LAJMI I FUNDIT:

Shtohen mësuesit maqedonas, diaspora shqiptare pa mësimdhënës

Shtohen mësuesit maqedonas, diaspora shqiptare pa mësimdhënës

Sigurimi i mësuesve të diasporës sikurse quhen mësimdhënësit e arsimit plotësues të fëmijëve të Maqedonisë, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme evropiane, vazhdon të mbetet problematike, sidomos kur është në pyetje diaspora shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka shpallur së fundmi Konkurs për zgjedhjen e një mësimdhënësi për realizmin e mësimit plotësues në arsimin fillor të qytetarëve të Maqedonisë me qëndrim në shtete të huaja.

Arsimtari, sikurse nënvizon Konkursi, kërkohet të jep mësim në gjuhën maqedonasve për fëmijët që jetojnë në Suedi, konkretisht në rrethinën e Malmos. Ndërkaq, as në këtë Konkurs dhe as në ndonjë tjetër paraprak MASH nuk ka çuar mësimdhënës që do të realizojë mësim në gjuhën shqipe në Suedi, edhe pse është i konsiderueshëm numri i diasporës shqiptare atje.


Si në Suedi, ashtu edhe në shumë shtete të tjera ku jetojë shqiptarë nga Maqedonia, ka mungesë të mësuesve për mësim plotësues me fëmijët e të diasporës. Dy-tre vite më parë, nga Maqedonia në rrugë zyrtare ishin të angazhuar gjithsej 21 mësues të diasporës. Prej tyre vetëm 4 ishin shqiptarë. Ky raport, pritet të thellohet ende më shumë nëse nga Konkursi i fundit i MASH-it sigurohet edhe mësuesi i kërkuar për diasporën maqedonase në Suedi, pra shumë e mundshme që në total viti shkollor 2017/2018 të fillojë me 18 mësues maqedonas dhe 4 shqiptarë për diasporën nga Maqedonia.

Safet Neziri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, thotë se numri i mësuesve që sigurohen për diasporën nuk caktohet nga MASH-i. “Është një procedurë shumë e ndërlikuar dhe e gjatë njëkohësisht. MASH ka vetëm një pjesë të vogël të gjithë atij procesi të ndërlikuar”, thotë Neziri.

MASH, sipas tij, ka vetëm pjesën e përgaditjes së Konkursit dhe zgjedhjes së kandidatëve që bëhen nga ana e një Komisioni përkatës. Mirëpo, që puna të vjen deri këtu, dhe që mësuesit e diasporës të mund të fitojnë këtë status, duhet të realizohen disa etapa të tjera para dhe pas shpalljes së Konkursit, plotëson ai. Këshilltari Neziri tregon për KOHA se procedurat duhet të nisin në shtetin ku edhe gjendet diaspora, nga komuniteti përkatës.

Sipas tij, procedura që realizohet në MASH kap vetëm etapën e përgatitjes së konkursit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Se në cilën gjuhë do të jap mësim mësuesi i diasporës, kjo varet prej kërkesës që është bërë nga ana e diaspora, sqaron ai, ndërsa nënvizon se as përzgjedhja e kandidatit nga Komisioni përkatës i MASH-it nuk është zgjidhja përfundimtare. Mund të ndodh që Ambasada e shtetit mirëpritës të mos i jep kandidatit vizën për sigurimin e lejes së punës dhe gjithçka të kthehet në pikën zero.

Në mungesë të mësuesve nga Maqedonia, diaspora shqiptare në shumë shtete të Evropës përfitojnë nga prezenca e mësuesve të diasporës që dërgohen prej Shqipërie dhe Kosove. Prej tyre shfrytëzojnë gjithashtu edhe tekstet shkollore dhe organizmin e shumë manifestimeve me karakter kulturor dhe edukativ.

Kjo si duket i ka bërë shqiptarët e Maqedonisë shumë më pasiv në inicimin e kërkesave për mësues të diasporës, të cilat duhet t’ia adresojnë Maqedonisë përmes përfaqësive diplomatike në shtetet përkatëse. Por shihet qartë se nuk ka një bashkëpunim të ngushtë mes diasporës dhe ambasadave të Maqedonisë dhe për këtë flet edhe numri i vogël i mësuesve për fëmijët e tyre.