LAJMI I FUNDIT:

Si mund të përdoren të dhënat biometrike në vetura?

Si mund të përdoren të dhënat biometrike në vetura?

Metoda më e fundit dhe ajo e cila premton të jetë më efektivja në parandalimin e vjedhjes së veturës suaj, është një sistem i sofistikuar për identifikim biometrik nga gjiganti i teknologjisë automobilistike Continental.

E njëjta kompani e cila prodhon edhe gomat e veturave, Continental është një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë për furnizimin me goma, e që do të thotë se ata i furnizojnë prodhuesit e veturave me komponentë kyç.


Gjëja kryesore për kompanitë e nivelit të lartë si Continental, Bosch, ZF dhe të tjera është se shumë nga risitë që shfaqen në vetura vijnë nga ato dhe jo nga prodhuesi.

Ky sistem i fundit është pothuajse i njëjtë me teknologjinë e njohjes së fytyrës që përdorim në telefonat tanë celularë. Biometria është shkenca kompjuterike e njohjes duke përdorur karakteristika biologjike.

Kjo mund të jetë diçka e njohur si një gjurmë gishti, ose njohja e marrëdhënies unike midis strukturave të fytyrës, venave ose gjurmës së pëllëmbës. Mund të zbatohet gjithashtu për njohjen e modeleve të lëvizjes, siç është ecja e një personi, raporton Auto Car, transmeton Telegrafi.

Continental ka zhvilluar sistemin e ri me partnerin Trinamix dhe grupin teknologjik, Trinamix Face Authentication. Ideja është e thjeshtë. Çelësat, kodet ose çdo metodë tjetër e mëparshme për të siguruar një veturë, teknologjia e re parandalon që vetura të drejtohet nëse nuk e njeh personin në sediljen e shoferit.

Sistemi në fjalë drejtohet nga një kamerë, e cila është e instaluar në ekranin e panelit, i cili do të dyfishohet për të monitoruar nivelet e vëmendjes të shoferit, diçka që do të behet e detyrueshme në Evropë.

Përveç kapjes dhe njohjes së veçorive unike dhe proporcioneve të fytyrës së shoferit duke përdorur teknologjinë 2D, sistemi përdor analizën e profilit me rreze për të shmangur mashtrimin. Kur shoferi futet në makinë dhe përpiqet ta ndezë, ekrani lëshon një burim të padukshëm drite që ndriçon fytyrën e personit me një model të rregullt me pika.

Reflektimi i secilës pikë kapet nga një kamerë infra të kuqe dhe të dhënat e imazhit analizohen nga algoritmet e softuerit. Nga profili i rrezes, algoritmet mund të mbledhin informacion në lidhje me materialin sipërfaqësor të objektit, në këtë rast, fytyrën e shoferit, të cilën po e analizon. Në këtë mënyrë, sistemi mund të bëjë dallimin midis lëkurës së njeriut dhe, të themi, një maskë silikoni 3D. /Telegrafi/