LAJMI I FUNDIT:

Si mundet me qenë demokrat i biri Lubës !?

Janë bërë shumë të mërzitshëm disa “fansa” të Boris Tadiqit (të cilët e aktrojnë “intelektualin” dhe “analistin”), të cilët sa herë që merren me analizat në relacionin Kosovë-Serbi, e sidomos me situatën në tri komunat problematike në veri, nuk hezitojnë që gjithmonë Boris Tadiqin ta paraqesin “si demokrat, si pro-evropian dhe si njeri me vlera perëndimore, për çka edhe e ka përkrahjen e Perëndimit”!

Thënë të drejtën, disa të rinj ambiciozë (të tipit “do të dua të bëhem”), të cilët nuk e kanë përjetuar Serbinë (Jugosllavinë), edhe mund të tolerohen, por ata të moshës së shtyrë me të vërtetë janë bërë të padurueshëm. Bile, jehonë u bëri edhe thënia e tij se “Kosova nuk është zemra e Serbisë, por qytetaret e saj…”, të nxjerrë plotësisht jashtë kontekstit.


Dihet mirëfilli se në krijimin e personalitetit të njeriut, influencën kryesore e ka familja dhe rrethi ku ai edukohet, dhe sigurisht se edhe eksperienca e tij personale (qoftë ajo akademike apo praktike) në jetë. Natyrisht, studiuesit e ndryshëm të këtij lëmi nuk pajtohen në atë se kush nga faktorët e lartpërmendur kanë më shumë influencë në krijimin e personalitetit, mirëpo të gjithë pajtohen se ato janë ndër faktorët kryesorë.

Andaj, duke pasur parasysh këtë fakt, atëherë logjikisht shtrohet pyetja se Boris Tadiqi me sfondin e tij çfarë gjasa mund të ketë që të jetë demokrat me vlera perëndimore, kur për edukator të parë e pati pra babanë e vet, Lubomir (Luba) Tadiqin, dhe u krijua në një Serbi në kohën kur urrejtja dhe racizmi serb ishte në kulm. Thënë ndryshe, Boris Tadiqi nuk është se jetoi në Islandë dhe u krijua atje, por në Serbinë e viteve ‘80-ta dhe ‘90-ta.

Për lexuesit e rinj të cilët nuk e kanë pasur rastin të lexojnë për Luba Tadiqin (pra babën e Boris Tadiqit), duhet cekur se ai ishte oficer i lartë i OZNA-s për disa vite pas Luftës së Dytë Botërore. Pastaj, në vitin 1955 ishte njëri nga hartuesit edhe të kushtetutës së RSFJ-së, edhe të programit të PKJ-së. Më 1962 bëhet profesor në Fakultetin Filozofik të Beogradit dhe në fund të atij dhjetëvjetëshi bëhet disident, duke iu bashkuar të ashtuquajturës shkollë e “Praksisove”.

Në vitin 1984 bëhet anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), ku edhe është njëri nga autorët e Memorandumit të famshëm të SANU. Më 1989 themeloi Partinë Demokratike, të cilën tashti e udhëheq djali i vet. Gjithashtu, duhet cekur se në fillim të viteve të ‘90-ta, Luba Tadiqi aktivistët serbë që protestonin kundër luftës i quante “tradhtarë të çështjes kombëtare”.

I tillë është edhe më tutje, në mes tjerash në një intervistë në revistën “NIN”, më 2004, akuzonte Perëndimin “për politikën e padrejtë ndaj Serbisë”; është kundërshtar i ashpër i politikës amerikane; kundërshtar i Tribunalit të Hagës; shumë i pengon kur djalin e tij e paraqesin si “politikan properëndimor”; kundërshtar i “kosmopolitanizmit beogradas”; avokat i tezës se Krajina Serbe nuk është e humbur përfundimisht për Serbinë etj.

Këto fakte që u cekën më lart, përmenden nga “spin-doktorët” (këshilltarët politikë të komunikimit, Sërxhan Shaper dhe Nebojsha Kërstiq) e Boris Tadiqit, sa herë që ai akuzohet nga kundërshtarët e tij se po i “tradhton interesat kombëtare”, duke ua rikujtuar qytetarëve të Serbisë sfondin nacionalist që ka Boris Tadiqi. Bile, për ta përforcuar edhe më tepër imazhin nacionalist, “spin-doktorët” e tij shpeshherë e cekin faktin se njëri nga njerëzit që më së shumti politikisht e influencoi Boris Tadiqin është racisti Dobrica Qosiq.

Prandaj, edhe nuk është për t’u habitur se pse Boris Tadiqi për këshilltar politik më të ngushtë e ka serbomadhin dhe racistin Dushan Batakoviq; apo pse përshëndetet me “tre gishta”; pse ndërmarrësit rusë gjithmonë kanë përparësi në investimet në Serbi dhe pse ata tashti e dominojnë ekonominë e Serbisë e jo ndërmarrësit perëndimorë; pse i mbronte dhe nuk i dorëzonte “heronjtë” Karaxhiqin dhe Mladiqin; dhe pse bëri koalicion me SPS, me çka Ivica Daçiqin e bëri zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të Punëve të Brendshme.

A mundet dikush ta paramendojë të themi që kancelari gjerman, Konrad Adenauer, ende pa kaluar nëntë vjet nga përfundimi i Luftës Dytë Botërore (pra më 1954), të kishte bërë koalicion me nazistët dhe për zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të Punëve të Brendshme ta kishte emëruar udhëheqësin e rinisë naziste, Baldur von Schirach.

Bile, në rastin e Von Schirachut edhe nuk do te ishte “aq kiamet”, sepse ai në gjykimin në Nyremberg (ku u dënua me 20 vjet) u diferencua nga Hitleri dhe kërkoi falje, gjersa Ivica Daçiqi edhe më tutje krenohet me Milosheviqin të cilin e ka inspirim dhe e mban për hero, si ai njashtu edhe partia e tij (SPS).

Pra, Boris Tadiq mbase mund të jetë oportunist dhe karrierist (nëse “fansat” e tij e kundërshtojnë faktin se ai është serbomadh), ama demokrat me vlera perëndimore assesi jo!

Fundja, po të ishte demokrat me vlera perëndimore, në një shoqëri ku edhe më tutje Milosheviqi, Karaxhiqi, Mladiqi me kriminelet tjerë ende konsiderohen heronj, Boris Tadiqi do të përfillej po aq sa përfillet, bie fjala, Çedomir Jovanoviqi.