LAJMI I FUNDIT:

Si shpëtoi Serbia nga dënimi kapital për gjenocid

Çka dëshmojnë dokumentet e Këshillit Suprem te Mbrojtjes se ish RFJ-se?

Zhvillimet më të reja politike në Ballkan tërheqin vërejtjen seriozisht. Nëse popujt e vuajtur e të masakruar të këtyre trevave për më shumë se një shekull nuk kanë mësuar nga historia, ajo mund të përsëritet.


Në Qershor te viti 2003, Tribunali pat kërkuar nga Serbia që të dorëzojë procesverbalet nga mbledhjet e Këshillit Suprem te Mbrojtjes të ish RSFJ-së për t’i shfrytëzuar gjatë gjykimit të Milosheviqit. Më parë është shtruar shumë herë çështja e rëndësisë së atyre dokumenteve dhe pas pranimit të kushtit serb për ruajtjen e koinfidencialitetit, në një moment, Serbia i kishte dorëzuar ato, gjë që kishte befasuar shumë kënd, megjithëse ishte konsideruar se dorëzimi i tyre dëmton interesat shtetërore të sigurisë. E tërë kjo ndodhi para gjykatës së drejtësisë në Hagë, gjykatë kjo e cila liroi Serbinë nga akuza e drejtpërdrejtë për gjenocid në B e H.

Jeoffery Nice, prokurori kryesor ndaj Milosheviqit, njëri nga të rrallët që pati qasje në ato dokumente thotë se ato ishin më rëndësi të madhe. Fjala ishte për procesverbale nga mbledhjet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes të RFJ-së, ku zakonisht kanë marrë pjesë Milosheviqi, pastaj Liliqi e Bulatoviqi, komandanti i ushtrisë dhe zyrtar të lartë. Dokumentet dëshmojnë qartë përzierjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në gjithë atë që ngjau në B e H. Me gjithë dëshmitë konkrete, jo pak autoritete ndërkombëtare iu kanë shmangur përgjigjes së drejtpërdrejtë për fajin e Serbisë.

Ofensiva e diplomacisë serbe kundër Kosovës, por edhe Bosnjës e Kroacisë deri tash ia ka dal me sukses. Vetëm po të shikohet gjendja aktuale në fushën e pengimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, por edhe arrestimet e dënimet e ish pjesëtareve të rezistencës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë e Kroaci, fitohet përshtypja se për luftërat dhe krimet e kryera në territorin e ish Jugosllavisë, fajtor ishin shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët. Shtrohet pyetja se çka do të kishte ndodhur në këto hapësira po të mos vepronin njësitet çlirimtare.

Dëshmi të pa mohueshme

Të gjitha zhvillimet e fundit në Ballkan dhe rreth tij dëshmojnë se politika serbe ka arritur të vendos njëfarë baraspeshe mes krimineleve dhe viktimave. Kjo shihet me arrestimet e fundit të ish pjesëtareve të UÇK-së në Kosovë, me dënimin e fundit të gjeneralëve kroatë në Hagë dhe me arrestimin e ish krerëve të rezistencës në B e H Ganiq, Jurishiq e Divjak, përmes Interpolit. Po t’i bëhet një retrospektivë ngjarjeve nga koha e shpërbërjes se ish RSFJ-se shihet një ngjashmëri e madhe dhe e rrezikshme.

Në kohën kur “Jurishniket e Vozhdit” ishin vërsulur me të gjitha mjetet dhe metodat kundër Kosovës dhe shqiptarëve, sa herë votohej në federatën sllave Serbia dilte fitimtare. Vetëm sllovenët ishin të vendosur dhe të pa kompromis në duelet vendimtare në ish RSFJ. Të tjerët, pa përjashtim, deri vonë kanë shpresuar të arrijnë ndonjë marrëveshje me Milosheviqin, jo për tjetër, por vetëm sa për t’i ruajtur kolltukët. Shumë dëshmitarë të gjallë e kujtojnë fjalimin e zjarrtë të R. Dizdareviqit para masës së tërbuar në Beograd. Përfaqësuesi i lartë boshnjak asokohe mendonte se po t’i liheshin Serbisë duart e lira në Kosovë, të tjerët mund të jetonin pa probleme.

Vetëm të verbrit nuk i kanë parë synimet e vozhdit për serbizimin e federatës së atëhershme. Largimi i Sllovenisë i hapi rrugën shpërbërjes se krijesës sllave me emrin Jugosllavi nga e cila do të kërkojnë hise të gjitha ata që deri atëherë kishin ushqyer shpresa se Millosheviqi do të ngopej vetëm me Kosovën. Të ashtuquajturit autonomist të Vojvodinës qëndruan shumë më fuqishëm se të ashtuquajturit drejtues shqiptar të Kosovës të cilët u treten si bryma para diellit. Më vonë, shumë nga drejtuesit e Serbisë do të deklaronin se kanë qenë të befasuar me rënien e gjithë “lidershipit” të atëhershëm të Kosovës pa asnjë rezistencë.

Në atë kohë për Serbinë po votonin përfaqësuesit e Malit të Zi, të Maqedonisë e të Vojvodinës e të Kosovës. Gjithë kjo ia lehtësoi punën “vozhdit” në të ashtuquajturën rrugë të ndryshimeve institucionale e jashtë institucionale. Vozhdi tashmë kishte pesë e më shumë vota të garantuara në federatë gjë që ia mundësonte veprimin e pandalshëm, pa asnjë pengesë. Ish APJ u vu nën komandën e “vozhdit” sado që këtë ai e mohoi në vazhdimësi para të gjithë diplomateve të huaj. Pa marre parasysh mohimin e Vozhdit , hordhitë militare e paramilitare serbe kishin filluar masakrimin e popullatës se pafajshme jo serbe në të gjitha pjesët e ish krijesës sllave me ndihmën e gjithanshme të APJ-së.

Suprimimi i kushtetutës federative filloi në Kosovë

Lirisht mund te thuhet se përfaqësuesit slloven e kanë përkrahur më shumë Kosovën se vetë ata “kosovar” që në atë kohë po zgjedhkëshin me çelësin e vozhdit. Se a ishte Jugosllavia- Serbi, apo Serbia ishte vetëm një republikë e federatës, kjo pyetje pret përgjigje edhe sot. As atëherë e as sot, askush nga diplomatet nuk e bëri të qartë dhe nuk e zbërtheu këtë problem.

Serbia si shtet, as me emër, as me territor, e as me kufi nuk del si e tillë qysh kur është themeluar Mbretëria e dikurshme Serbo-Kroate-Sllovene që më vonë mori emrin Jugosllavi. Serbia del të jetë krijesë virtuale ashtu si sot, ngase të gjithë ndërkombëtarët kanë pranuar në njëfarë mënyre se Jugosllavia ishte Serbi dhe Serbia identifikohej si Jugosllavi. Krijesa sllave ende nuk njeh i kufijtë e shteteve fqinje por as nuk i dinë kufijtë e vet, dhe praktikisht vazhdon të paraqitet si Jugosllavi. Është koha e fundit që të dihen kufijtë e Serbisë dhe ketë duhet ta bëj bashkësia ndërkombëtare. Serbia nuk mund të tolerohet që edhe më tutje të paraqitet në vend të Jugosllavisë së Titos.

Serbia nëpër periudha të ndryshme të historisë del herë në territorin e Bosnjës, herë në atë të Malit të Zi, herë në Kosovë, e herë në Rashkë e Sanxhak dhe asnjë herë në një territor kompakt e të palëvizshëm. Po të shikohen hartat nëpër arkiva evropian mund te shihet se Serbia nuk e ka pasur asnjëherë as territorin që ka sot. Vojvodina ishte kurbani i fundit i lëvizjes kancerogjene serbe në Ballkan. Vetëm studiuesit e mirëfilltë të historisë e dinë pse kanë ndryshuar kryeqytetet në kokat serbe ashtu si edhe vet shtrirja gjeografike e Serbisë si shtet.

Në Ballkan ende fryjnë erëra të rrezikshme

Bashkësia ndërkombëtare e cila është e pranishme politikisht e ushtarakisht, nuk do të duhej të dështonte, mirëpo shumë indikacione flasin se, Ballkani Perëndimor sikur po rrëshqet në vitet e nëntëdhjeta. Realisht, shumë probleme të mëdha të njëzet viteve të kaluara vetëm janë heshtur. Duke vlerësuar zhvillimet e fundit, ekspertet thonë se Tribunali i Hagës nuk do te duhej të merrej me interpretimin e historisë, mirëpo deri tani duket sikur bëri një gjë të tillë. Megjithëkëtë, ata thonë se dihet mirë kush kënd e sulmoi dhe këtu gjithçka është e qartë.

Po të shikohet historia e zhvillimeve të më hershme do të shihet se Perandoria turke me rastin e kapitullimit në Ballkan, shqiptarët i la në baltë duke mos ua njohur autonominë. Ish mbretëria sllave SKS, trojet e pushtuara shqiptare i copëtoi nëpër banovina, ndërsa Jugosllavia e Titos suprimoi vendimet e Konferencës së Bujanit dhe eliminoi një nga një të gjithë delegatet e Kuvendit të Prizrenit duke ia bashkangjitur Kosovën Serbisë pa vullnetin e shqiptarëve. Edhe sot, si kurdoherë për sovranitetin nuk mund të ketë asnjë kompromis. Serbia vazhdon të luaj lojën e vjetër. Ajo asnjëherë gjatë historisë nuk ka respektuar asnjë marrëveshje. Serbia përherë ka njohur vetëm gjuhen e forcës dhe ajo është dashur të merr dënimin kapital nga Tribunali i Hagës.

P.S.
Duke komentuar vetëm rastin e masakrimit të boshnjakeve në Srebrenicë, një autor i njohur thotë se në Ballkan ka pësuar disfatë vetë civilizimi.