Hana atë mbrëmje ishte e plotë. Nga dritarja hynte një fllad i lehtë plot freski nate vere. Dila i kishte hapur të dyja dritaret e dhomës që të bënin korrent. Prendi po dihaste i shtrirë në krevat. Jashtë ishte një heshtje varri. Diku larg po bëhej një dasëm. Tingujt e muzikës, edhe pse të lehtë, hynin nga dritarja. Dila hoqi rubën, lëshoi flokët, fshiu fytyrën me peshqir dhe u ul në shtrat pranë të shoqit. Vuri dy jastëkë për mbas shpine e u mbështet në ta. Po e kqyrte me kujdes kah dihaste e një pikë lot ia njomi sytë.
Prendi kishte disa ditë që ishte ashtu për shkak të hemorragjisë që kishte pësuar, por nga mbasditja nuk jepte as nuk merrte më. Vetëm sa merrte frymë.
Dila, si për herë të mbrame, u krodh ndër kujtime. Iu kujtua kur ishin martuar. Ajo atëherë as nuk e dinte kush ishte ai njeri. E kishte parë vetëm një herë në dasëm të kushrinit të tij i cili ishte prej fshatit të Dilës. Ia kishin treguar. I ati nuk e kishte pyetur fare Dilën kur e kishte dhanë. “Ashtu ishte koha, – mendoi me vete Dila, – nuk na pyeste kush”.
Një vajzë halle e vetja ishte bërë sebep. Kjo vajza e hallës ishte martuar te fisi i Prendit e u kishte thanë atyne se kishte një vajzë daje të mirë për Prendin. Fjala i kishte shku në vesh të atit të Prendit e ishte nis pa prit e pa përtu, sepse i ati Dilës ishte burrë fort në za e “burrit n’za, – thonte shpesh i ati i Prendit, Marka Prendi, – merrja cucën qorre”.
Dila dinte vetëm se e kishin fejuar, por jo se ku dhe me kë. Emancipimi i gruas, edhe pse kishte filluar të merrte hov, ende nuk kishte ardhë në shtëpinë e Dilës. Ajo e mendonte shpesh burrin e saj të ardhshëm, herë me gëzim e herë me njëfarë droje. Kishte dëgjuar shumë histori për vajza të reja që kishin marrë burra të vjetër, ose me probleme mendore apo fizike, ose thjesht pa mend në krye.
Atë ditë në dasëm ia kishin tregue se kush ishte. Ajo pa se ishte një djalë i gjatë, hollak, me një trup të drejtë, flokët të krehur anash, ngjyrë gështenjë e dy sy të zinj sterrë. Si duket, edhe atij i kishte thënë dikush se kush ishte Dila. Qe vetëm një çast që e kur shikimet u shkapetën me njëri-tjetrin, pasi Dila kishte ulur sytë menjëherë nga turpi. Ajo sapo kishte mbushur 17 vjeçe. Në prillin e vitit më pas Marka Prendi kishte shkuar te baba i Dilës e kishin nda datën për në gusht të atij viti. Prendi sapo kishte mbushur 21 vjeç.
Krushqit erdhën me zis, një zis i madh nga ato të minierave. Rruga ishte shumë e vështirë e erdhën deri diku afër fshatit. Dila kurrë nuk e kishte harruar çastin kur kaloi pragun e oborrit. E mbanin për krahësh daja dhe vëllai i vogël. Kishte qarë përnjimend dhe jo vetëm për sy e faqe. Ajo vetëm dinte se fshati ku do të shkonte nuse ishte shumë larg. E dinte këtë gjë nga kushërira e vet që ishte martuar në fis të Prendit. Ajo vinte rrallë në shtëpi të prindërve. Por, ajo po i thonte lamtumirë shtëpisë së vet, prindërve e vëllezërve e gjithë katundit ku ishte rritur. Qau thekshëm. Deri te zisi e kishin çuar me kalë.
Atje krushku i parë e mori dhe e ngjiti në kabinë. Nuk lejohej asokohe dhëndri të shkonte e të merrte nusen. Në fakt, ishte koha kur martesa ishte një ngjarje sociale. Gruaja të jepej, nuk e merrje, po ashtu edhe burri të jepej nuk e merrje. Individi ishte në shërbim të familjes e shoqërisë e jo anasjelltas.
U deshën pesë orë rrugë për të mbërritur te kulla e Marka Prendit. Sapo mbërritën ia nisi dasma. Në oborr nën tanë të rrushit ishin vendosur tavolinat e improvizuara prej dërrase. Aty ishin burrat, ndërsa në odat e kullës rrinin gratë të shpërndara nëpër dhoma përreth sofrave. Në secilën dhomë ishin mbledhur pak a shumë sipas moshës ose dëshirës, ndryshe nga vendosja e burrave që ishte sipas rregullave e familjeve.
Gratë i këndonin nuses së re duke u tallur me ndonjë nuse të vjetër. Dilës i kishte mbetur në mend dhe qeshte sa herë, një varg: Nusja jonë si lulebore / Nusja Gjinit si zog sorre.
Gjini ishte një kushëri i tyre e nusja e tij ishte shumë hokatare ndër gra. Më vonë do të baheshin shumë shoqe me Dilën. Pati shumë gëzim atë ditë. Me Dilën kishte shkuar edhe xhaja e madhe, kështu e thërrisnin nusen e axhës së madh. E kishin zakon që natën e parë nusja të flinte me një fëmijë ose më një grua të vjetër nga fisi i vet.
Natën e dytë kishte fjetur me burrë të vet. Atë natë hana kishte qenë e plotë e rrinte e shihte nga dritarja e hapur. Atë natë plot dashuri, pasi ishin dashtë, ai kishte vendosur dorën e tij të majtë nën kryet e saj e me dorën e djathtë e kishte tërhequr nga vehtja e kështu kishin pushuar nën vështrimin e hënës.
Në krye të vitit i kishte lindur djalë, Marku, e pas tij një djalë e një vajzë tjetër. Me Prendin merreshin vesh mirë. Edhe pse i ri, ai kishte shumë urti e u jepte drejtim të gjitha situatave që dilnin, qoftë edhe papritur. Jeta në kooperativë ishte e lodhshme. Zoti u fali edhe gjashtë fëmijë të tjerë, pothuaj vit më vit. Lodheshin shumë burrë e grua. Fëmijët rriteshin e shkonin në shkollë njëri pas tjetrit. Dila edhe me barkun te buza dilte në arë me shoqe për punë. Kurse Prendi ishte zetorist.
Iu ndalën për një çast mendimet, sepse iu duk se Prendi hapi sytë e donte të thonte diçka. I kishin dalë pak djersë. Mori një pece që kishte aty dhe ia fshiu djersët te balli.
“Plak a don gja?”
Ai nuk u përgjigj fare. Vazhdoi ashtu si më parë. E Dila iu kthye mendimeve të saja. Nuk kishte qenë e lehtë për të dy jeta, por e kishin përballuar me dinjitet. Ashpërsia e urtë e Prendit në familje dhe butësia e Dilës u jepnin fëmijëve ekuilibrin e jetës, atë për çka kishin nevojë. Nuk ka një jetë të lehtë, pa vështirësi. Nganjëherë jeta të sprovon, saqë të duket se është e padrejtë. Kështu kishte menduar Dila kur Prendi diku afër të dyzetave ishte sëmurë. Një mëngjes ajo ishte zgjuar nga rënkimet e të shoqit.
“Ç’ka ke burrë?”
“Mbarova grue. Po më dhemb shumë kamba. Por ndoshta e kam prej lodhjes. Dje kam punue shumë”.
“Po rri sot mos shko në punë”.
“Jo, jo, do të shkoj. Sot fillojmë plugimin e tokës për misrin e dytë”.
Ishte ngritur ashtu si gjysëm i çalë, kishte ndezur zetorin dhe ishte nisur për në punë. Por,. pas dy orësh ishte kthyer mbrapsht.
“Grue nuk jam mirë. Më ban gati rrobat e ujin se du me u la e me shku te doktori”.
Doktor Astriti, mjeku i fshatit, sa e kishte parë i kishte thënë se duhej të nisej menjëherë për Tiranë. Një melanomë ishte zhvilluar në këmbën e majtë afër kyçit. Në Tiranë e shtruan menjëherë dhe pas analizave vendosën se do t’i presin këmbën deri sipër gjurit. Fati i mirë i tij ishte se tumori rezultoi mashkull, si thonin populli në këto raste.
Sa vështirë e kishte pasur Prendi ta pranonte këtë situatë, por nuk kishte ç’të bënte. Dilës i mbeti e gjithë barra e shtëpisë. Pensioni që merrte Prendi si invalid ishte shumë i vogël për nevojat e tyre. Por, Dila nuk u tërhoq aspak. Rriti fëmijët. Prendi me paterica mundohej të bënte çka mundte nëpër shtëpi, duke punuar ndonjë bisht cakice, a lopate a sfurku që vinin e ia porositnin. Atij çdo ditë i rritej nderimi për të shoqen e Dilës dashuria e përkushtimi për Prendin.
Fëmijët u rritën e filluan të martohen. Martuan Markun e më pas vajzën. Po ashtu edhe djemtë e vajzat e tjera.
“Plakë, – i tha një ditë Prendi Dilës, – ndij mue. Fmijët duhet me i nda. Duhet me vazhdue jetën e tyne. Ma mirë tash e me paqe se ma vonë e me sherr”.
“Ti e din këtë punë plak. Je zoti shpisë”.
Në darkë i kishte thirrë djemtë e u kishte thanë vendimin që kishte marrë. Djemtë u pezmatuan e kqyrën kah gratë e tyre sikur po u kërkonin llogari. Shpesh ndarje të tilla ishin pasojë e ndonjë zënke ndërmjet vjerrave dhe nuseve, ase ndonjë fjalë e randë e thanë pavend.
“Jo, jo, mos shikoni ka nuset e juja. Ato kjoshin bekue për ne. Por ju duhet me vazhdu jetën tuej”.
Djemtë kishin pranuar, edhe pse me vështirësi. Dy lugë, dy pirunj, dy gota e dy pjata, një tigan për me zi, një raft rrobash e një krevat e secili në dhomën e vet. Ndarjet në atë kohë ishin ngjarje. Nuk ishin mësuar njerëzit me u nda, pasi jetonin të gjithë nën një kulm. Vinte edhe fshati apo të afërmit për urim e sillnin diçka. Familja e re duhej ndihmuar. Prendi e Dila kurrë nuk kishin krijuar probleme me nuset e djemve. Por, me urtinë e tyre e kishin kuptuar se kishte ardhur momenti.
Vetëm njëri prej djemve ende nuk ishte martuar. Madje as e kishte ndër mend. I vetmi që kishte shkuar në shkollë. Ishte djali i pleqnisë. Ishte edhe më i përkëdheluri.
Dila hodhi sytë edhe një herë nga Prendi. Frymëmarrja po i vështirësohej. Nxori pak sekrecione nga goja e Dila ia pastroi me kujdes. Ia përkëdheli pak kryet e iu dhimt shumë. Përsëri një pikë lot ia lagu faqen. Ndoshta edhe ai e ndjeu dorën mbi ballë, pasi edhe atij i doli një pikë lot nga sytë. Dukej sikur lotët po shihnin njëri-tjetrin e dilnin njëherësh.
Ai, pra djali i vogël, ndodhej në Tiranë kur u hapën ambasadat. Ishte në vitin e fundit te Fakulteti i Ekonomisë. Iku me shokët e u fut te Ambasada gjermane. Kur i shkoi lajmi Prendit dhe Dilës, ata sa nuk mbaruan prej dhimbjes. Dila qante ditë e natë, ndërsa Prendi u mbyll në shtëpi e nuk dilte më. Vetëm pinte duhan e nuk fuste gjë në gojë. Ishte i vetmi djali i tij nga gjithë katundi që kishte ikur. Në katund u hap zëri. Filluan mbledhjet e ta quanin tradhtar. Në shtëpinë e Prend Markut dukej sikur kishte rënë zi. “Ma mirë të më kishte dekë ai djalë!” – thonte Prendi herë me zë e herë nën zë.
Asohere iu kujtua Dilës se kishte ardhur në shtëpi një burrë i katundit që kishte qenë në burg për shumë vite. Ishte kumbarë i shtëpisë. Kishte hyrë brenda, ishte ulur dhe i kishte thënë Prendit: “Or Prend Marku qenke ngushtu fort. Por, nuk ka me kalu shumë kohë që ke me pa se djali jot ka ba gjanë ma të mirë. Kjo punë ka marrë fund. E ata që sot shajnë djalin tand e ty, nesër ke me i pasë të gjithë rrugëve për me ikë dikah. Kemi me qenë gjallë unë e ti. Po hajt tash na e nxirr ka nji pikë raki e hiqe at idhnim prej fytyret se nuk ta shoh dot.”
Në Gjermani djali bëri dokumentat, filloi punë e sapo ra sistemi krejt erdhi me taku prindërit e vllezërit. E kishin pritur si mbret e të gjithë ata që e kishin sharë tani i ishin bërë rreth duke e pyetur se si është jeta andej. Ai nuk u kishte dhënë shumë përgjigje, por u kishte thënë vëllezërve të vet: Bëhuni gati. Do t’ju bëj dokumentat e do të vini me mua. Do të ikim nga ky vend.
Prendi nuk i kishte ndalur e as Dila, por ata vetë nuk deshën të shkonin. “Nuk vij jo. Shkoni ju. Unë do të rri këtu. Nuk e la kullën e tokën e të parëve”.
Brenda një viti i mori të gjithë, vëllezër e motra me gjithë nuse e dhandrra. Prendit e Dilës kur u ikën nipat e mbesat sikur t’u kishin shkulur zemrën prej vendit. Megjithatë kishin duruar e i kishin përcjellë me buzëqeshje fëmijët. Koha kalonte e ata vazhdonin jetën e tyre në fshat. Fëmijët jetonin të gjithë në Gjermani. Filluan të vinin çdo vit në verë. Me kalimin e viteve vetëm një herë në dy vjet e filluan ta rrallojnë krejt. Nganjëherë vinin vetëm djemtë, por nuk sillnin më nuset e as fëmijët.
“Kushton shumë të vijmë të gjithë”, – thonin.
Dy pleqtë nuk thonin gjë. Kënaqeshin sa herë vinte ndonjëri e kur guxonin t’u thonin se i kishte marrë malli për fëmijët menjëhërë shtonin: “…por mos kini merak se e dimë se ju kushton shumë.”
E vërteta ishte se ata po thaheshin për fëmijët e tyre e për nipat e mbesat. Kështu ditët kalonin, fuqitë i linin gjithnjë e më shumë. Dila nuk ishte më e zonja si përpara. Prendi mezi ecte me patericën e tij. Nganjëherë vinte ndonjë kushëri i tyre nga ata që kishin mbetur aty e i sillte ndonjë gjë.
Deri ditën që Dila u kthye nga kopshti dhe e gjeti Prendin të shtrirë përdhe, te pragu i shtëpisë. U mundua ta ngrinte, por nuk mundi. I çoi fjalë një kushrinit të Prendit aty afër që erdhi vrap dhe e ndihmoi. Kur erdhi mjeku i tha që kishte hemorragji cerebrale. Nuk do të zgjasë shumë. Ndoshta 24 orë ose një javë maksimumi. Prendi sa me zi fliste. Fjalët nuk i dalloheshin. Sapo iku mjeku Dila doli në oborr, mori telefonin e thirri Markun, djalin e madh: “Baba asht smund Mark. Shumë smundë! Hajdeni se nuk i dihet a e gjeni gjallë.”
Ata kishin lajmëruar njëri-tjetrin. Avioni më i shpejtë ishte të nesërmen në mëngjes nga Munihu. Prenë biletat të gjithë. Edhe fëmijëve. Kushrini i Prendit që banonte aty afër ndejti deri vonë. Pak para mesnate u ngrit me dalë. Kur doli te dera, i tha Dilës: “Në paç nevojë, m’i bjer telefonit se po e mbaj ndezun te kryet e shtratit e nesër në mëngjes do të vij herët.” “Po, po, mos ki merak. Por ma mirë dilu djemve nesër përpara në aeroport se ndoshta kanë nevojë për dikënd. Unë sa me i dhanë ilaçet plakut mundem vetë”.
U ndanë. Dila u ngjit në kat të dytë të kullës aty ku kishin vendosur Prendin, te dhoma e tyne, në atë krevat ku kishin kaluar 60 vjet bashkë. I ktheu sytë edhe njëherë nga Prendi. U shtri. I vuri dorën e majtë nën krye të tij e tjetrën përmbi gjoks. E tërhoqi pak për kah vejta, ashtu sikur bënte ai pasi e kishte dashtë. E puthi në ballë. Hëna jashtë pothuaj nuk kishte lëvizur fare nga dritarja e tyre e tingujt e asaj dasme atje larg kishin reshtur. Dy gropa të zeza të hënës dukeshin si dy sy që kqyrnin me kujdes e dhimbje. Dila afroi kryet e saj të kryet e Prendit. Frymëmarrja e saj kapi ritmin e dihatjes së Prendit. E kështu u nisën të dy.
Të nesërmen punëtorët hapën dy varre në atë kodër të fshatit nën ato lisa që kishin mbetë afër Kishës.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian