LAJMI I FUNDIT:

Shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2009

Shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2009

Kryeministri Hashim Thaçi ka prezantuar sot para ligjvënësve të Kosovës Projektbuxhetin për vitin 2009. Ai me këtë rast ka theksuar se ky buxhet, i cili arrin shifrën prej 1 miliardë e 430 milionë euro, do të përcaktojë drejtimin e shtetit të Kosovës në zhvillimin e ekonomisë së saj dhe se ky buxhet është më i larti në historinë e Kosovës me një rritje prej 15 për qind, përfshi këtu edhe stimulimin njëqind për qind për pushtetin lokal.

Thaçi ka pohuar se në këtë buxhet parashihen edhe rritje të pensioneve, rritje të pagave të shërbyesve civilë, ndërtimi dhe renovimi i shkollave fillore dhe të mesme, investimet në shëndetësi dhe në infrastrukturën rrugore.

“Kosova do të shpenzojë 1 miliardë e 430 milionë euro, investime të cilat do ta transformojnë Kosovën në shumë mënyra. Do të shpenzojmë më shumë se 100 milionë euro në rrugë, 53 milionë euro për renovimin e rrugëve të vjetra dhe 30 milionë në rrugë të reja”. Do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugës Prishtinë-Kaçanik, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Mitrovicë dhe projektin madhor Vërmicë-Merdare. Në vitin e ardhshëm do të ndërtojmë dhe rinovojmë rreth 60 shkolla fillore dhe të mesme, dhe do të shpenzojmë rreth 40 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës shkollore”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se përsa i përket shëndetësisë, janë ndarë 66 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe se ky sektor është përcaktuar një nga prioritet kryesore .

Thaçi, po ashtu, ka bërë të ditur se janë ndarë rreth 60 milionë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, gjithashtu edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.


Një kujdes i veçantë në këtë buxhet, sipas tij i është kushtuar rregullimit të gjendjes energjetike në Kosovë.

“Ndryshimet më të mëdha do t’i shohim në sektorin e energjisë me projektin “Kosova e re”, për privatizimin e pjesës së KEK-ut që merret me distribuim. Këto ndryshime do t’i bëjmë shpejt dhe në mënyrë të vendosur. Duhet të ndahemi një herë e mirë nga terri tetëvjeçar i Kosovës”.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë edhe partneritetit të biznesit, duke stimuluar bizneset dhe duke u ndihmuar në avancimin e sistemit tatimor dhe ndryshime të tjera.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Ahmet Shala, ka theksuar se ky projektbuxhet adreson nevojat e vitit të ardhshëm, por sipas tij, natyrshëm do të ketë ndikim edhe në vitet tjera.

Ai ka veçuar krijimin e një mjedisi ku sektori privat do të mund të funksionojë dhe të shtohen vendet e reja të punës. Ndërkaq ka vënë në pah rritjet nga të hyrat, që arrijnë në 8 për qind më lart ,krahasuar me vitin e kaluar dhe rritjen e bruto produktit për 10 për qind.

“Nëse dikush zgjedh të kritikojë këtë buxhet, nuk do të ishte e drejtë dhe e mirë, por duhet të japë alternativa”. /Telegrafi/