LAJMI I FUNDIT:

Shpëton gjigandi AIG

Shpëton gjigandi AIG

Banka qendrore amerikane ka ndërhyrë për të shmangur falimentimin e kompanisë gjigande të sigurimeve, AIG.

Rezerva Federale do të japë një hua deri në 85 miliardë dollarë.

Në këmbim qeveria do të marrë afro 80% të aksioneve të kësaj kompanie.

Banka qendrore amerikane tha se kishte ndërhyrë për të shmangur një dështim që mund të kishte pështjellime dhe të dëmtonte ekonominë globale dhe atë amerikane.


AIG-ja siguron shumë banka në të gjithë botën në rastet kur klientët e nuk mund të shlyejnë kreditë e shtëpive.

Spekulimet për të ardhmen e kompanisë AIG, kompania më e madhe amerikane e sigurimeve, vazhduan gjatë gjithë ditës së martë në Wall Street.

Vlera e aksioneve të kësaj kompanie ra në nivelin më të ulët në historinë e saj.

AIG-ja e kishte të pamundur të siguronte fonde nga investitorët për shkak se kishte humbur dhjetra miliardë dollarë duke qenë garantuese e kredive të shtëpive.

Kjo kompani siguron më shumë se 300 miliardë dollarë hua të bankave në të gjithë botën, sidomos në Evropë.

Pas njoftimit se Rezerva Federale po përgatiste një paketë ndihme, AIG-ja doli me një deklaratë ku thuhej se kjo kompani po e vazhdonte normalisht aktivitetin e saj në të gjithë botën dhe se i kishte kapitalet e duhura.

Por në deklaratë gjithashtu thuhej se AIG-ja po bënte përpjekje për të huazuar para për një periudhë afatshkurtër.

Në një zhvillim tjetër, Rezerva Federale, me gjithë spekulimet, vendosi të mos i ulë interesat bankare që momentalisht janë 2%.

Përsa i takon bankës së investimeve, Lehman Brothers, bizneset më të shëndosha të saj iu shitën bankës britanike Barclays për afro dy miliardë dollarë.

Me këtë marrëveshje Barclays bëhet banka e tretë më e madhe e investimeve në Shtetet e Bashkuara.

Kjo marrëveshje garanton mijëra vende pune në Wall Street, por asnjë vend pune në filialin evropian të Lehman-it në Britani.