LAJMI I FUNDIT:

Shtohet papunësia, ministria e Diasporës largon 30 veta nga puna

Shtohet papunësia, ministria e Diasporës largon 30 veta nga puna

Me një telefonatë u është shkëputur kontrata e punës mbi 30 vetave në Ministrinë e Diasporës.

Të gjithë ishin punësuar në këtë ministri në qershor të vitit të kaluar për të kryer regjistrimin e diasporës kosovare në komunat e Kosovës, me kontratë një vjeçare. Por, ende pa përfunduar kontrata atyre u është ndërprerë marrëdhënia e punës pa ndonjë arsyetim. Kështu ka treguar për Gazetën Fjala një nga punëtorët të cilit i është shkëputur kontrata përmes telefonit.

Në ministrinë e Diasporës pranojnë se është marrë një vendim i tillë por thonë se kjo është kërkuar nga Ministria e Administratës Publike.


“Në kuadër të rishikimit dhe vlerësimit të procesit të regjistrimit, Ministri i Diasporës, z. Valon Murati ka formuar grupin e punës që do të dalë me rekomandime. Njëkohësisht nga Ministria e Administratës Publike, përkatësisht Këshillit të Lartë për Shërbyesit Civil, është kërkuar që të shkëputen të gjitha marrëveshjet/kontratat për shërbime të veçanta në kuadër të së cilëve janë edhe zyrtarët komunal”, ka bërë të ditur, Lorik Pustina, zyrtar për informim në këtë ministri.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Diasporës do të shpall konkursin për pranimin e zyrtarëve komunal konform rekomandimeve nga MAP dhe Grupi Punues i themeluar nga Ministri Murati. /gazetafjala/