LAJMI I FUNDIT:

Shteti pararojë e Kombit

Në Kosovë pati shumë lëvizje dhe luftëra çlirimtare më parë, por më së voni ndodhi lufta çlirimtare e një pjese te kombit shqiptar, e udhëhequr nga UÇK-ja e lavdishme, për ta çliruar Kosovën nga pushtimi dhe kolonializmi serb. Kjo luftë solli shkëputjen e madhe historike të shqiptarëve në raport me pushtimet ndaj tyre. Se a do të jetë kjo edhe e fundit (në mungesë të ndonjë lufte jashtë-rajonale!), do të varet më tepër nga nevoja që mund të kenë shqiptarët për tu mbrojtur përsëri, për t’i parandaluar përpjekjet e mundshme ekspansioniste ndaj tyre, që janë reale, vetëm se në formë latente, sesa ndoshta nga ndonjë përpjekje ekspansioniste e tyre, historikisht e pandodhur deri më tani. Pavarësisht kësaj, indikacione që e turpërojnë kujtesën e lirisë së një kombi, si lejimi i vendosjes së pllakatave në zemër të Prishtinës në shenjë përkujtimi të Sulltan Muratit, do u jepnin sinjale inkurajuese ish-pushtuesve tanë të hershëm e të vonë, se me kujtesën historike nuk i kemi punët mirë!

Duke i lënë anash orientimet, kontekstet dhe interpretimet politike brendashqiptare rreth kësaj lufte, mund të thuhet pakontestueshëm se në Kosovë pati njerëz patriot që dhanë gjithçka që patën, shumë prej tyre edhe jetën për lirinë kombëtare. Për këtë kemi mjaft dëshmi secili prej nesh. Këtë nuk e them me qëllim të glorifikimit të fakteve, por ritheksimit të tyre. Edhe pse, në fund të fundit, angazhimi, mundi dhe gjaku për lirinë kombëtare janë vlera që po të shikohen nga aspekti kulturor duhet ruajtur e kultivuar, e po të shikohen nga ai ekzistencialist i një kombi janë vlera që patjetër duhet krijuar.


Pasi që në forma të ndryshme të gjithë e përjetuam këtë luftë, dhe meqenëse e kemi të gjithë të freskët, pikërisht kjo luftë dhe disa nga njerëzit që e bënë, udhëhoqën atë e sot i bëjnë dëme shtetit, do të merren si mostër që do të shërbejë për tentim-analizën e çështjes që do të ngrihet. Për njerëzit e tillë në një pjesë të opinionit publik ekziston një mendim tinëzar, në dukje si i vërtetë, i cili çdo herë e më shpesh po shprehet edhe hapur, i konceptuar kësisoj, “e shikoni pse luftuan, luftuan për tu pasuruar, përndryshe shikoni se çfarë dëme po i bëjnë shtetit!”. Po, është e vërtetë që zullum i madh po i bëhet shtetit. Ndër ata zullumqar, për fatin e keq ka edhe nga ata patriot të djeshëm. Me të drejtë atyre më tepër se të tjerëve, siç thotë populli “u shihet për të madhe”. E ku na qenka “tinëzar”-ja këtu?

Hilja e këtij konstatimi qëndron në faktin se duke përdorur një argument të sotshëm fort të besueshëm, përpiqet t’i gjejë motivet e një aktiviteti të djeshëm, për më keq të një lufte çlirimtare, vetëm e vetëm se të dyja emërues të përbashkët kanë të njëjtit protagonistë. Duke i marrë për “brumë” pikërisht personazhet e kësaj lufte, qëllimi hileqar i servimit të këtij konstatimi është ç’vlerësimi i motiveve e bashkë me të edhe rezultateve që solli kjo luftë. Nëse rëndom argumentet i shërbejnë të vërtetës, në rastin tonë argumenti përdoret qëllimisht, por për t’i shërbyer të pavërtetës. Thënë ndryshe, me një të vërtetë tentohet të ndërtohet një gënjeshtër. Argumenti i sotshëm i shfrytëzuar është “dëmet që po i bëhen shtetit”, kurse gënjeshtra e konstruktuar nga ai është “pasurimi si motiv i pjesëmarrjes në luftën çlirimtare, pas përfundimit të saj”.

Për ta demaskuar me argumente një konstatim të tillë, mund ta thërrasim në ndihmë shkencën e Psikologjisë. Ajo na këshillon se hierarkia e nevojave dhe motivit njerëzor, po të radhitet me prioritet nga më i larti kah më i ulëti, duket kësisoj: së pari funksionet elementare jetësore (ushqimi, …), pastaj siguria (nga aksidentet, sëmundjet, …), të qenit pjesë e grupit (familjes, shoqërisë, …) dhe aty kah fundi vije statusi i tij në grup. Përmbushja e njërit nivel në hierarki i hap rrugë përmbushjes së nivelit tjetër. Në kushte dhe rrethana të caktuara, mospërmbushja e njërit pengon edhe mospërmbushjen e tjetrit nivel të radhës në hierarki. Pra, edhe pse tenton, jo gjithmonë njeriu edhe mund ta përshkruaj tërë hierarkinë e nevojave të tij. Tani, a mund të presim që në kushte lufte, njeriu t’i kapërcejë nivelet e hierarkisë si në prioritet ashtu edhe në kohë, saqë para nivelit të parë dhe të dytë, ushqimit, sigurisë, që në kushte lufte janë edhe më të cenuarat, të gjejë motiv të niveli i fundit, statusi i tij në grup, dhe atë jo tani por statusi i tij në të ardhmen (pas përfundimit të luftës)? Modeli i shqyrtuar i hierarkisë së nevojave dhe motiveve të njeriut e mohon një mundësi të tillë.

Pasi lufta jonë ishte aq e pabarabartë edhe përkundrejt besimit të palëkundur në fitore, askush s’mund ta kishte komoditetin të profetizonte as për kohëzgjatjen e saj e as për fatin e vet pas fundit të saj, saqë ta bënte luftën për qëllime të caktuara përfitimi pas përfundimit të saj. Nëse ka pasur të atillë që kanë bërë plane për statusin e vet të pasluftës, të atillët duhet të kenë pasur mundësinë ta realizojnë përshkimin e hierarkisë në të gjitha nivelet e saj, saqë të zhvendoseshin në kohë dhe të planifikonin realizimin e saj edhe në të ardhmen. Porse, të tillët nuk mund të ishin në luftë. Edhe pse e ndodhur në kohëra moderne, kohë kjo që njehë mjaftë luftëra që bëhen për qëllime, qoftë dominuese, ideologjike, apo religjioze, lufta jonë ishte çlirimtare ndaj një okupimi të huaj në thelbin e saj dhe nuk mund të futet assesi në grupin e tyre. Luftërat çlirimtare nga aspekti kulturor, siç shprehet sociologu ynë Gani Bobi, “janë manifestim i plotë kulturor i një populli”, sepse duke çliruar popullin e çlirojnë edhe kulturën e tij duke i dhënë mundësi për zhvillim, që s’është e mundur në kushte okupimi.

Nisur nga këto dy fakte, pamundësia e përshkimit të tërë hierarkisë së nevojave dhe motiveve në kushte lufte, si dhe karakteri çlirimtar i kësaj lufte, nuk mund të ketë dyshime për motivet e pastra kombëtare të të gjithë atyre që morën pjesë aktive në luftë. Pozita e grupit, në rastin tonë kombit, është ajo që i ka motivuar të marrin pjesë në luftë, e jo pozita e tyre në grup. Mirë, madje edhe duke pasur parasysh metamorfozat që mund të pësojë njeriu gjatë posedimit të pushtetit, i cili para luftës mungonte, mund të ngrihet pyetja-çështje se çfarë po ndodhë me të gjithë ata patriotë të vërtetë të deridjeshëm, ata që bënë aq shumë për çështjen kombëtare dje, e nuk janë në gjendje të bëjnë po aq për çështjen, ta quajmë ashtu, shtetërore sot. Bile, duket se për shumë nga ta, meqenëse edhe janë në pozita udhëheqëse, të fituara, siç thuhet me bagazhin e luftës, mungesa e angazhimit mirëfilli për interesa shtetërore dhe keqpërdorimet me pushtetin tashmë i kanë përmasat e një dukurie për ta krejt të zakonshme! Dhe për ironi, duket se ata mendojnë se kështu nuk po e dëmtojnë kombin. Kjo mund të përkthehet si, “unë jam i gatshëm të vdes për kombin tim, por jo edhe për shtetin tim”. “Nënë për kombin, e njerkë për shtetin”, po ta përkthenim në gjuhën e popullit.

A mos vallë kemi të bëjmë më një konceptim psikologjik të gabueshëm të njerëzve të tillë në veçanti dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për raportet e ndërvarura që ekzistojnë ndërmjet kombit dhe shtetit? Sundimi i huaj, natyrisht se ka krijuar vetëm urrejtje ndaj shtetit si aparat sundues. Nën kushte të tilla, kush tjetër pos kombit është parë si diçka që na përket vetëm neve? Vetëm te ai gjendet gjuha jonë e bukur, kultura dhe historia jonë e lashtë, zakonet, tokat tona, për të cilat kemi luftuar dhe të cilat, përveç tokave, i kemi mbrojtur. Në formë aleance të padukshme, paralelisht janë rritur urrejtja ndaj shtetit si dhe, në anën tjetër, dashuria ndaj kombit. Me të drejtë, kombi konsiderohej dhe vazhdon të konsiderohet si i paprekshëm, si i shenjtë. Por tani, tinëzisht diku në të pavetëdijshmen tonë kolektive, gjithnjë sipas këtij konceptimi, inercioni anti-shtet po jep rezultatet e tij, duke e dëmtuar shtetin përmes formash nga më të ndryshmet.

Pikërisht këtu do të duhej theksuar raporti i lartpërmendur në mes shtetit dhe kombit tonë. Se a do t’i bashkohet ky shtet Shqipërisë (krijimi i shteteve-kombe në Ballkan duket se ende nuk ka përfunduar!), apo do të duket si multikulturor (e jo multietnik!), me rëndësi është që shqiptarët të qeverisin me të në mbarë territorin e tij. Është në natyrën e çdo reagimi të mbrohet ajo që është e rrezikuar. Shqiptarët nuk kanë probleme me identitetin e tyre kombëtar. Andaj, e vetmja gjë qe mund t’u cenohet atyre është territori, e jo identiteti kombëtar. Rrjedhimisht, garantues i territorit të tyre është vetëm shteti i tyre. Dhe pikërisht në ndërtimin e tij duhet kanalizuar energjitë tona. Sot, është shumë më lehtë se dje, por më shumë se dje nevojitet përkushtim në bërjen e tij. Vetëm ai është garantuesi i bashkimit dhe zhvillimit të kombit tonë.

Kjo duhet ngulitur mirë në mendjen e secilin, se vetëm bërja e shtetit është çelësi për shpëtimin e kombit. Ta kemi parasysh këtu se, sa po i kushton mosbërja e shtetit kombit kurd e palestinez edhe pse askush nuk ua konteston identitetin e tyre kombëtar, por ama njihen vetëm si pakica kombëtare në disa shtete ku ata jetojnë. Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim mund të bëhet nëse në institucionet tona edukativo-arsimore, në të gjitha nivelet të futeshin lëndë mësimore që japin njohuri ekskluzivisht për shtetin si kategori shoqërore, në mënyrë që tu bëhet e njohur gjeneratave të reja se sa i rëndësishëm është ai për ekzistencën dhe prosperimin e një kombi. Duke e luftuar fenomenin e dëmshëm psikologjik të shoqërisë sonë, “gjithçka për kombin, e gati asgjë për shtetin”, disave prej tyre që e ndihmuan kombit dje dhe dëmtojnë shtetin sot, le tu bëhet e njohur se, po të vendoset e zeza mbi të bardhë, në fund e zezë mbetet!