulm sa për të tensionuar gjendjen dhe ndoshta involvuar drejtpërsëdrejti edhe Rusinë në luftë të hapur.

Sido që të jetë, kryeqytetet nisur nga Shami (Damask), Teherani dhe Moska, mendojnë se këto janë vetëm forma kërcënimi për të mposhtur Asadin dhe se nuk janë paralajmërime të njëmendta për luftë. Duket se një afat 72 orësh dhënë Sirisë ditën e mërkurë, po i afrohet fundi. Shpresat për një zgjidhje paqësore janë gati të padukshme në horizontet vendimmarrëse në botë dhe andaj. Lufta është praktikisht e hapur.