LAJMI I FUNDIT:

Si “të shpëtojmë” nga Testi i Maturës?!

Si “të shpëtojmë” nga Testi i Maturës?!

Testi i Arritshmërisë edhe këtë vit erdhi pa ndonjë ndryshim organizativ a përmbajtjesor dhe i shoqëruar me sëmundjen e tij kronike – kopjimin masiv. Në ditën e mbajtjes së tij, Facebook, Viber e Whats Up u mbushën me foto të testeve nga vendi i ngjarjes. Rrjedhimisht, një rezultat që nuk pasqyron nivelin e vërtetë të dijes së nxënësve, e i cili në fakt është vendimtar për përcaktimin e orientimit të nxënësve në shkollimin e mëtejshëm.

A është ky një prelud edhe për testin e sivjetmë të maturës? Natyrisht dhe fatkeqësisht: Po!


Përderisa u paralajmërua heqja e pragut të kalueshmërisë së Testit të Maturës, vonesa në ndryshimet ligjore bënë që edhe sivjet mos të ketë kurrfarë ndryshimi. Por, edhe sikur të ndodhnin ndryshimet e paralajmëruara, mendoj se nuk do të shoqëroheshin me përmirësimin substancial të efektit që prodhon një test i maturës i sëmurë pashërueshëm nga “kanceri” i quajtur “kopjim”. Këtë e ka treguar dhe e ritregoi edhe sivjet Testi i Arritshmërisë.

E si të “shpëtohet” nga Testi i Maturës, kur të gjitha parakushtet flasin për një përsëritje të gjendjes së viteve të kaluara?

Përderisa nuk arrihet që ndryshohet gjendja që rezultatet e testit të jenë reale, atëherë ndikimi i tij duhet të relativizohet, duke ulur dukshëm peshën e tij në pikët e përgjithshme të nxënësve për t’u regjistruar në fakultet.

Sipas kritereve të vitit të kaluar për pranimin e studentëve në universitetet publike, për nxënësit që i janë nënshtruar provimit të maturës, nga 100 pikët që kandidatët mund të arrijnë maksimalisht në konkursin për regjistrim në fakultet, deri në 20 pikë mund të marrin nga suksesi në shkollë të mesme; deri në 50 pikë nga suksesi në Testin e Maturës; dhe deri në 30 pikë nga suksesi në provimin pranues.

Ndërkohë, si kusht për pranim, pavarësisht nga numri i pikëve të përgjithshme, ishte që në provimin pranues, kandidati të arrijë një minimum prej 9 pikësh.

Nga sa u tha më lartë, pesha e rezultatit të Testit të Maturës në pikët e përgjithshme është shumë e lartë (50 për qind) kur e dimë se sa joreal është ai rezultat. Prandaj, për të “shpëtuar” nga Testi i Maturës, duhet që senatet e universiteteve publike, për këtë vit, t’i ndryshojnë kriteret duke i dhënë shumë më shumë peshë pikëve nga provimi pranues. Kjo për faktin se provimet pranuese kanë të bëjnë drejtpërdrejt me fushat e studimit, ndërsa është dëshmuar në vitet e kaluara që rezultatet janë më se reale.

Për më tepër – solidarizimi mes kandidatëve në provimin pranues është në minimum, për arsye se vijnë nga shkolla të ndryshme dhe pak prej tyre njihen mes vete, e më kryesorja – e ndjejnë më afër konkurrencën që e kanë me njëri-tjetrin.

Një seleksionim i tillë përmes dhënies së rëndësisë pikëve nga provimi pranues i fakultetit përkatës, do të ndikonte që në universitete të hyjnë nxënës të merituar që kanë një minimum të përgatitjes për t’u marrë me studime në fushën e caktuar. Gjithashtu, kjo do ta kishte edhe efektin e vet (sado të vogël) te studentët e rinj, sepse po e kaluan vetë dhe me meritë sfidën e regjistrimit në fakultet, do të jenë më të motivuar që të përgatiten edhe për provimet dhe t’i kalojnë ato me meritë. Sepse, ata që po e marrin zanatin e kopjimit që në shkollë të mesme dhe kur po shohin që ky lloj zanati po jep rezultate, po e vazhdojnë edhe në fakultet. E, për pasojat… jemi këtu ku jemi!