LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe konsujt francezë

Shqiptarët dhe konsujt francezë
Luan Rama

Nga: Luan Rama (pjesë nga libri “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX”)

Historiani dhe sllavisti i njohur francez Cyprien Robert, njohës i mirë i Ballkanit, lidhur me vendosjen e konsullatave të para në Shqipëri ndër të tjera shkruan:

“Pavarësisht nga fatet që e presin racën shqiptare, territori i këtij populli mbetet i një rëndësie të veçantë për tregtinë bregdetare. Këtë Franca e kishte kuptuar që në kohën e mbretërisë së Luigjit XIV. Ky monark ishte i pari që e pajisi Janinën me një konsullatë të përgjithshme që kishte nën-konsullatat e saj në qytetet përreth. Zëvendës-konsulli i Sajadhes, Garnier, i cili i bën një përshkrim të hollësishëm Janinës në letrat e shkruara në fund të shekullit XVII, e krahason këtë epiqendër tregtare me Marsejën. Në shekullin XVIII, porti i Tulonit merrte pothuaj gjithë drurin e Epirit. Anijet tona më të bukura u ndërtuan me drurin e këtij vendi, shumë më i thatë dhe më i mirë se ai i Balltikut. Druvarët suljotët dhe të Zagorisë së Artës pasuroheshin në sajë të konstruktorëve tanë. Ata betoheshin veçse për Francën dhe i bindeshin vetëm asaj. Turqit donin t’i shtypnin egërsisht dhe shqiptarët nisën luftën kundër kleftëve, e cila mbaroi më 1737 në sajë të ndërhyrjes së konsullit Dubroca. Pasuesi i tij në Artë, kurajozi Boulle, krijoi një zyrë tregtare franceze në Vlorë, duke zëvendësuar atë të Durrësit që ishte plaçkitur e djegur më 1701 nga korserët sllavë në shërbim të Venedikut.


Ai konceptoi për tregtinë tonë në Shqipëri plane të mëdha dhe të mrekullueshme. Gjatë urisë së vitit 1741, Boulle e lehtësoi popullin e Parisit duke dërguar drithëra nga Epiri. Por, meqë kishte marrë borxhe për këtë dhe kur më pas Ministria franceze nuk pranoi ta paguante, për t’i shpëtuar drejtësisë turke ai s’kishte rrugë tjetër veçse të konvertohej në fenë myslimane. Por, shpejt e breu ndërgjegjja për këtë që bëri dhe më 1762, me një letër të shkruar nga Tenedos, renegati e njoftonte mbretin francez se ishte nisur për t’u bërë martir. Kështu, ky i gjorë, shkoi drejt e në Stamboll që të bëhej i krishterë dhe francez, duke hequr dorë në mënyrë të hapur nga islamizmi edhe pse para divanit, i cili atëherë vendosi t’i priste kokën. Pastaj, trupi i tij iu dha bashkëpatriotëve që e njihnin. Ku tjetër mund të gjesh ngjarje kaq dramatike, komplete dhe tepër interesante të këtij njeriu të madh, të cilin ortodoksët e ruajtën më shumë se ne në kujtesën e tyre? Disa myslimanë, të ekzaltuar nga shembulli sublim i konsullit Boulle u deklaruan të krishterë. Familjet e mëdha të Epirit donin të hakmerreshin për fatin e konsullit të tyre francez…”

Cyprien Robert udhëtoi dhe në veriun shqiptar ku u ndal edhe në Shkodër, duke na dhënë dhe një imazh të Shkodrës së viteve ‘30 të shekullit XIX.

“Disa manifaktura në qytet prodhojnë armë dhe tregtojnë stofra, çka përbën industrinë e vetme të këtij qyteti prej 20,000 banorësh…”.

Në tregun e Shkodrës, Robert habitet me kostumet e tyre të shumëllojshme, veçanërisht të grave, jo vetëm katolike po dhe ato myslimane, apo atyre që zbrisnin nga malet me rrobat e rënda, ndryshe nga rrobat e hijshme e elegante të grave të parisë së qytetit.

“Më e habitshme është veshja e disa zonjave të bukura të disa fiseve, të cilat kanë hedhur përpara trupit katër përparëse, duke i lënë të tunden ato në ajër gjatë kohës që ecin… Në vitin 1640, Franca ka pasur këtu një konsull. ‘Varoshi’, lagja tregtare e qytetit shtrihet në këmbët e kështjellës, ku ka veç nja tre mijë katolikë. Kisha e tyre i është kushtuar Shën Rrokut që në kohën e normanëve dhe është restauruar në sajë të ndihmës së një gjenerali francez në vitin 1809. Ajo kishte shërbyer dikur si katedrale e një arqipeshkvi latin. Persekutimet e turqve kanë bërë që arqipeshkvi të ikë në Kurbin, në zonën e Krujës, duke qenë kështu, në rast nevoje, nën mbrojtjen e pushkëve të mirditasve…”.

Pierre Jerome Dupre do të qëndronte si konsull gjer në fund të shekullit XVIII. Ai merrej me transportin e drurëve të Epirit për ndërtimin e anijeve dhe ishte ndër të parët që do të fillonte kontaktet e Francës me pashain e Janinës. Më 8 dhjetor 1796 (18 frimaire, an V) ai i shkruante qeverisë së tij:

“Të gjithë individët që banojnë nën pushtetin e tij kanë më shumë nevojë për mbrojtje nga ai se sa nga Porta e Lartë, çka ai di ta përdorë si të dojë këtë ndjenjë. Pra, është thelbësore për francezët që banojnë në këtë vend të kenë miqësi me të. Lidhur me këtë kam shkruar një studim të veçantë, edhe pse si person ai vë interesin mbi gjithçka, ndërkohë që mizoritë që e kanë bërë aq të famshëm, kanë tërhequr vëmendjen e Stambollit…”.

Në kohën që Ali Pasha pushtoi vendet që më parë kishin qenë nën pushtetin e Venedikut, nga frika e reprezaljeve, Dupr u fsheh. Ushtria Ali Pashës i dogji depot e konsullatës. Sipas librit “Inventaire de la correspondance des Consuls français à Corfou de 1713 à 1901” (“Inventari i korrespondencës së konsujve francezë ne Korfuz nga viti 1713 më 190”), më 1752 Franca kishte në Korfuz konsullin e saj që mbulonte njëkohësisht dhe ishujt jonianë si Zante, Qefallonia dhe Itaka. Franca kishte gjithashtu një konsull në Cerigo, një tjetër që mbulonte Paxo e Saint-Maure, si dhe fortesat veneciane në Shqipëri si ato në Butrint, Igumenica, Parga, Preveza dhe Voinica.

Më 1775, në Korfuz u dërgua një konsull i Përgjithshëm, i cili qëndroi aty deri kur ra qeveria e Venedikut në vitin 1797. Konsulli i ri i Përgjithshëm francez erdhi po në vitin 1797. Në vitin 1807, me kalimin e këtyre ishujve nën dominimin francez, konsullatat këtu u hoqën. Më 1814, komisari i mbretit, De Boulnois, caktoi në Korfuz një konsull të Përgjithshëm si dhe një zëvendës konsull kancelar. Konsuj të tjerë u vendosën atje në vitin 1815 si dhe një zëvendës konsull në Zante (Zakintos), i cili kishte dhe agjentë të tjerë konsullorë. Në një repertor biografik të botuar në Francë (Repertoire biographique, f.471) shkruhet dhe për kontin Juan Vladagni, apo Vladanji siç ishte familja e madhe shqiptare Vladanji në veri të Shqipërisë.

Në repertor shkruhet: “Vladanji ka lindur në Scutari (Albanie), vdekur në Sebenico (Dalmatie) më 19 qershor 1786. Erdhi në Spanjë për të sjellë kërkesën e katolikëve të Shqipërisë dhe merr emërimin si konsull i Spanjës në provincat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë, me vendqëndrim në Scutari (28 prill 1783). Patenta si konsull i është dërguar në 9 qershor të atij viti. Hipur në një anije në Barcelonë, më 5 korrik 1783 ai u nis për në Shqipëri dhe bëri disa ndalesa nëpër porte të ndryshme, ndonjëherë nga disa javë si në Gjenova, Romë, Ankona, Raguzë dhe Konstantinopojë. Mbërriti në Scutari në 16 nëntor 1784, por në fund të vitit ai niset për në brigjet dalmate me qëllim që të kurohej”.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori